Rama-Idrizi, takim për President konsensual

May 10, 2012 | 13:33
Shpëtim Idrizi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u takua mesditën e djeshme në hotel “Sheraton” me kreun e PDIU-së, aleatin e PD-së në qeveri, Shpëtim Idrizi. Biseda e Ramës me aleatin e Berishës vjen pas letrës që kreu i PS-së u dërgoi kryetarëve të të gjitha partive parlamentare për të dialoguar për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Në përfundim të takimit Rama tha për mediat se nga mënyra se si do të zgjidhet kreu i shtetit, do të varet edhe statusi i vendit kandidat. “Dëshiroj ta përsëris: ne duam që të eksplorojmë çdo mundësi për të ndërtuar një proces dhe pastaj nga procesi të shkojmë tek emri, dhe jo anasjelltas. Qëllimi ynë është t’i përgjigjemi kësaj sfide madhore për Shqipërinë, sepse nga mënyra se si do të zgjedhim Presidentin e Republikës varet statusi i kandidatit, varet rrugëtimi ynë europian për institucione të pavarura dhe për garanci për aktivitetin e tyre kushtetues, varet dhe një garanci më shumë për palët me një President që në zgjedhjet e ardhshme do të jetë i paanshëm”, tha Rama. Sipas tij, “ne jemi angazhuar që të hapim dialog, dhe dialogu për çështje politike të një rëndësie madhore që nuk zgjidhen në një llogore apo një tjetër, bëhet me kundërshtarët. Në rast se ndërtohet një proces, s’ka dyshim se do të ketë edhe një emër. Në rast se nuk ndërtohet një proces, s’ka dyshim se rezultati do të jetë më i keqi i mundshëm dhe tërësisht i padëshirueshëm për fatet e vendit dhe për interesat e qytetarëve të këtij vendi në këtë moment historik. Sfida historike e integrimit kalon përmes zgjedhjes së Presidentit dhe të mos harrojmë që është 100-vjetori i Pavarësisë”. Ndërsa kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi se për forcën politike që ai drejton ka rëndësi që Presidenti i ri i vendit të zgjidhet me frymën e dialogut, të jetë konsensual dhe të shprehet qartë për çështjen çame. “Presidenti i ardhshëm të shprehet qartë për çështjen çame. Nuk folëm për emra, por për nevojën për dialog. Rëndësi ka që Presidenti të jetë gjithëpërfshirës. Person që e lexon dhe zbaton Kushtetutën”, tha ai. Idrizi shtoi se Presidenti i ri duhet të jetë “shprehje e unitetit kombëtar”.

© Panorama.al

Te lidhura