Rama: Hap mbrapa i Metës nëse voton President me PD, pse s’e kandidojmë Nanon

Jun 6, 2012 | 12:50
Edi Rama

Kreu i PS: Nuk e kandidojmë Nanon sepse duam President konsensual.

“Kreu i LSI, rol të çmuar që Berisha hoqi dorë nga Topalli”

Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi dje në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, në Ora News, se kreu i LSI-së, Ilir Meta, bëri një hap të rëndësishëm në bindjen e Kryeministrit Berisha për të hequr dorë nga kandidatura e Jozefina Topallit për Presidentin.
Por për Ramën, nëse Meta do të votojë një President me 71 vota, ai do të bëjë një hap mbrapa. Kreu i opozitës ka folur edhe për takimin me Kryeministrin Berisha dhe arsyet pse nuk e kandidon PS-ja Fatos Nanon për President.
Përse opozita nuk propozon emrat e saj në procesin e zgjedhjes së Presidentit?
Ne jemi pakica, ne nuk pretendojmë të vendosim Presidentin duke ia imponuar shumicës. Ne nuk mendojmë se futja në një lojë emrash, në kushtet kur kemi thënë hapur nuk japim konsensus për një kandidat që sot është shpallur nga qeveria, na jep rezultat. Përkundrazi, e ngatërron më shumë fillin, sepse nga ana e qeverisë nuk mund të pranohet që kandidati të jetë i pakicës. Ne jemi të disponueshëm të japim emra nëse paraprakisht vendosim dy gjëra; e para, që do ta zgjidhim me konsensus dhe s’do vazhdojmë të humbasim kohë me planin B që shkon me 71 dhe e dyta, do të përcaktojmë këtë modalitet dhe këtë kornizë e më pas ne do japim kontributin tonë. Ne presim që qeveria të na japë mundësinë të ofrojmë konsensus duke e zgjeruar gamën e ofertës së vet dhe duke mos mbajtur një kandidat të vetëm si të vetmen mundësi që ne kemi për të dhënë konsensus. Vetëm në këtë moment ne mund të negociojmë me maxhorancën për të rritur cilësinë e ofertës.
Ne kërkojmë të gjejmë zgjidhje dhe jo spektakël në kurriz të popullit. I kemi hyrë një procesi për të zgjedhur një President bashkërisht. Nëse qeveria e kushtëzon procesin me një kandidaturë, do të pranojë edhe vetë Papën nëse ne ia vëmë përballë, kjo është e pamundur. Ne nuk vihemi në pozitë të vështirë dhe s’duam të vëmë në pozitë të vështirë edhe palën tjetër.
Por pala tjetër u tërhoq nga një kandidat nga politika? Mos duhet që zoti Berisha të zgjedhë kandidatin tuaj?
Absolutisht jo. Kjo është arsyeja pse nuk hyjmë në lojën e emrave, sepse nuk duam të zgjidhet një kandidat yni. Ne nuk duam të zgjedhim një kandidaturë të njëanshme. Është e vërtetë që është hedhur një gjysmë hapi, duke ikur nga marrëzia e skalitjes së një figure politike si kryetarja e Parlamentit, por ama ky mbetet një gjysmë hapi. Që të bëhet hap i plotë, duhet që opozitës t’i vendoset përpara një ofertë më e gjerë sesa një emër. Nuk mund të japim konsensus për këtë kandidat, kjo është e mbyllur. Unë uroj që qeveria dhe Kryeministri të reflektojnë jo në funksion të ndonjë teke tonës, por të reflektojë që mes Zaganjorit dhe konsensusit të zgjedhë konsensusin për fatin europian të Shqipërisë.
A ka emra që po negocioni me ato dritaret tuaja të hapura, qoftë me zotin Berisha apo Meta?
Jo nuk ka emra që po negociojmë, sepse qeveria po kërkon të imponojë kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. Ne s’mund ta pranojmë sepse është e njëanshme dhe s’krijon as konsensus dhe as kushte për konsensus.
Po negocioni me mikun tuaj, mund ta them, të rigjetur Ilir Meta?
Ju mund ta thoni si të doni, por nuk është e thënë se po thoni të vërtetën. Është një këndvështrim. Gjërat janë shumë të qarta dhe ne thjesht jemi në pritje të ulemi në çdo moment, në çfarëdo formati, dhe në një format edhe më të gjerë për t’i dhënë zgjidhje kësaj problematike.
A keni një marrëveshje të shkruar me Metën për zgjedhjen e Presidentit?
