Milaim Rama nuk kishte kohë të festonte me shokët e skuadrës së Thunit
kalimin në turin e tretë eliminator të Ligës së Europës. Ai po ngushëllonte futbollistët shqiptarë të Vllaznisë që ishin fare pranë kualifikimit, por falë një goli të Ramës në minutën e 89-të dhe një tjetër të Luthit, shokut të tij të
skuadrës, në minutën e 92-të i eliminuan shqiptarët. Sulmuesit kosovar, Milaim Rama, i vjen keq që i ra “shorti” të eliminojë shkodranët, ndonëse luajti vetëm në 20 minutat e fundit të lojës. “Nuk kam bërë gjumë të rehatshëm gjithë natën. Madje, të them të drejtën, thuajse nuk fjeta fare.
Në njërën anë ishte kënaqësi që të kualifikohemi si klub në turin tjetër, por nga ana tjetër ndihesha në faj. Më dukej sikur ishte faji im që u eliminuan”, ka thënë Rama të premten për “Kohën Ditore”. Vllaznia po kryesonte me
golin e Xhevahir Sukajt (14′) deri në minutën e 89-të, kur në skenë doli kosovari i Thunit, Rama. Ai shënoi për të barazuar shifrat, ndërkohë që shpresat e Vllaznisë u shuan përfundimisht në minutën e 92-të, kur Benjamin
Luthi shënoi golin e dytë dhe të fitores. Ndeshja e parë në Shkodër u mbyll pa gola. Ish-futbollisti i Zvicrës, Rama, tregon se nuk është gëzuar në mënyrën siç di ai kur shënoi golin. Kjo pasi ndien respekt për bashkëkombësit.
Ai tregon se do të mbajë mend gjatë skenat e pasndeshjes, kur futbollistët e Vllaznisë u shtrinë në tokë nga dëshpërimi. Rama disa prej tyre u mundua
t’i ngushëllojë. “Pas lojës i përqafova të gjithë futbollistët e Vllaznisë,
sepse më erdhi jashtëzakonisht keq kur i pashë të shtrirë në fushë. Por, shpresoj që këtë humbje ta pranojnë si profesionistë dhe ta kuptojnë që futbolli është kështu siç është. Të bën edhe të emocionohesh kur luan përballë një ekipi shqiptar. Por, në fushë ne jemi kundërshtarë, kurse jashtë saj ne dimë të respektojmë njëritjetrin”, ka shtuar Rama. Sulmuesi
35-vjeçar shpreson që eliminimi i Vllaznisë të mos ua thyejë zemrat futbollistëve, stafit dhe tifozëve. Por, kjo thyerje ishte evidente. “Nuk e
njoha se cili ishte, por një zyrtar i klubit të Vllaznisë pas lojës më tha ‘na mbyte Milaim’. Unë në atë moment u ndjeva keq, nuk arrita të them
asnjë fjalë. Nuk dija se çfarë përgjigjeje t’i jepja”, ka deklaruar Rama. Vllaznia kishte kualitet dhe e prisnim një përballje kaq të fortë. Shkodra gjithmonë ka pasur traditë në futboll. Por, mendoj se ata e ulën vigjilencën dhe na nënvlerësuan pikërisht atëherë kur duhej të bënin të kundërtën”. Sulmuesi i lindur në Viti të Kosovës ka folur edhe për ndeshjen e radhës që Thuni e
zhvillon pas një jave në turin e tretë eliminator kundër skuadrës italiane Palermo. Ai shpreson që në ndeshjen e parë që do të luhet në Itali, skuadra të nxjerrë një rezultat pozitiv. “Është pozitive që sërish do të luajmë jashtë Zvicrës në ndeshjen e parë dhe kështu pas dy javëve neve na mundëson që t’i përmirësojmë gabimet dhe do ta dimë saktë se çfarë duhet të bëjmë. Palermo
është ndryshe nga Vllaznia, pasi është skuadër e madhe dhe ka lojtarë shumë
të fortë”, ka shtuar Rama. Palermo është skuadër më e fortë, por befasitë ndodhin. “Thuni ka ditur të bëjë gjithmonë befasi dhe shpresoj që kështu do të jetë edhe kundër Palermos”, shtoi ai.











