Rama gjen problemin e papunësisë: Duan punë duke qëndruar në kafe. Nga projekti “asnjë polic në rrugë” tek historia e “targave me çip”

Mar 20, 2021 | 8:45
SHPËRNDAJE

Për Kryeministrin Edi Rama, tani Shqipëria është lideri i padiskutueshëm në rajon për qeverisjen dixhitale dhe shërbimet e ofruara online nga “bishti i kavallit” që ishte para 7 vitesh.

Kreu i qeverisë ka folur dje për programin e Partisë Socialiste për shërbimet për qytetarët dhe biznesin në katër vitet e ardhshme, duke u shprehur se revolucioni dixhital i ndryshuar rrënjësisht do të vazhdojë.

“Kujtohuni, kujtohuni se në sa shumë radhë iu është dashur të qëndroni, pavarësisht moshës që nga nxënësit e maturës për të shkuar në universitet, te pensionistët në moshën më të thyer për të marrë një vërtetim pensioni.

Sa shumë radhë keni bërë për çdo copë letër dhe sa herë, sa shpesh në ato radhët e bëra iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, me fytyrën fyese, poshtëruese të shtetit kur iu është thënë: ‘Ik, hajde nesër’, ‘Ik, s’kam mundësi sot’, ‘Ik, ik, kthehu, kthehu’. 1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh. 95% janë sot, por shikoni çfarë ndryshimi. Kur ne e kemi filluar revolucionin dixhital kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime.

Çfarë janë 51 mijë aplikime për shërbime kryesisht të pamarra asokohe, aplikime të mbetura në icloud në krahasim me 7.7 milionë aplikime të bëra në vitin 2020 me përgjigje të marrë. Shqipëria sot, jo se e them unë, jo se e themi ne, por në bazë të raporteve të organizatave më prestigjioze, OKB, DASH dhe BE, është lider në qeverisjen dixhitale në rajon, ndërkohë ishte bishti i kavallit 7 vite më parë.

Më e rëndësishmja akoma: për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon, duhet akoma. Ky është revolucion i çuarjes së tepsisë për skrap në raportin shtetqytetar. Ky është revolucioni që nuk bëhej dot deri në fund me të tjerë në prehër. Revolucioni vazhdon”.

SHËRBIMET NGA SMARTPHONE

Kryeministri premtoi se në mandatin e tretë të gjitha shërbimet shtetërore do të jenë në xhepin e qytetarëve, ku do mund të kontrollohen nëpërmjet smartphon-ave personalë.

“Mandati i tretë do ta transferojë këtë vend, ku shteti është në xhepin e qytetarit. Jo për t’i marrë nga xhepi, por për të marrë nga xhepi i tij kërkesën dhe për ta kthyer kërkesën në dokument të plotësuar fakt në smartphone-n e tij, për qytetarin dhe biznesin. Për të riun e të moshuarin, të madhin e të voglin, student e fermer.

Sot që flasin janë 4 milionë e 185 mijë aplikime që janë bërë dhe kanë marrë përgjigje për shërbime, e janë bërë pa kontakt fizik me askënd, pa mundësi zgjatjeje dore për të marrë lekë dhe tërheqje dore me lekët e marra bakshish.

Me një ndalesë të vetme, biznesi kryen të gjithë ciklin që i duhet në raportin me shtetin. Deri dje marrëdhëniet biznes-shet ishin një karvan kontaktesh e dokumentesh. Sot janë 1 milion e 187 mijë biznese dhe qytetarë të shërbyer drejtpërdrejtë në lidhje me shërbimet që janë bërë.

TRAFIKU

Kryeministri Edi Rama tha dje se gjatë mandatit të tretë të tij shqiptarët nuk do të shohin më policë në rrugët e vendit. Sipas kreut të qeverisë, projekti për largimin e policëve nga rruga ka nisur, pasi një sistem i ri online për monitorimin e trafikut ka filluar dhe do të ngrihet posaçërisht për policët rrugorë dhe drejtuesit e mjeteve.

Kryeministri Rama ka garantuar qytetarët se në 4 vitet e ardhshme nuk do të ketë më policë rrugëve të Shqipërisë, por gjithçka do të kalohet online nga gjobat, verifikimet e taksat e palikuiduara, ndërsa Policia do në terren vetëm kur duhet në raste aksidentesh apo urgjencash.

“Gjobat, komisionet, ankesat dhe radhët janë drejt fundit. Po merr fund. Do ketë sistem, që ka filluar, por do kompletohet në mandatin e tretë, s’ke më lidhje. Gjithçka online. Jo vetëm për policët, po për çdo qytetar, do të jetë online.

Polici në kohë reale verifikon targa, taksat e palikuiduara, gjobat. Cilido që merr gjobë, s’ka pse shkon në radhë. Sot që flasim ka ndodhur, është fakt për mbi 15 mijë për masa administrative. Organet e Policisë kanë ndjekur pretendimin online, pa ato tmerret. Por me përfshirjen në sistem të monitorimit të trafikut, s’do shihni më policë në rrugë. Do vijë vetëm kur duhet, në rrugë.

Nuk do të jetë më duke pritur e përcjellë. Duke ndaluar e duke lëshuar. Gjithçka online. Shërbimet e transportit janë faqe krejt e re. Ende nuk ka përfunduar. Ende procesi i brendshëm, që është automatizuar për aplikimet online, për procedurat, për dosjet fizike, për të parë nëse ekziston një leje drejtimi direkt aty me një klikim. Jemi në kushtet kur në këtë fushë mund të plotësojmë gjithë kuadrin brenda mandatit të tretë. Sot kemi vizën elektronike, për ata që duan të vijnë të vizitojnë Shqipërinë. Për ata që duan të marrin punëtorë të huaj”, tha Kryeministri Rama.

edi rama7

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura