Sekretari i LSI s’përjashton një kandidaturë të kësaj partie për kreun e shtetit.
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e përjashton emrin e Ilir Metës si një kandidat për postin e Presidentit të Republikës. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i pyetur dje nga gazetarët nëse Ilir Meta mund të jetë kandidatura konsensuale për postin e Presidentit, përgjigjja e tij ishte: “Pse jo?”. Sipas Luan Ramës, emri i kreut të LSI-së i përmbush kriteret ligjore dhe detyrimet që duhet të plotësojë kryetari i ri i shtetit, ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim nuk përjashtohet nga gara për të dhënë emrat e saj në arritjen e një kandidature konsensuale për postin e Presidentit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së pohoi se çështja e emrit, nëse do të jetë Ilir Meta apo jo një kandidaturë e LSI-së, ky fakt, sipas tij, do të diskutohet në forumet e larta të kësaj force politike në kohën e duhur. “Ligji, Kushtetuta parashikon të drejtën dhe kriteret se kush mund të kandidojë për të qenë kryetari i shtetit. Në këtë pikëpamje, LSI-ja nuk e përjashton veten nga e drejta që të kontribuojë me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet e veta, në të mirë të realizimit të zgjedhjes konsensuale të Presidentit të Republikës. Gjithsesi, çështja e emrit pastaj është një çështje që do të diskutohet pasi forumet politike të partisë të kenë gjykuar dhe vendosur në kohën kur do të bëhet imediat përcaktimi kandidaturës”, theksoi Luan Rama. Negociatat
Presidenti i ri, sipas sekretarit të Përgjithshëm i LSI-së, duhet të zgjidhet pas një procesi negociatash midis aleatëve dhe diskutimesh me opozitën. Luan Rama del kundër deklaratës së Kryeministrit Sali Berisha që kreu i ri i shtetit të jetë një figurë e Partisë Demokratike. Për Ramën, partitë politike duhet të bien dakord për një kandidaturë konsensuale, pavarësisht se kush janë propozuesit e saj. “Klasa politike të mund të mbërrijë te konsensusi i nevojshëm që pavarësisht se prej nga vjen kandidati, se mund të jetë një kandidat që vjen si propozim i Partisë Demokratike, mund të jetë një kandidat që vjen si propozim i opozitës, siç mund të jetë edhe një kandidat që vjen si propozim i Lëvizjes Socialiste për Integrim apo edhe një grupi deputetësh, siç e parashikon Kushtetuta. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë edhe në negociatat e pritshme, si dhe në atë që vetë Kryeministri e ka theksuar në deklaratën për shtyp për çeljen e negociatave edhe midis aleatëve të koalicionit në funksion të gjetjes së zgjidhjes më të mirë të mundshme”, theksoi Rama. Bashkimi me PS
Bashkimi i votave të LSI-së me PS-në për të rrëzuar maxhorancën aktuale, një propozim i ardhur dy ditë më parë nga deputeti Ben Blushi, për Luan Ramën është një skenar që nuk do të ndodhë. Luan Rama iu referua deklaratës së kryetarit Ilir Meta se LSI-ja do t’i qëndrojë deri në fund marrëveshjes me PD-në dhe votat do të bashkohen në çdo rast vetëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Fatos Nano
Është i vetmi kandidat i vetëshpallur për postin e kreut të shtetit. Që prej shpalljes së ambicies së tij zyrtarisht në një emision televiziv, Nano zhvilloi për rreth dy javë takime me të gjithë kryetarët e partive parlamentare: Meta, Rama, Berisha, Idrizi dhe Mediu.
Jozefina Topalli
Kryetarja e Parlamentit, nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, është propozuar si kandidate për presidente nga Zef Bushati, kryetar i Aleancës Demokristiane. Propozimi i Bushatit erdhi në një ditë që Kryeministri Berisha tha nga SHBA se do të zhvillojë konsulta për kandidaturën e kreut të shtetit.
Neritan Ceka
Akademiku Neritan Ceka, ish-president i Partisë Aleanca Demokratike, i tërhequr nga drejtimi i saj, u propozua
si një kandidaturë e mundshme nëse do të ketë një proces konsultimesh. Propozimi u bë nga kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, ndërsa Ceka e sheh veten si kandidaturë mbi palët.
Fatos Beja
Një nga deputetët më të vjetër të Parlamentit shqiptar, ish-nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministër i Arsimit, Fatos Beja, është një nga emrat potencialë për të qenë kandidat i maxhorancës. Beja shihet nga të djathtët si njeriu që mund të sjellë një klimë tjetër në marrëdhëniet Parlament-Presidencë.
LSI, apel Komisionit të Reformës Zgjedhore Luan Rama i kërkoi Komisionit të Reformës Zgjedhore që të marrë në konsideratë propozimin e partive të vogla. “Komisioni i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë, i mandatuar për të realizuar projektin e reformës zgjedhore, duhet të reflektojë propozimet e bëra nga dokumenti i shkruar nga 26 parti politike si shenjë e vullnetit të mirë për të bërë të mundur realizimin e një reforme zgjedhore që të krijojë kushte barazie të votës”, u shpreh Luan Rama.
Reagimi: Braçe kundër Ramës e Blushit për LSI
Erjon Braçe
Anëtari i Kryesisë socialiste, Erjon Braçe, ka dalë dje kundër Ramës dhe Blushit për afrimin me LSI-në. Në një qëndrim të publikuar në adresën e tij në Facebook, Braçe shprehet kundër një bashkimi me LSI-në për zgjedhjen e Presidentit apo dhe për të provokuar rrëzimin e qeverisë. Këtë lloj bashkëpunimi Braçe e cilëson pa moral. “Dy gjëra dua të them: E para, pushteti pa moral – është ky që kemi, pushtet për të vjedhur!; E dyta, na duhet një President i ndershëm!”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook. Duke iu përgjigjur edhe deklaratave të bëra nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili nuk përjashton edhe Ilir Metën si një kandidat potencial për President, si një e drejtë kushtetuese, Braçe deklaroi dje dhe votën e tij në Parlament. Pas komenteve të shumta të marra rreth këtij qëndrimi, Braçe shprehet se “do të votoj për një njeri të ndershëm, burrë apo grua qoftë”.