
Kryetari i Partisë Socialiste ka nisur dje nga Durrësit turin e tij të programit me përfaqësues të biznesit. Duke kaluar në tregun e qytetit i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kryesocialisti premtoi se kur PS të vijë në pushtet do të heqë taksën e biznesit të vogël. Sipas tij, ky do të jetë veprimi i parë i programit të PS “Për një Rilindje Shqiptare”. “Përtej krizës së përgjithshme, problem themelor në këtë sistem padrejtësie është se rëndesën më të madhe me taksa e ka biznesi vogël. Nga premtimi për përgjysmim të taksave biznesi i vogël sot paguan 3 herë më shumë taksa. I paguan edhe bashkisë, edhe qeverisë, edhe tatim për të ardhurat, edhe TVSH. Me këtë sistem taksimi është e pamundur që biznesi i vogël të mbijetojë. Unë kam shumë kënaqësi t’ju them që lajmi i parë nga program ynë i ri është që ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël. Do ta heqim taksën e biznesit të vogël dhe, nga ana tjetër, do të bëjmë të mundur që biznesi vogël që fiton më pak, të paguajë më pak, dhe biznesi i madh që fiton më shumë, të paguajmë më shumë. Historia që dikush lufton për bukën e gojës, dikush fiton miliarda në muaj dhe të gjithë paguajnë njësoj, do të thotë që në fakt ata që fitojnë më pak paguajnë më shumë, ata që fitojnë më shumë paguajnë më pak”, u shpreh Rama para tregtarëve të vegjël në tregun e Durrësit. Sipas tij, “heqja e taksës së biznesit të vogël dhe nxitja e biznesit të vogël është një nga hapat më të rëndësishëm që ne do hedhim për ta rilindur ekonominë dhe për t’i dhënë mundësi ekonomisë familjare që të fillojë të marrë frymë”. “Kudo ku shkojmë dhe këdo që takojmë dëgjojmë të njëjtën gjë: ka rënë fuqia blerëse, ka rënë konsumi, fitojmë shumë më pak se dje, paguajmë shumë më shumë se dje. Kjo është e patolerueshme. Dhe kjo situatë është në qendrat e rëndësishme ekonomike të vendit, në Tiranë, në Durrës, në Shkodër, në Vlorë, pa llogaritur qytetet më të vogla, ku varfëria është ulur këmbëkryq, ku papunësia është gjithandej, ku praktikisht biznesi vogël është mbijetesë në kushte ekstreme”, u shpreh Rama.