Ne kemi bërë një bisedë shumë të hapur për të gjitha gjërat që po flasim tani dhe e përsëris edhe një herë, unë nuk mund të pranoj të gjitha fantazitë dhe të gjitha spekulimet sepse nuk është detyra ime ta bëj një gjë të tillë. Kryetari i LSI-së është kryetari i partisë së dytë në qeveri dhe ne jemi në opozitë me PD, LSI dhe gjithë të tjerët që janë në qeveri. Për një proces të tillë flitet me kundërshtarët dhe konsensusi bëhet me kundërshtarët, nuk bëhet siç e bëri Kryeministri me aleatët. Ai është dakord me një konsensus të brendshëm, por ajo që do kisha bërë unë po të isha Kryeministër, do ishte një konsensus i brendshëm për një proces dhe disa modalitete që t’i ofroheshin opozitës dhe pastaj të vinim te emrat. Ja ku ngecëm këtu dhe nga një kandidat për konsensus, Zaganjori është bërë një pengesë për realizimin e konsensusit. Nuk është personale për të, sepse ai gjendet në këtë mes i ftuar, jo se ka ardhur siç mund të kishte ardhur Jozefina.
Pse hoqët dorë nga kandidimi i Meidanit?
Nuk është folur asnjëherë për të.
Nëse në raundin e katërt do të kemi një President me votat e PD dhe LSI, do të ndryshojë opinioni juaj për rolin e Metës gjatë këtij procesi apo do të mbetet i njëjti? Pyetja e dytë është për lëvizjen Nano, i cili ka paralajmëruar se do konkurrojë në vitin 2013 nëse nuk zgjidhet President. A do të bëni koalicion me këtë parti?
Pyetja e dytë nuk është pyetje për mua, por për Nanon. Sa i takon opinionit tim për kontributin e kreut të LSI, nëse LSI do të votojë një President me PD me 71 vota, a do ndryshojë opinioni im? Jo. Opinioni im është që kryetari i LSI luajti një rol të çmuar për të ndihmuar bashkë me të tjerët, bashkë me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, bashkë me opinionin publik në spostimin e shumicës nga llogorja ku shumica qëndroi për 1 vit rresht dhe ku gjithë Shqipëria shikonte hijen e Jozefina Topallit. Por në rast se do të ndodhë ajo që spekuloi për hir të pyetjes gazetari, sigurisht që opinioni im do të jetë që në fazën e parë pati një rol të çmuar, në fazën e dytë nuk e pati dhe fatkeqësisht shembi me duart e tij një përpjekje që e nisi dhe që çoi në gjysmë hapi, tani duhet të bëjmë gjysmën tjetër të hapit. Faktikisht është një pozicion që është bërë një gjysmë hapi dhe tani ose duhet bërë hapi i plotë, ose hapi tjetër pastaj do të bëhet mbrapsht dhe praktikisht rezultati nuk do të jetë ai që dëshirojmë jo ne, se ne nuk duam që të kemi një President tonin dhe as nuk kemi ndonjë tendencë apo prapamendim për të imponuar Presidentin, por i dëshiruar nga partnerët ndërkombëtarë.
Pse nuk e kandidoni Fatos Nanon për President nga PS?
Në gjithë këtë intervistë, ju dhashë të gjitha arsyet pse ne sot ende nuk e kemi një President. Dhe pse ne e konsiderojmë jo serioze dhe aspak të dobishme që t’i thuhet opozitës që tani na jep ti një emër se ne e kemi emrin tonë.
Çfarë keni biseduar me zotin Nano në zyrën tuaj?
Është në deklaratën publike që kam bërë, mund ta lexoni pas emisionit.
Zakonisht në deklarata nuk thuhet gjithçka nga ato që bisedohen brenda takimeve…
Ato që kam shkruar në deklaratën publike, janë thënë.
A ju paralajmëroi, a ju bëri me dije zoti Nano për takimin me ju se kishte synimin të krijonte një parti politike në zgjedhjet e 2013-s, nëse ju nuk e kandidoni për postin e Presidentit?
Jo.
Po në qoftë se do jua kishte bërë publike, do kishit ndërruar qëndrim?
Jo.
Mos po merrni një risk të madh për PS-në, për zgjedhjet e 2009-s duke mos kandiduar zotin Nano?
Po kjo nuk është beteja e Partisë Socialiste dhe nuk po zgjedhim këtu diçka apo dikë, apo nuk jemi në këtë proces për të zgjidhur hallet e Partisë Socialiste. Jemi në këtë proces për t’i dhënë vendit një President konsensual dhe për këtë arsye kemi thënë që procesi është i rëndësishëm, dialogu është i domosdoshëm, modalitetet janë me shumë rëndësi dhe pastaj emri. Kështu që të gjitha këto janë gjëra shumë anësore në raport me interesin e shqiptarëve. Shqiptarët duan të hyjnë në BE. Shqiptarët meritojnë të jetojnë në një vend europian, dhe shqiptarëve politika i ka për detyrë që e para qeveria dhe opozita një herë pas saj për shkak të nivelit të përgjegjësisë t’u japë statusin e vendit kandidat në BE. Kurse këto ngjarje që prodhohen nga rrethanat, janë krejt dytësore.
Po pse e paragjykoni, se zoti Nano mund të jetë një kandidat konsensual dhe zoti Berisha mund t’ia japë votat?
Unë paragjykoj asgjë. Unë po ju them që në duam të krijojmë kushtet për konsensus dhe kushtet për konsensus nuk janë. dhe këto pyetje nuk kanë asnjë lidhje me thelbin e problemit dhe me zgjidhjen e problemit.

© Panorama.al

Te lidhura