Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e cilësoi të padrejtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor për zgjedhjet në Tiranë.Gjatë një deklarate dje në mesditë nga selia rozë, Rama tha se vendimi i Kolegjit ishte i turbullt dhe vuloste padrejtësinë e KQZ-së. “Dje ne nuk morëm drejtësinë që kërkuam. Dëgjuam një vendim të turbullt, ku duket se pranohen një pjesë e pretendimeve tona, por vuloset po ashtu padrejtësia që e degjeneroi procesin pas numërimit publik të votave që na nxori fitues. Kolegji s’pati kurajën të shohë në sy të gjithë të vërtetën, po njëkohësisht nuk mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të manipuluar të KQZ-së që nxori humbësin fitues dhe nuk pranoi ta vulosë atë”, u shpreh Rama. Ndërkohë burime pranë Kolegjit Zgjedhor pohuan dje se vendimi i marrë të hënën pak para mesnate ishte 3 me 2. Skeptik për zbatimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor nga ana e KQZ-së për rinumërimin e votave të kontestuara, Rama tha se PS do të vazhdojë betejën e saj ligjore. “Sot, procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sytë e të gjithëve dhe ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati jo vetëm me më shumë vota, sesa zgjedhës, por edhe me më shumë vota, sesa tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti. Ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë qysh në fillim. Do t’i shkojmë deri në fund rrugës së betejës ligjore, pavarësisht se në KQZ nuk presim asgjë tjetër përveç vazhdimit të kanibalizmit me votat e qytetarëve dhe me kutitë ku ata kanë votuar”, u shpreh Rama. Sipas tij, nëse fitorja e PS për kreun e Bashkisë së Tiranës mohohet nga KQZ, atëherë opozita do të përballet me qeverinë për të shpëtuar demokracinë dhe për ta larguar atë. “Grabitësit e dhunshëm të këtyre zgjedhjeve mund t’u shpëtojnë shumë gjërave dhe mund të dhunojnë hapur në ditën për diell edhe vetë aritmetikën për të vulosur si fitore një humbje që e pa dhe e di gjithë bota, po asnjëherë ky popull s’do t’i shohë ata si fituesit e 8 majit të shkuar në Tiranë. Ne fituam në fushën e garës dhe si fitimtarë në Tiranë e në të gjithë Shqipërinë, kemi të gjithë përgjegjësinë për të ndërtuar aksionin e mëtejshëm opozitar në funksion të shpëtimit të demokracisë, të çlirimit të drejtësisë, të rimëkëmbjes së ekonomisë. Ky proces i pashembullt paligjshmërish të vulosura me dhunë, që ka marrë peng frymën e gjithë vendit dhe ka humbur çdo integritet e besueshmëri, është një shembull kuptimplotë në sytë e të gjithëve, për domosdoshmërinë e largimit një orë e më parë të këtij pushteti”, u shpreh Rama.
Reagimi i PD
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Albana Mustafaraj, tha se sulmet e Ramës ndaj KQZ-së bëhen pasi votat e nxjerrin Ramën humbës në Tiranë. “Kryetari i Partisë Socialiste, që vetëm 4 ditë më parë sulmoi vendimin e KQZ-së me akuzën se ishin numëruar votat e hedhura gabim vetëm në 127 kuti dhe jo në të gjitha kutitë e tjera, sot, pas vendimit të Kolegjit, që vendosi të numërojë çdo votë të panumëruar që është hedhur gabim në kutitë e garave të tjera, ai i kthehet tezës së kanibalizmit”, u shpreh Mustafaraj.
Volfarth: Vendimi i Kolegjit, lajm i mirë dhe i drejtë
Vendimi i Kolegjit Zgjedhor për të verifikuar të gjitha votat e 8 majit për Bashkinë e Tiranës është konsideruar si një mundësi e mirë për të shqyrtuar të gjitha votat e qytetarëve. Këtë qëndrim, ambasadori i OSBE-së, Eugen Volfarth, e shprehu gjatë vizitës së tij dyditore në Korçë, ku pati një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti, Niko Peleshi. “Meqenëse Kolegji Zgjedhor vendosi të shqyrtojë kutitë e votimit, përshtypja ime e parë është se pas këtij vendimi nevojitet një trajtim i paanshëm i të gjitha votave të hedhura në këto kuti, dhe ky më duket një lajm i mirë dhe i drejtë”, deklaroi ambasadori i OSBE-së. Ambasadori i OSBE-së u kërkoi forcave politike të punojnë bashkë në Kuvend. “Inkurajoj forcat politike që të kthehen në Parlament dhe të bashkëpunojnë sepse është një shërbim i rëndësishëm për qytetarët e Shqipërisë”, u shpreh Volfarth.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











