Rama, kursi i detyruar i ndryshimit

Jun 20, 2011 | 12:14

AGIM BAÇI

Zhvillimet e së shtunës në Asamblenë e PS-së e sidomos vendimi për të mos braktisur Kuvendin dhe për të rikonsideruar debatin në forumet brenda vetes, duket se po shënojnë një kthesë të detyruar të qëndrimeve të Edi Ramës me forumet e Partisë, ku ai nuk ka asnjë luks të shohë deputetët e PS-së larg tij, si rasti i Islamit e Harasanit apo edhe më keq, të ketë kontestime të hapura për qëndrimet e tij nga Braçe apo të njohur të tjerë si mbështetës të flaktë.
Debatet në Asamble duket se i dhanë udhë pjesëmarrjes në Kuvend, edhe pse vetë Rama i la të hapura format e protestave, si alternativë të debatit. Nuk dihet nëse pjesëmarrja në Kuvend do të jetë edhe në votime apo në marrëveshje për ligje që duhen votuar me shumicë të cilësuar. Kjo ndoshta duhet parë në rrjedhën logjike të pjesëmarrjes në Kuvend, ku i takon kreut të maxhorancës të bëjë ofertat e veta politike, për ta pasur opozitën aty dhe për ligjet që i duhen vendit edhe përmes votës së opozitës, duke nisur nga reformat në Kodin Zgjedhor, për të përmirësuar sistemin e numërimit.
Por, ajo që ndodhi në mbledhjen e fundit të Asamblesë shtron një pyetje: Përse ky “liberalizëm” kaq i beftë dialogu, kur në fakt më shumë pritej një zemërim i Ramës për rezultatin e Tiranës?
Së pari, pas dy vjetëve në vend numëro, përmes politikës bojkotuese, e sidomos pas rezultatit të Tiranës, Rama është i detyruar të mendojë gjatë për modelin që mund t’i japë atij fitoren në zgjedhjet e vitit 2013. Përndryshe, çdo lloj justifikimi për humbjen e mundshme është i pavlefshëm dhe atij do t’i mbetet vetëm largimi nga kreu i PS-së. Ndaj dhe hapi i parë i të menduarit është hapja e derës për mendimin e rrymave në PS, duke nisur kështu bashkëpërgjegjësinë në vendimmarrje. Këto ide mund të shpjegojnë edhe mungesën e çdo kritike apo vendimi për të lënë jashtë PS-së Islamin e Harasanin, që në mënyrë të hapur kanë thyer vendimin e Grupit Parlamentar.
Së dyti, votimi i 8 majit ishte një votë kundër megalomanisë në disa raste në rrethe, ku disa kryebashkiakë ishin bërë si agallarë, si dhe një humbje e thellë e votave nga Rama në Tiranë, në krahasim me 4 vjet më parë, ku duket se kryesocialisti kishte harruar që kishte marrë votën për të qeverisur qytetin, e jo për të ndenjur në PS, e aq më pak për të mbjellë bojkotin që shkaktoi jo pak herë pasiguri në jetën e qytetit dhe të shumë bizneseve.
Dhe, për Ramën, leximi i votës në Tiranë ishte një domosdoshmëri, për shkak se tashmë ai pas 8 majit u gjend mes dy zjarresh: nga njëra anë janë votat e humbura në Tiranë dhe nga ana tjetër, mundësisë që Berisha ta fusë sërish në qorrsokakun e bojkotit dhe protestave, duke e lënë jashtë rrjedhës politike të debatit real, pra duke e lënë larg dhënies së alternativës qeverisëse dhe duke e skicuar përfundimisht para shqiptarëve dhe para ndërkombëtarëve si një partner politik që nuk i njeh institucionet.
Pikërisht kësaj frike të fundit i janë ruajtur edhe shumica e anëtarëve të Asamblesë, teksa kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në Kuvend dhe në të gjitha forumet kur jepen alternativa. Dhe për këtë ide rizgjimi u lanë të flisnin pikërisht jo gjenerata e sjellë në vitin 2009 nga Rama, por një pjesë e hershme e PS-së, si Malaj, Braçe, Meksi apo Klosi, duke dhënë kështu idenë se PS nuk mund të jetë partia e një grupi të vetëm, aq më tepër e një grupi që, pavarësisht se janë në Parlament si përfaqësues të PS-së, nuk e kanë jetuar jetën e forumeve të kësaj Partie.
Gjithsesi, pavarësisht rrethanave që e kanë çuar Edi Ramën në këtë kurs të ri debati, si ai i së shtunës në Asamble, ky ndryshim duhet parë si një hap pozitiv, pasi jeta politike ka nevojë jetike për alternativat e opozitës në Kuvend. Duke marrë pjesë në sallën ku dëgjohet zëri i të votuarve, PS mund t’i shërbejë edhe vetes edhe qytetarëve, të cilët janë të lodhur nga politikat dëshpëruese, nga bojkoti, nga përplasjet, e sidomos nga një politikë që mbjell pasigurinë jetës së përditshme.
Ndërkaq, dhënia e dy javëve kohë për debate të brendshme mund të jetë një shans për të thënë edhe që shumica e socialistëve dëshiron debatin në Kuvend, pjesëmarrjen në institucione. I mbetet Ramës të tregojë tashmë nëse është i gatshëm të pranojë se s’mund ta drejtojë anijen e PS-së vetëm përmes politikës individuale dhe se s’mund të krijojë një forum drejtues vetëm nga përzgjedhjet e tij personale, pa përfillur një pjesë natyrale të PS-së.

© Panorama.al

Te lidhura