Rama: Në PS ka biznesmenë, në PD Kryeministri e ministrat bëjnë biznes

Jul 5, 2012 | 13:42
Kreu i PS, Rama

Kreu opozitës, Edi Rama, iu përgjigj menjëherë dje deklaratave të Kryeministrit Berisha të bëra gjatë mbledhjes së qeverisë. Përmes adresës së tij në rrjetin social “Twitter”, Rama e akuzoi kreun e maxhorancës se shpreh ligësi ndaj deputetëve socialistë, të cilët i përgojon me pa të drejtë, duke mos treguar respekt për opozitën në tërësi. “Këshilli i miliarderëve në PS nuk do heqjen e imunitetit”, deklaroi Kryeministri. Sipas Ramës, kjo është një ligësi e gjallë, pasi PS ka votuar çdo heqje imuniteti unanimisht, edhe për veten. Në vijim të reagimit të tij, kryetari socialist, i ktheu përgjigje Kryeministrit edhe ndaj akuzave të tij në adresë të deputetit socialistë të qarkut të Shkodrës, Tom Doshi. “Kryeministri përgojon ligësisht deputetët e PS-së. Heqjen e imunitetit e pengon Tom Doshi?! Kjo është një gënjeshtër!”, shkruan Rama, duke kujtuar se “Tom Doshi është pa imunitet, me votën e tij e tonën”. Në reagimet e tij në vijim ndaj deklaratave të kryeministrit, Rama kund-ërshtoi kreun e ekzekutivit duke thënë se në demokraci biznesi ka të drejtë të përfaqësohet dhe në politikë. “Jetojmë në një sistem ku sipërmarrja e lirë është themeli dhe ka të drejtë të përfaqësohet, po ku qeveria s’mund të kthehet kurrë në biznes!”, shkruan Rama në adresën e tij në Twitter. Kreu socialist në reagimet e tij akuzoi maxhorancën dhe qeverinë se ministrat e saj dhe kryeministri bëjnë biznes me politikën. “Dhe më e rëndësishmja: Në PS ka disa biznesmenë që janë deputetë, në PD ka një kryeministër dhe ministra që bëjnë biznes! Ky është dallimi kuptimplotë!”, shkruan Rama në Twitter.

© Panorama.al

Te lidhura