Edi Rama duket se do të dojë ende kohë për të kuptuar se fituesi ka pak gjasa të gjykohet, ndërsa humbësit i shkërmoqen edhe ato pak fitore që mund të ketë arritur. Kështu, edhe nëse kreu i PS-së do të vijojë të mbrohet parimisht lidhur me qëndrimet e tij në dialogun me maxhorancën, përballë socialistëve ai do të vuajë hijen e humbjes. Kjo tashmë po bëhet si një gjyle e lidhur këmbëve.
Gjatë javëve të fundit Rama tregoi se jo vetëm që nuk arrin t’i kthejë tryezat me kundërshtarët në favor të lojës së tij politike, por ai nuk shfrytëzon dot as darkat miqësore, as potencialin politik brenda partisë së tij. Do të jetë e vështirë se si do t’ua shpjegojë socialistëve mungesën e një emri, ndërsa do të jetë edhe më në hall për të shpjeguar se ç’ndodh në dialogun e nisur me kreun e LSI-së kur ky i fundit u duk se ishte tërësisht në krah të Berishës, me të vetmin tolerim ndaj socialistëve – nëse kandidonin Fatos Nanon. Madje, futja në lojë e këtij të fundit, tashmë politikisht jo si kandidat për President, pritet të krijojë një furtunë jo të vogël po të kemi parasysh llojin e lojës dhe karizmën që ndjek ish-kryeministri përballë pasuesit të tij në krye të PS-së.
Ndërkaq, pas zgjedhjes së Nishanit në krye të shtetit, Berisha duket se do të nisë negociatat me të gjithë ata që Rama nuk ka mundur as t’u ofrojë e as t’i afrojë. Dhe të gjitha gjasat janë që në zgjedhje të shkohet me sistemin aktual, duke rikthyer kështu çdo votë të vlefshme, çka mund ta vërë në vështirësi serioze PS-në edhe pas dy mandatesh të PD-së në pushtet. Po t’i shtojmë kësaj politike të kreut aktual të maxhorancës edhe një konflikt që mund t’i krijojë Nano Edi Ramës me socialistët në mjaft zona, atëherë fjalëkryqi i zgjedhjeve të ardhshme do të jetë më shumë në dorë të zgjedhjes së Berishës, sesa Ramës.
Ndërkohë, nëse Rama do t’i kthehet një mundësie ofrimi të LSI-së, do të thotë se ndaj këtij të fundit do të ketë tolerime ekstreme duke falur zona pa fund. Kjo do të thotë se Ramës do t’i duhet të bëjë një tërheqje jo të vogël dhe t’u thotë lamtumirë fjalëve të deritanishme për parimet politike të mosfunksionimit me parti të cilat janë akuzuar apo të politikave të vjetra.
Është krejt e natyrshme që një pjesë e PS-së do të jetë gati për çdo aleancë që do t’i rikthente në pushtet. Aq më shumë vetë Rama, që e ka të lidhur fatin e tij politik me atë të rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Por, nëse Rama ka luajtur me idenë se zgjedhja e Nishanit është në dëm të PD-së, do të vërtetojë shpejt se do të jetë i gabuar, pasi historitë kanë treguar se diplomacitë punojnë me atë që zgjidhet nëse ka qenë konform Kushtetutës dhe pa cenime morale të procesit. Madje, aq më keq nëse Rama do të vijojë ta mbajë frontin politik të lidhur me qëndrimet e ndërkombëtarëve, pasi vërtet ata janë të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, por kurrsesi jo më të rëndësishëm se sa vetë shqiptarët për veten e tyre. Ne duhet të kuptojmë se jo vetëm mentaliteti ynë, por edhe ajo që na duhet, është më e rëndësishmja. Pikërisht këtë nuk ka ditur të lexojë Rama. Nuk diti ta lexojë as kur nuk i dëgjonte për t’u futur në Parlament, e nuk di as t’i dëgjojë aq sa duhet tani që ata janë kritikë për ndonjë qëndrim të maxhorancës. Këtë lojë duket se e ka njohur shumë më herët Berisha, i cili, për aq kohë sa nuk zihet në befasi nga Rama, do të vijojë të qëndrojë i qetë në lojën e tij politike.
Pas kësaj humbjeje politike, Ramës do të nisë t’i hapet e shkuara në krye të PS-së. Dhe lexuesi nuk do të jetë një dosido, por Nano, i cili është ende lojtar për aq sa duket se di të shfaqet, se e duan një pjesë e elektoratit që është rritur me të e prej tij.
E vetmja shpresë e socialistëve mbetet që Rama të ketë qenë i vetëdijshëm, madje dakord me zgjedhjen e Nishanit. Kjo të paktën do ta mbante në lojë jo si një humbës pa fund. Dhe duke qenë se kundërshtimi i tij për çdo kandidat nga PS ka qenë i prerë, nuk ka pse të mos mendohet versioni që qarkullon se ai e dinte se si do të ndodhte…
© Panorama.al












