TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama, duke akuzuar edhe njëherë Kolegjin Zgjedhor për dhënien e një vendimi të padrejtë për interes të pushtetit dhe per vonesen e pajustifikuar te zbardhjes se tij, ka theksuar se opozita do të vijojë betejën ligjore në ballafaqimin e radhës.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Rama ka thënë se ankimimi është i bazuar mbi prova faktike, tabela rezutatesh qendër për qendër, të nxjerra nga vetë KQZ pas futjes së duarve në proces kur numërimi ai kishte mbaruar.
“Një tepri fletësh votimi që janë të gjitha bashkë zëri i Saliut, jo i cdo qytetari. Nga dhënia ose jo e drejtësisë në këtë cështje varet tërësia e punëve të këtij vendi dhe mënyra se si do të zhvillohet jeta publike por edhe ajo e cdo shqiptari në këtë vend, pasi në rast se padrejtësia do të triumfojë atëherë padyshim që do të ishte shprehja e vulosjes së një procesi që e kthen padrejtësinë në sistem, duke e degraduar sistemin e drejtësisë në pikën që të mbetet thjesht një degë e shtrembër e pemës së kalbur të pushtetit”- ka thënë ai.
Sipas Ramës, deklaratët e ndërkombëtarëve shprehen qartë se në këtë proces është në lojë besueshmëria e shtetit shqiptar në sytë e ndërkombëtarëve. Për të nuk ka pikë dyshimi se edhe jeta e brendshme e vendit do karakterizohej nga një degradim i hapur i institucioneve, drejtësisë, ekonomisë, garancive për liri dhe të drejta të njerzve dhe vetë zgjedhjet e lira e të ndershme do të ishin akoma më larg në horizonin e besimit sa ishin para 8 majit.
“Ky nuk është një proces që përcakton me vulë gjykate fituesin e një gare, sa për garën ne e kemi fituar në sytë e miliona njerëzve dhe për sa na takon jemi dhe do të mbetemi fituesit edhe në rastin që vula e gjykatës dp të thotë të kundërtën, fjala është për shumë më tepër se kaq, kush do triumfojë në garën që zhvillohet mes padrejtësisë që ka kapur shtetin dhe drejtësisë që qëndron në themelet e kushtetutës”- tha Rama.
© Panorama.al











