Rama mbledh në Korçë larg mediave grupin e strategjisë

Aug 24, 2012 | 11:53

Kreu i PS, Edi Rama

Lënë pushimet në mes dhe takohen me kreun e PS.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, mblodhi dje pasdite në qytetin e Korçës grupin e hartimit të strategjisë politike. Larg Tiranës dhe larg vëmendjes së mediave, një nga një pjesëtarë të këtij grupi, të zgjedhur nga Kryesia socialiste, Ruçi, Blushi, Xhafaj, Beqja, Bushati, Dokle e Veliaj janë grumbulluar në “Vila Themistokli”, vendi i preferuar për socialistët për të diskutuar në prag të nisjes së aktivitetit politik dhe parlamentar. Duket se anëtarë të këtij grupi kanë kohë që përgatiten, edhe pse kjo është mbajtur në sekret të madh se me çfarë tezash do të nisin betejën e re politike me nisjen e punimeve të Kuvendit dhe me mbarimin e pushimeve verore. Takimi i djeshëm, që mësohet se do të zgjasë edhe sot, është vazhdimi i një takimi të zhvilluar në selinë rozë në Tiranë, para nisjes së pushimeve, ku për rreth tri orë Rama dhe pjesëtarët e tij kanë diskutuar rreth strategjisë që PS duhet të ndjekë në nisje të vitit elektoral, por dhe të mesazheve të unifikuar, që duhet të përcjellë çdo anëtar i Grupit Parlamentar socialist. Mësohet se detyra nga takimi i fundit ishte lënë përcaktimi i strategjisë për tri drejtime të jetës politike të PS-së dhe deputetëve të saj në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s: strategjia që deputetët e PS do të ndjekin në Parlament, angazhimi i të gjitha strukturave të PS nga qendra në bazë për vitin elektoral, si dhe angazhimi për të përfshirë sa më shumë aktorë në koalicionin opozitar, pavarësisht spektrit politik nga rrjedh. Materiali që pritet të përgatisë grupi i punës për strategjinë e komunikimit do të jetë pjesë e diskutimit dhe vendimmarrjes së Kryesisë socialiste dhe asamblesë kombëtare që pritet të mblidhen gjatë muajit shtator.

© Panorama.al

Te lidhura