Rama me të rinjtë në Sarandë me bluzën e Batmanit

Jul 20, 2012 | 13:11

Rama dje në Sarandë me të rinjtë

Kreu socialist vijon turin e takimeve në Jug të vendit.

Kryesocialisti Rama ishte dje në Sarandë mes të rinjve të shkollave të mesme dhe atyre universitarë. I gjendur mes tyre, Rama ka qenë më sportiv se ata, madje i veshur dhe me simbolet aq të pëlqyera për të rinjtë. I veshur me një T-shirt gri të errët ku në qendër të saj ishte i stampuar simboli i Batman (lakuriqit të natës), heroit për çdo të ri që kërkon të shpëtojë botën nga e keqja, me syze si të Xhon Lenon dhe me një palë këpuce atletike, Rama i ka ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e “Rilindjes Shqiptare”. Kryesocialisti Rama u ndal në bisedën e tij me të rinjtë edhe tek arsimi ku për të, – një reformë e thellë në të gjitha nivelet e arsimit është e domosdoshme, pasi rritja e fiktivitetit të diplomave i ka kthyer këto të fundit në letra pa vlerë. I shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Sarandë, Stefan Çipa dhe nga sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erion Veliaj. “Jam këtu realisht, sepse ka shumë mundësi për të folur në kushte të lira dhe pa shtrëngimin që krijon një mbledhje e zakonshme dhe, nga ana tjetër, besoj që është mirë që kemi edhe kryetarin e Bashkisë këtu, sepse mbase mund të keni edhe për të ndonjë pyetje apo kuriozitet. Ne jemi të angazhuar dhe shumë të interesuar që sa më shumë të rinj të përfshihen në procesin e transformimit që duam të sjellim dhe që pa asnjë dyshim do ta sjellim vetëm duke bashkuar për energji pozitive të gjitha moshat e shtresat në funksion të një Shqipërie të mirë në të gjitha aspektet”, u shpreh Rama. Pas këtij aktiviteti, Rama ka ndjekur dhe një garë noti me fëmijët e ekipit zinxhir “Butrinti” në zadrën e qytetit. sh.d

© Panorama.al

Te lidhura