Rama: Kolegji, jo frikë për drejtësi

Jul 6, 2011 | 10:09

Kryetari socialist, Edi Rama, akuzoi dje kryeministrin Berisha se po bën presion ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor. Një ditë para vendimit që pritet të marrë Kolegji, Rama u bëri thirrje gjyqtarëve që të vendosin drejtësi.“U them anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor: Mos kini frikë të jepni drejtësi! Ata që ju kanë vënë badigardë nga pas për t’ju vënë nën presion, duan t’ju ndajnë nga rruga e drejtësisë, duan t’ju detyrojnë të zgjidhni zgjedhën e pushtetit në vend të pushtetit të zgjedhësve, duan t’ju përdorin si mish për topin e gjyleve antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike, me të cilat hapin përditë gropa në rrugën e këtij populli drejt të ardhmes që meriton”, u shpreh Rama nga selia rozë. Sipas tij, gjykatësit duhet të vendosin drejtësinë e munguar në vend, ndërsa u shpreh i gatshëm të hyjë sërish në votim për Bashkinë e Tiranës. “Kolegji Zgjedhor nuk duhet të mbyllë sytë përpara fakteve e shifrave të një kanibalizmi elektoral që ndryshoi në tavolinë rezultatin e Tiranës. Tabela e rezultatit që rinxori forcërisht humbësin fitues, nuk është veçse prova ulëritëse e shkatërrimit të zgjedhjeve të grabitura në tavolinë. Është prova e pakundërshtueshme e pavlefshmërisë totale, që solli futja e duarve të Saliut në zgjedhjet e Tiranës, pasi numërimi botërisht i çdo vote e nxori humbës. Si fitimtarët e zgjedhjeve, por edhe në emër të interesit publik e kombëtar për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet në Shqipëri, përkundrazi, për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh dhe e rënduar edhe më shumë nga kriza e zgjedhjeve në Tiranë, ne jemi gati të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës”, tha Rama. Duke iu drejtuar anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, Rama tha se vendimi i drejtë i tyre do të vendoste një standard ligjor mes të drejtës dhe shkeljes së ligjit. “Ata që ju kanë vënë badigardë nga pas për t’ju vënë nën presion, duan t’ju ndajnë nga rruga e drejtësisë, duan t’ju detyrojnë të zgjidhni zgjedhën e pushtetit në vend të pushtetit të zgjedhësve, duan t’ju përdorin si mish për topin e gjyleve antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike, me të cilat hapin përditë gropa në rrugën e këtij populli drejt të ardhmes që meriton. Jini të sigurt se, duke e mundur nesër frikën me fuqinë e drejtësisë, ju do të çlironi jo vetëm veten përballë Kushtetutës e popullit sovran, po edhe do të shkruani një faqe shprese në rrugën e vetë drejtësisë”, tha Rama. Për kreun socialist, zgjidhja që do të japë Kolegji do të përcaktojë dhe të ardhmen e vendit. “S’ka asnjë dyshim që mënyra sesi do të zgjidhet kriza e zgjedhjeve, është për vendin tonë e ardhmërinë e tij, shumë herë më e rëndësishme sesa emri i kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Dua të rikujtoj sot se një vendim Kolegji haptazi i paligjshëm për zgjedhjet e qershorit 2009, u bë zanafilla e një historie të vështirë, të ngarkuar e të ngatërruar, me të gjitha kostot që vendi i pagoi mbajtjes në kurriz të pushtetit të votave të vjedhura”, u shpreh Rama në deklaratën e tij të djeshme.

4 kërkesa
depozitoi Partia Socialiste në Kolegjin Zgjedhor për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë, duke kërkuar rrëzimin e vendimeve të KQZ-së dhe kërkesa e fundit kërkon pavlefshmëri rezultati

PD: Në Tiranë vendosën qytetarët

Partia Demokratike reagoi dje menjëherë pas deklaratës së kryesocialistit. Kryesuesja e listës së këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Jorida Tabaku, i cilësoi deklaratat e Ramës si presione ndaj Kolegjit Zgjedhor. “Edhe sot z.Rama vazhdoi avazin e tij te vjetër. 24 orë para se Kolegji Zgjedhor të japë vendimin në lidhje me kërkesën që ai vetë ka bërë, z.Rama i kërkon gjyqtarëve të vendosin vetëm atë që ai vetë dëshiron”. “Ky presion i radhës ndaj institucioneve të pavarura është i papranueshëm dhe tregon qartë se është z.Rama që ka mbyllur veshët dhe sytë, duke humbur fillin me realitetin”.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura