
Fjala e kryetarit socialist, Edi Rama, ishte pjesa kryesore e mbledhjes së dje-shme të Asamblesë Kombëtare.Në fjalën e Ramës theksohej kërkesa që PS të dëshmojë se është një forcë ndryshe nga maxhoranca aktuale, e cila sipas tij duhet të përgatitet për sfidën e ardhshme elektorale. Rama tha se situata në të cilën ndodhet vendi nuk kërkon kundërshtime dhe revolta, që do ta dëmtonin të ardhmen e vendit. “Pas 8 majit, në kushtet e krijuara prej grabitjes forcërisht të fitores sonë në Tiranë, ka pasur natyrshëm reagime ekstreme, rrjetet sociale janë të mbushura me thirrje e ftesa për përmbysjen e Saliut me çdo mjet, si dhe me ankesa ndaj nesh. I mirëkuptoj të gjithë, çka po ndodh me zgjedhjet në Tiranë është më shumë sesa revoltuese. Por shumë pak, një fije, e ndan shprehjen e revoltës që e nxjerr vendin nga një krizë kaq e rëndë sa kjo, me shprehjen e revoltës që e zhyt vendin më keq në krizë. Ne duam ta nxjerrim Shqipërinë nga kriza dhe këtë mund ta bëjmë vetëm duke provuar në çdo hap se jemi një opozitë që revoltën ndaj së keqes e dëshmon si alternativë, jo si një forcë e verbër”, u shpreh Rama në fjalën e tij. Sipas tij, “njerëzit presin shumë prej nesh, shpesh-herë marrim prej tyre kritika në dukje të pamerituara, por në fakt shumë domethënëse për gjendjen e rëndë ku e ka zhytur vendin diktatura e faktit të kryer”. Kreu socialist tha se protestat do të vazhdojnë të mbeten mjeti demokratik i opozitës. “Kjo nuk do të thotë aspak se do të heqim dorë nga protestat e demonstratat për largimin e Saliut dhe rrëzimin e diktaturës së kusarisë. Përkundrazi, protestat dhe demonstratat do të jenë mjeti ynë i pandalshëm për shprehjen e revoltës popullore ndaj një regjimi që ka nxjerrë faqe gjithë botës të gjitha kthetrat e tij mbi votën, drejtësinë, ekonominë kombëtare. Por, në anën tjetër ne do të organizohemi si asnjëherë më parë për të komunikuar me shqiptarët idetë dhe programin tonë për Shqipërinë”, u shpreh Rama.
Zgjedhjet
Kryesocialisti tha dje se socialistët fituan në 8 maj në shumicën e njësive vendore, fitore që sipas tij ka ardhur dhe pas përpjekjeve dyvjeçare për transparencën. “Sot mblidhemi pas një fitoreje të madhe të zgjedhjeve të 8 majit në dy të tretat e territorit të vendit dhe ndërkohë që një farsë e madhe vazhdon për të grabitur fitoren tonë në Tiranë. Mblidhemi me frymën e një fitoreje elektorale që erdhi me përpjekje e mundime të mëdha në dy vite dhe me frymën e një shqetësimi të madh për të tatëpjetën ku po rrokulliset vendi, demokracia, drejtësia, ekonomia kombëtare e familjare e shqiptarëve”, u shpreh Rama. Sipas tij, lufta dyvjeçare e opozitës dha rezultatin e 8 majit. “Fitorja e 8 majit ishte rezultat i betejës dyvjeçare, që filloi me bojkotin e Parlamentit pas zgjedhjeve të vjedhura të qershorit 2009 dhe u përshkallëzua në rrugët e protestës demokratike, duke rritur dukshëm ndjeshmërinë shoqërore ndaj vlerës së votës. Pjesëmarrja e lartë, shumë e lartë për një raund zgjedhjesh vendore, ishte fryt i betejës dyvjeçare, falë së cilës arritëm edhe në Tiranë një të atillë pjesëmarrje të popullit opozitar, që frenoi stërfuqinë e organizuar kundër nesh për ta marrë fitoren me çdo kusht e mjet antiligjor”, u shpreh Rama.
Kongresi
Kryesocialisti lajmëroi dje se do të jetë kongresi i PS që do të përcaktojë strategjinë e të ardhmes së kësaj partie. “Në vjeshtë mblidhet kongresi zgjedhor i partisë, ku na duhet të dizenjojmë qartë rrugën e fitores së ardhshme për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë. Kjo është një kohë e vyer për të analizuar me qetësi çdo aspekt të funksionimit të partisë gjatë testit të 8 majit dhe përfshirë me largpamësi e kurajë në programin tonë organizativ, politik e qeverisës, gjithçka i duhet kësaj partie jo vetëm për të fituar zgjedhjet e ardhshme, po për të bërë me atë fitore punët që i duhen Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Takimet
Për kreun e selisë rozë, dy javët e ardhshme do të jenë intensive për të zgjedhurit e PS, të cilët sipas tij duhet të komunikojnë me bazën e saj. “Lejomëni t’ju propozoj që këto dy javë të jenë për të gjithë ne koha e një komunikimi intensiv me anëtarësinë e partisë në të gjithë territorin e vendit, për të lexuar së bashku me të gjithë vëmendjen e duhur, fitoren e 8 majit, arritjet e bukura dhe problematikën e një procesi që jo vetëm na nxori fitues, po na ka nxjerrë edhe të sfiduar për të hedhur një hap të ri përpara drejt fitores së ardhshme. Në 29 qershor, të rimblidhemi përsëri këtu për të marrë vendimet e duhura”, u shpreh kryesocialisti.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











