Kreu socialist, Edi Rama, i kërkoi dje faktorit ndërkombëtar në Shqipëri të pranojë manipulimin e zgje-dhjeve në Tiranë.Gjatë një deklarate për mediat dje në mesditë nga selia rozë, Rama u kujtoi ndërkombëtarëve të mos bëjnë deklarata për dialog dhe reforma në një kohë që zgjedhjet në Shqipëri vazhdojnë të vidhen rregullisht. “Për të mundësuar një dialog serioz në kushtet kur qeveria ka vjedhur haptas opozitën, duhet fillimisht të pranohet publikisht se ajo që ndodhi me zgjedhjet e 8 majit në Tiranë ishte jashtë çdo standardi demokratik ndërkombëtar dhe si e tillë, nuk duhet të përsëritet më kurrë. Sigurisht, këtë nuk presim ta dëgjojmë nga Saliu, po nga miqtë e partnerët ndërkombëtarë, të cilët në sytë tanë përfaqësojnë botën e ëndërruar ku zgjedhjet nuk vidhen, ku gjykatat nuk dhunojnë barazinë para ligjit, ku media nuk përdhunohet, ku opozita nuk trajtohet si armik i brendshëm i vendit”, u shpreh Rama. Sipas tij, me pushtetin e tij të vjedhur, që grabiti ditën për diell, në sytë e të gjithë shqiptarëve e nën hundën e ndërkombëtarëve, edhe zgjedhjet në Tiranë, që manipulon çdo gjyq të të korruptuarve të vet, që sulmon e kërcënon Prokurorinë për çdo akuzë të ngritur mbi fakte të njohura botërisht, që burgos demonstrues opozitarë për gjuajtje me gurë e dekoron ata që vrasin demonstruesit me pushkë, që mbyll përditë shtigjet e lirisë së shprehjes në shtyp e në shoqëri, nuk ka, sot për sot, asnjë lloj dialogu të mundshëm.
Akuzat
Kryesocialisti e akuzoi qeverinë se ka korruptuar Drejtësinë duke certifikuar rezultatin e Tiranës me vendime të jashtëligjshme.
“Me arsyetimin idiotik të Kolegjit Zgjedhor u konsumua plotësisht vepra e vjedhjes së zgjedhjeve të Tiranës me vendim gjykate. Drejtësia ka vdekur në Shqipëri. Pushteti gjyqësor ka marrë fytyrën e qeverisë dhe është bërë pjesë e maskaradës antidemokratike të Saliut. Shteti i kapur plotësisht për interesat e pushtetit të vjedhur e ka nxjerrë Shqipërinë nga binarët e Europës dhe e ka kthyer këtë vend të NATO-s në një realitet ku asnjë vlerë e parim i NATO-s s’ka më vend”, u shpreh Rama. Sipas tij, qëllimet e pushtetit të Sali Berishës nuk janë në një valë me qëllimet pozitive të ndërkombëtarëve për të vendosur një shtet ligjor dhe të së drejtës në Shqipëri.
“Çka ndodhi me zgjedhjet e Tiranës, jo vetëm provoi katërcipërisht që Saliu zgjedhjet i vjedh nuk i fiton, por më keq akoma, tregoi se sa i shurdhët është veshi i pushtetit të vjedhur ndaj të gjitha fjalëve qëllimmira të komunitetit ndërkombëtar. Ne u kërkojmë sot publikisht miqve e partnerëve ndërkombëtarë të shqiptarëve që, në kushtet kur vjedhja ka ndodhur hapur, edhe në sytë e tyre dhe kur gjykata për të vulosur vjedhjen ka refuzuar të gjykojë çështjen, të mos mjaftohen me predikimin qëllimmirë të radhës. Populli shqiptar ka sot nevojë të dëgjojë shkoqur të vërtetën dhe vetëm të vërtetën nga goja e miqve e partnerëve të tij të çmuar. Ata s’janë dhe s’mund të bëhen palë me vjedhësit e zgjedhjeve, me gjykatësit e kapur, me qeverinë që ka braktisur përfundimisht shinat e Europës demokratike duke tradhtuar hapur e shkelur dhunshëm vlerat, parimet, standardet e integrimit në BE e të anëtarësimit në NATO”, u shpreh Rama.
Dialogu
Kryesocialisti refuzoi ftesën e kreut të qeverisë për dialog dhe reforma të mëdha në vend. “Kursi ynë i ri politik do të jetë shprehje e plotë dhe kuptimplotë e domosdoshmërisë për ta futur Shqipërinë në rrugën e shumëkërkuar të funksionimit të demokracisë. Por duam ta bëjmë fare të qartë, pa asnjë ekuivok, se ne refuzojmë t’i nënshtrohemi diktaturës së faktit të kryer dhe nuk do të bëhemi pjesë e çfarëdo farse të ideuar apo organizuar nga Saliu gjoja si dialog, po në fakt vetëm për të vazhduar të gënjejë e të tallet me popullin shqiptar e me komunitetin ndërkombëtar. Saliu për ne është dhunuesi i pakorrigjueshëm i Kushtetutës, i zgjedhjeve e i shtetit të së drejtës në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Deklarata e parë pas Kolegjit
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë dhe përsëritjen e zgjedhjeve, askush nga selia rozë nuk kishte bërë ndonjë deklaratë. Asnjë reagim nga përfaqësuesit e lartë të PS-së ndaj vendimit të Kolegjit. Dalja e djeshme e Ramës në deklaratë për mediat ishte reagimi i parë zyrtar i socialistëve për Kolegjin Zgjedhor, ndërsa asnjë nga forumet e PS-së nuk është mbledhur këto ditë për një qëndrim politik.
Kukan: Të nisë dialogu politik
Eurodeputeti Eduard Kukan kërkoi nga klasa politike shqiptare nisjen sa më shpejt të dialogut politik. “Ne duam të shohim që fundi i këtij procesi të sjellë qetësi. Ajo për të cilën Shqipëria ka nevojë pas këtyre zgjedhjeve, është që të gjithë të njohin rezultatin dhe të rifillojë jeta normale politike në vend. Kur themi rifillimi i jetës normale politike, kjo do të thotë dialog politik midis aktorëve politikë, që të zgjidhen çështjet që janë të rëndësishme për vendin. Janë 12 rekomandime të Komisionit Europian dhe nuk e di nëse dikush po diskuton dhe shqetësohet për këto. Ky është rifillimi i jetës normale politike. Kjo nuk po ndodh, kjo po plagos vendin dhe popullin shqiptar dhe është për të ardhur keq”, u shpreh eurodeputeti.
Chountis: Politika t’i japë fund konfliktit
Eurodeputeti grek, Nikolaos Chountis, i kërkon klasës politike shqiptare dhënien fund të konfliktit. “Tani kemi një vendim të instancave gjyqësore. Uroj dhe shpresoj që ky konflikt për rezultatin e zgjedhjeve të mbarojë në një moment. Duhet të mbarojë, sepse nuk mund të vazhdojë kështu pa fund. Shpresoj që konflikti të mbarojë për t’ia lenë vendin një faqeje të re, apo një kapitulli të ri. E uroj këtë sinqerisht për Shqipërinë.
Është momenti për të gjithë politikanët në Shqipëri që të zgjidhin probleme më serioze për qytetarët shqiptarë, siç janë problemet ekonomike dhe të drejtat sociale për të mirën e popullit shqiptar”, u shpreh eurodeputeti grek për situatën politike në Shqipëri.
Këshilli Bashkiak i Tiranës, të premten vendimi i Kolegjit
Kolegji Zgjedhor do të vendosë të premten për ndarjen e mandateve në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Një ditë pas padisë së paraqitur nga Partia Demokratike, në Gjykatën e Apelit është caktuar data e gjyqit si dhe është zgjedhur trupi gjykues. Relatore e kësaj çështjeje, e cila do të shqyrtohet nesër në orën 10:00, do të jetë Meriban Mullaj, ndërsa në trupin gjykues do të jenë edhe Astrit Kalaja, Tom Ndreca, Entela Prifti dhe Petraq Dhimitri. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk arriti pak ditë më parë të ndajë mandatet për Këshillin Bashkiak të Tiranës, për shkak se tre anëtarët e opozitës në KQZ nuk votuan draftin e paraqitur nga administrata. Avokati i PS-së, Eridian Salianji, u shpreh kundër vendimit të shumicës, për shkak se në tabelën përfundimtare nuk përputhen votat. “Ne nuk jemi dakord me ndarjen e mandateve në bazë të tabelës përmbledhëse. Shifrat janë vendosur në tabelë në mënyrë alogjike. Këto shifra nuk arritët t’i përputhni. Ne kërkuam të miratoni tabelat për çdo grup numërimi dhe ju nuk e bëtë sepse aty do të dilte gjithë manipulimi që ka ndodhur në Tiranë. Duke pasur frikë nga e vërteta, shpallët një tabelë apriori dhe po miratoni mandatet. KQZ nuk e kaloi provën, u bë pjesë e manipulimit”, tha gjatë mbledhjes përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Eridian Salianji. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, vlerësoi faktin se në vendim është marrë parasysh edhe kërkesa e PS-së për të përfshirë në tabelë të gjitha votat e hedhura në kutinë e gabuar. “Me propozimin e PS në tabelën e rezultateve, ku ishin futur votat e Vendimit 709, u futën edhe votat që dolën pas urdhërimit të Kolegjit. Për sa kohë nuk ka ankimim në Kolegj, ky vendim është në fuqi. Nëse ata do të ishin të pakënaqur nga tabela, mund të ankoheshin në Kolegj dhe nuk u ankuan”, tha Kosovrasti.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











