Rama “hyn në politikë”

May 9, 2012 | 11:48

AGIM BAÇI

Provokimi i maxhorancës disa javë më parë me një kandidat për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, siç ishte avokati i Mediut dhe Metës, Ardian Visha, shënoi hapin e parë ndryshe të komunikimit publik të kreut të PS-së, i cili për tri vite, në faktrovokimi i maxhorancës disa javë më parë me një kandidat për në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, siç ishte avokati i Mediut dhe Metës, Ardian Visha, shënoi hapin e parë ndryshe të komunikimit publik të kreut të PS-së, i cili për tri vite, në fakt , ishte rrotulluar brenda Twiter-it pa dhënë asnjë sinjal se kish mësuar nga humbjet politike. Por që nga ai moment, nga zyra e kreut të PS-së duket se kanë dalë sinjale të tjera që kanë shkaktuar pështjellim politik, një pështjellim që dje mori një hop të ri në takimin e kreut socialist me Ilir Metën.
Në raportin politik, në prag të zgjedhjes së Presidentit, një takim i tillë do të ishte një lexim normal. Por, nga mënyra se si kanë ardhur marrëdhëniet mes këtyre dy figurave në tri vitet e fundit, e sidomos pas lajmeve se ka pasur një takim edhe disa ditë më parë në shtëpinë e Metës në Gjirin e Lalëzit, natyrisht që debati për Presidentin e ardhshëm nuk arrin dot të mbysë “lajmin” e ritakimit të tyre.
Në fakt, takimin me domethënie jashtë bisedës për Presidentin e ka dekonspiruar vetë Rama me kërkesën e tij ndaj gazetarëve që të mos çuditen. E, në fakt, nëse do të ishte një takim vetëm për kreun e ardhshëm të shtetit, atëherë përse duhej të çuditeshim ne?
Por duket se edhe vetë Rama është i fokusuar te lajmi që do të prodhojë, ndaj edhe në qëndrimet e tij menjëherë pas takimit është fokusuar te kjo panoramë, duke treguar se po hyn në politikë, pavarësisht se nuk po i fsheh dot emocionet. Ndoshta me shumë të drejtë, duke qenë se po nis një erë ndryshimesh, Rama mund ta ketë plot me emocion, pasi duket se kështu mund të krijojë premisë për ardhjen në pushtet, duke pranuar më në fund se do të jetë i gatshëm ta ndajë pushtetin me kundërshtarët e tij. Dhe kjo, në fakt, e ka një parathënie po të kemi parasysh se PS ka hequr dorë prej kohësh nga akuzat ndaj përfaqësuesve të LSI-së, a thua se kishte një qëndrim nga organet hetimore se gjithçka që ishte thënë ndaj tyre ishte e pabazë.
Megjithatë, deri këtu jemi në gjysmën e fushës së politikës, pasi nuk kemi asnjë sinjal nga krahu i shefit të maxhorancës, i cili duhet thënë se në këto lojëra takimesh dhe dialogësh, ka qenë më spektakolar se sa kreu i PS-së.
Por, pavarësisht asaj që është debatuar, me takimin e një dite më parë me Metën, Rama ka hapur një sondazh për vetë PS-në dhe për maxhorancën, se si do ta presë një hap të tillë. Në këtë pikë, kreut të PS-së i nevojitet më së shumti të kuptojë atë që ndodh në PS, ku në jo pak raste, përmes qëndrimit individual, ka nxjerrë nga loja mjaft prej figurave historike që kanë treguar se janë me goxha ndikim në dhënien e votës. Gjithashtu, Ramës i duhet të shpjegojë edhe tërheqjen ndaj deklaratave të tij ekstreme se nuk ka ndër mend të bëjë asnjë aleancë me LSI-në.
Në këtë fjalëkryq politik duket se lapsi ka mbetur vërtet në dorë të Ramës. Por edhe varet se sa të ngatërruar ia ka dhënë kombinimin Berisha, i cili zor se nuk është në dijeni të lëvizjeve të kreut të LSI-së, për të cilin ai nuk ka ngurruar të mbajë qëndrime publike në mbështetje të “pafajësisë” në rastin kur është akuzuar, apo edhe në çështje të dëshirave të tij lidhur me emërimet në qeverisje.
Megjithatë, duhet të pranojmë se mbi Metën peshon “historia e majtë”, që e bashkuar me dëshirën e socialistëve për të ardhur në pushtet, mund të bëjë një pasqyrë të re të së ardhmes politike, sidomos tani që kjo maxhorancë po shkon drejt fundit të mandatit të dytë qeverisës.
Gjithsesi, me propozimet dhe takimet e fundit ne duhet më së pari t’i urojmë Ramës “hyrjen reale në politikë”. Më pas, fjalëkryqi i koalicioneve ka shumë punë për t’u plotësuar deri në zgjedhjet e ardhshme.

© Panorama.al

Te lidhura