
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi mbështetjen e plotë të vendeve anëtare në Internacionalen Socialiste për procesin integrues të Shqipërisë. Ndërsa ka marrë pjesë në Kongresin e 24-t zgjedhor të Internacionales Socialiste, zhvilluar në Kejptaun, Afrikë e Jugut, lideri i opozitës shqiptare zhvilloi takime me Kryeministrin belg Elio di Rupo, Kryeministrin rumun Victor Ponda dhe drejtuesit e Partisë Socialdemokrate gjermane dhe Socialiste franceze. Një takim të veçantë lideri socialist pati edhe me Phil Angelides, kryetar i Komitetit për hetimin e krizës financiare në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, emëruar nga Presidenti Obama me miratimin unanim të Kongresit. Gjatë këtij takimi, biseda mes Ramës dhe Angelides u përqendrua në situatën ekonomike që po kalon Shqipëria dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë. Një temë e rëndësishme që u diskutua, ishte edhe programi i Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, duke u përqendruar në çështjet më delikate, si punësimi dhe taksimi i ndershëm. Angelides u shpreh jo vetëm në mbështetje të programit të Partisë Socialiste “Për një Rilindje Shqiptare”, por gjithashtu u angazhua për të dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejshëm të programeve që kanë të bëjnë me taksimin e ndershëm.











