Rama, Gjoni e Beqja dje gjate tryezes per sigurine dhe rendin
Kreu i PS paraqet programin për luftën kundër krimit dhe sigurinë në vend.
“Duhet riorganizim rrënjësor i Policisë së Shtetit”
Kreu socialist, Edi Rama, tha dje se shteti e ka humbur betejën me krimin. Gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga grupi i punës së programit për çështjet e rendit dhe sigurisë, Rama bëri një pasqyrë të situatës së rendit në vend. “Shifrat flasin në mënyrë të përmbledhur atë që të gjithë e shohim çikë pas çike, ditë për ditë: Shteti e ka humbur betejën me krimin, sepse jo vetëm policia ka rënë moralisht e profesionalisht, po edhe jeta shoqërore po degradon vijimësisht prej papunësisë dhe degradimit të të gjitha shërbimeve publike. Në një vend me një milion të papunë, ku Policia e Shtetit trajtohet si zyrë për të punësuar shërbëtorë të partive të qeverisë, kushërinj apo miq krahinorë dhe ende më keq, njerëz me precedentë penalë për fushata elektorale, nuk ka se si krimi të mos e vërë poshtë shtetin”, u shpreh Rama. Ai shprehu dhe vizionin e forcës që drejton se si mund të ndërhyhet në situatën aktuale. “Riorganizimi rrënjësor i Policisë së Shtetit dhe i të gjitha forcave të tjera të sigurisë së pasurisë publike mbi bazën e një reforme shumëplanëshe, është sot një emergjencë kombëtare. Kjo e bën detyrim prioritar tonin projektimin pa humbur kohë të kësaj reforme deri në detaje, si pjesë e programit tonë për një Rilindje Shqiptare”, u shpreh Rama. Sipas kreut të Partisë Socialiste, qasja e re e programit të ri të saj do të jetë një sjellje e re ndaj institucioneve. “Ne angazhohemi të qeverisim ndryshe. Kjo do të thotë se në radhë të parë do të sillemi ndryshe me Kushtetutën, me institucionet, me opozitën, me qytetarët e me komunitetet. Do të sillemi ndryshe me ligjin e me Drejtësinë, edhe nëse korrupsioni do të prekë këdo qoftë ndër përfaqësuesit tanë. Do të sillemi ndryshe pa asnjë dyshim edhe me krimin e me shkaqet e tij. Kjo është një luftë që sot po e fiton krimi, ndërsa nesër do ta fitojë shteti”, u shpreh Rama. Për kreun e opozitës, “nëse krimi është mirorganizuar, rritur, forcuar, sofistikuar në nivelet e veta të larta dhe përhapur me shpejtësi në nivelin e rrugës, ne do të riorganizojmë, rrisim, forcojmë dhe sofistikojmë në nivelin e duhur të gjitha forcat e rendit e të sigurisë publike për ta përballur e për ta zmbrapsur krimin”. Ai e akuzoi qeverinë se po ushqen një klimë të favorshme për krimin e organizuar.
“Qeveria duhet të jetë në ballë të luftës me krimin. Sot ajo e ka pranuar epërsinë e krimit dhe është bërë burim inkurajimi për krimin me sjelljen e vet të padenjë publike dhe me vendimmarrjen e vet të errët. Qeveria sot është bërë konkurrente e krimit në perceptimin publik, duke goditur haptazi Kushtetutën e ligjin përmes plumbave të nxjerrë nga pushkët e saj për të vrarë protestues opozitarë, përmes pengimit të dhunshëm të hetimeve me fshirje gjurmësh e kërcënime publike ndaj prokurores së Përgjithshme, përmes vjedhjeve të hatashme me zë e me figurë dhe përmes korruptimit spektakolar të proceseve gjyqësore ku është gjendur në bankën e të akuzuarit nga Prokuroria”, u shpreh Rama.
Pjerin Ndreu paraqet statistikat Ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, aktualisht kreu i PS-së së rrethit të Tiranës, Pjerin Ndreu, përmes tabelave që paraqiti me videoprojektor, shfaqi treguesit në rritje të krimit në vend. Duke filluar që nga viti 2005, kur maxhoranca aktuale fitoi zgjedhjet, sipas Ndreut, janë në rritje të gjitha shifrat që kanë të bëjnë me krimin, vrasjet, dëmtimin e pronës, sulmet me armë. Kriminaliteti vjetor, sipas statistikave të paraqitur nga 8250 raste në vitin 2005, ka shkuar në 17659 raste në vitin 2011, ndërsa vrasjet nga 94 raste në 2008-s, në 137 raste në 2011-n.
Ekspertët Tryeza e djeshme e organizuar nga grupi i punës për programin e PS-së për çështjet e sigurisë dhe rendit kishte mbledhur ekspertë dhe ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, apo Niko Brahimi, ishin disa nga ish-drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit të thirrur dje në tryezën e PS, me të cilët do të diskutohen të gjitha strategjitë se si duhet të organizohet dhe ringrihet Policia e Shtetit.
Ministria e Brendshme: Shqipëria, një nga vendet më të sigurta të BE
Reagimi pas deklaratës së kreut të PS: T’i jetë mirënjohës Policisë
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja
Menjëherë pas deklaratës së kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, sipas të cilit krimi në Shqipëri është kthyer në një makth, ka reaguar Ministria e Brendshme me një dalje publike të zëdhënësit Fatmir Konja. Duke deklaruar se Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Europë, madje për këtë Edi Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit. “Zoti Rama dhe Partia Socialiste duhet t’i jenë mirënjohës Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që i rikthyen dinjitetin dhe forcën e ligjit shtetit shqiptar pas asaj trashëgimie rrëqethëse që qeverisja e partisë së z. Rama i la imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh zëdhënësi Fatmir Konja. Sipas Ministrisë së Brendshme, Rama shpall emergjencë kombëtare për riorganizim të Policisë së Shtetit në një kohë kur të gjitha strukturat shtetërore janë të angazhuara për përballimin e emergjencës së shkaktuar nga reshjet e shumta të dëborës. “E meqë u shpreh se komunikimi dhe sjellja antisociale janë ushqimi bazë i kriminalitetit, kjo shpallje emergjence nga z. Rama, paralel me një emergjencë civile, është tamam një sjellje antisociale. Shqipëria sot është një nga vendet më të sigurta të Bashkimit Europian pikërisht falë mirorganizimit, punës, përkushtimit, aftësisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Niveli i krimit të vrasjes në Shqipëri, sipas Ministrisë së Brendshme, është nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ndërsa zbulueshmëria e këtij krimi në nivelet më të larta. Gjithashtu, zëdhënësi Konja theksoi se Policia e Shtetit sot vlerësohet si një partner i denjë dhe serioz i organizmave më të rëndësishëm policorë europianë dhe ndërkombëtarë falë arritjeve domethënëse dhe luftës pa kompromis kundër të gjitha veprimtarive kriminale. Gjithashtu, Ministria e Brendshme i kërkon kreut socialist Edi Rama që t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit që e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku qeniet njerëzore hidheshin të gjallë e mbyteshin në mes të detit nga trafikantët, miq të njerëzve me pushtet, në vendin që vizitohet nga 4 milionë turistë në vit. “Z. Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit që e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku kufiri dhe doganat kundërmonin vetëm era drogë, në vendin qytetarët e të cilit hyjnë e dalin pa viza për çdo hall e nevojë të tyre. Duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit, e cila e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku krerët e grupeve kriminale financonin emërimet e strukturave drejtuese të Policisë, në shtetin ku vetëm brenda një viti, mbi 120 mijë qytetarë, për shkak të besimit që kanë, i drejtohen policisë për ndihmë”, thuhet në deklaratën e Ministrisë. Po kështu, sipas zëdhënësit Konja, Rama duhet të fshijë nga kultura e tij politike urrejtjen ndaj Policisë së Shtetit pse ajo mbrojti institucionet, ligjin dhe rendin më 21 janar 2011 dhe bashkë me Partinë Socialiste duhet të kuptojnë se institucionet, rendi, Kushtetuta dhe Flamuri janë të përjetshëm për qytetarët.