
Kreu socialist, Edi Rama, ka nisur një tur takimesh sensibilizuese në të gjitha rrethet e vendit, qëllimi i të cilit është sqarimi i qëndrimit të PS-së në zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Rama ka zhvilluar një takim me strukturat e PS-së së rrethit Tiranë dhe Kavajë, ndërsa dje është anuluar një takim që pritej të zhvillohej në Vlorë. Në këto takime, Rama është përqendruar në sqarimin e strukturave vendore lidhur me negociatat që PS zhvilloi për zgjedhjen e Presidentit, kontaktet, takimet dhe vendosmërinë për të kërkuar konsensus nga Partia Demokratike dhe kreu i saj, Sali Berisha. Por, kryesocialisti ka marrë një mori pyetjesh nga pjesëtarë të strukturave socialiste të zgjedhura rreth moskandidimit të Fatos Nanos nga Partia Socialiste. Rama është pyetur se cilat ishin arsyet që PS nuk tentoi të marrë konsensus për kandidaturën e Nanos në negociatat e fshehta dhe zyrtare me maxhorancën. Kreu socialist është shprehur se Nano mund të ishte një kandidat konsensual nëse do ta kishte pranuar edhe maxhoranca. Në asnjë rast tjetër, sipas Ramës, kur maxhoranca do të kandidonte një emër të saj, PS s’mund të propozonte Fatos Nanon apo ndonjë emër tjetër, pasi votat nuk mjaftonin për të përmbysur kandidatin e maxhorancës. Mësohet se Rama është shprehur se propozimi i një kandidati nga Partia Socialiste do ta përfshinte opozitën në lojën e Berishës për të zgjedhur kandidatin e tij politik, ashtu dhe siç ndodhi. Rama ka kërkuar nga të zgjedhurit vendorë, kryetarë bashkish dhe komunash dhe këshilltarët të nisin punën me bazën, me votuesit e PS-së. Veçanërisht, apeli i Ramës ka qenë në adresë të koordinatorëve elektoralë të PS-së në rrethe, që sipas Ramës duhet të krijojnë dhe forcojnë grupet e patronazhit për të pasur një situatë sa më të qartë të elektoratit që voton opozitën dhe PS-në. Në këto takime merrnin pjesë koordinatorët elektoralë të rretheve, të zgjedhurit vendorë, por edhe krerët e degëve socialiste.
Lëvizja
Turi i Edi Ramës në të gjitha rrethet e vendit nis vetëm pak ditë nga lajmërimi i lëvizjes “Nano për fitoren e socialistëve” se në vjeshtë kjo lëvizje do të nisë mbledhjen e firmave në bazën socialiste dhe anëtarësinë e saj për një mocion besimi ndaj kryetarit socialist Edi Rama. Lëvizja Nano ka lajmëruar se gjatë muajve të verës do të ngrihen zyrat koordinuese në të gjitha qytetet e vendit, përmes të cilave të interesuarit do të mund të firmosin për një mocion në PS.
ARISTIR LUMEZI











