Berisha, Patozi, Meta, Rama, Ruçi e Idrizi dje gjate tryezes per Presidentin
Idrizi propozoi emrin e ish-liderit të PS, e përkrah Meta. Ja 6 emrat që u debatuan dje gjatë negociatave.
Kreu i PS: Kadare më ka sugjeruar zv.shefin e Shtabit të Ushtrisë.
Tryeza e djeshme e partive parlamentare nuk arriti konsensusin me opozitën, por zgjodhi emrin e kandidatit të maxhorancës për President. Analisti i njohur i medias, ish-ministër dhe ekspert i ekonomisë, Artan Hoxha, është kandidati që mori dje pas tri orë diskutimesh pëlqimin dhe mbështetjen e partive parlamentare të maxhorancës. I propozuar nga Ilir Meta, Hoxha është mbështetur gjerësisht nga Partia Demokratike, ndërsa për Edi Ramën ai është cilësuar si analist jo shumë i pavarur. Emrat e maxhorancës Dita e djeshme u konsiderua nga të gjithë si vendimtare nga ku të gjithë do të mësonim emrin e Presidentit të ri, i cili ose do të ishte konsensual, ose i pranuar nga të gjitha partitë e maxhorancës. Në orën 19:00, ashtu siç ishte paracaktuar, mbërriti në Kryesinë e Kuvendit kryetari i Grupit Parlamentar demokrat, Astrit Patozi e pas tij, kreu i LSI-së Ilir Meta. Shpëtim Idrizi mbërriti pak pas Metës, ndërsa Rama dhe Ruçi mbërritën në orën 19:20. I fundit, i cili shënoi dhe nisjen e takimit, të parit mes të gjitha partive parlamentare për zgjedhjen e Presidentit, mbërriti Kryeministri Berisha. Në tryezë mungoi Fatmir Mediu, i cili ndodhej në Itali, por kishte dhënë pëlqimin e tij përmes konsultave telefonike me Kryeministrin për emrat. Që në nisje të takimit, Kryeministri Berisha ka paraqitur një listë me katër emra, për të cilët ishte rënë dakord nga partitë e maxhorancës. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes, Bujar Nishani, ministër i Brendshem, Artan Hoxha, analist, ish-ministër dhe Petraq Milo, këshilltar i Kryeministrit, ishin emrat e maxhorancës për të cilët kërkoi nga opozita një përzgjedhje të njërit prej tyre. Por kreu socialist i hodhi poshtë këta emra duke i cilësuar politikë. Për Ramën, emrat e Imamit dhe Nishanit ishin të papranueshëm që të merrnin mbështetjen e opozitës, pasi ata ishin ministra të qeverisë dhe anëtarë të forumeve drejtuese të PD. Edhe emri i Petraq Milos është refuzuar nga Rama, si këshilltar i Kryeministrit. Por kryesocialisti ka rrëzuar edhe emrin e Artan Hoxhës, analistit të njohur, duke e cilësuar atë si të ekspozuar shumë kundër opozitës në analizat, shkrimet dhe qëndrimet e tij në media. Në këtë mënyrë, e gjithë lista e maxhorancës u rrëzua nga opozita. Nano
Burime nga takimi me dyer të mbyllura bëjnë të ditur se Shpëtim Idrizi, kreu i PDIU-së, ka propozuar disa herë emrin e Fatos Nanos si kandidat konsensual. Propozimi i tij është mbështetur edhe nga Ilir Meta, i cili ka kërkuar që aktorët në tryezë ta konsiderojnë kandidaturën e ish-kryeministrit socialist. Por është kundërshtuar prerë nga Edi Rama dhe Gramoz Ruçi, të cilët kanë insistuar nga fillimi deri në fund të takimit tek një kandidaturë jo të fortë politike që do t’i afronte palët. Kadare
Nga ana e tij, Edi Rama, i cili ka kërkuar një proces jo të imponuar, sipas tij me emra që vijnë nga maxhoranca, ka propozuar emrin e Aleksandër Lleshit. “Ismail Kadare më ka propozuar emrin e zv.shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Aleksandër Lleshit”, mësohet të ketë thënë Rama në takimin e djeshëm. Emri i Lleshit është kundërshtuar fillimisht nga Patozi. “Kemi 10 vite që kërkojmë emra nga ushtria, Ne nuk jemi vend ushtarak që të ta bëjme Presidencën ushtarake”, mësohet të jetë shprehur Patozi. Më pas, maxhoranca nuk e ka marrë në konsideratë emrin e zv.shefit të Shtabit të Ushtrisë. Në përfundim të debateve, partitë e maxhorancës kanë mbështetur një figurë jashtë politikës, duke i dhënë mbështetje maksimale Artan Hoxhës, ndërsa Edi Rama e ka refuzuar atë, duke mbyllur në këtë mënyrë dhe takimin.
Kandidatet e propozuar në tryezë
. Fatos Nano, ish-kryeministër
. Arben Imami, ministër i Mbrojtjes
. Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë
. Petraq Milo, këshilltar i Kryeministrit
. Artan Hoxha, analist, ish-ministër
. Aleksandër Lleshi, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë
Nano Kandidati i vetëshpallur për postin e Presidentit të ri, ish- kryetari socialist Fatos Nano priste që të propozohej nga kryetari aktual i PS në tryezën e djeshme. Përmes disa letrave dhe thirrjeve publike, Nano i ka kërkuar Ramës, Ruçit por dhe deputetëve socialistë që të mbështesnin kandidaturën e tij me firma dhe me votë në Parlament. Në asnjë rast Rama nuk i dha mbështetje kandidaturës së Nanos, dhe asnjëherë nuk u shpreh qartë se në çfarë kushtesh Nano mund të mbështetej prej tij, por e ka cilësuar atë pa lidhje me PS
Meta: Statusi i kandidatit s’rrezikohet nga Presidenti
Meta dje pas tryezës për Presidentin
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, hodhi poshtë pretendimet e liderit të PS-së, Edi Rama, se mosgjetja e konsensusit për Presidentin rrezikon për të tretin vit statusin e vendit kandidat. Në një prononcim për mediat në përfundim të takimit të mbrëmshëm, Meta tha se statusi pengohet nga lufta politike dhe jo nga emri i Artan Hoxhës. “Statusi nuk mund të rrezikohet për shkak të emrit, absolutisht. Aq më tepër ju siguroj për shkak të emrit të zotit Artan Hoxha. Nuk përbën asnjë rrezik për statusin, përkundrazi, përbën një mundësi me profilin e tij, me njohuritë e tij, me dijenitë e tij. Statusi është penguar dhe mund të pengohet nga fryma konfliktuale e politikës shqiptare. Dihet se cilat kanë qenë dhe janë 12 prioritetet. Dihet se cilat janë prioritetet kyçe që duhen përmbushur sa më shpejt. Është realizuar një proces. Ky proces nuk ka qenë perfekt, për këtë ne jemi të bindur, por absolutisht që ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ka qenë një proces tepër i debatueshëm”, u shpreh Meta.