
Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje sot aleatëve të tij që të bashkohen në një koalicion të plotë, antiregjim, nën vizionin dhe idetë e programit “Për një Rilindje Shqiptare”.
Në fjalën e tij para grupit parlamentarë të Partisë Socialiste, Rama tha se PS ka qenë dhe është për rishikim të sistemit zgjedhor, por shtoi se, “kemi thënë dhe i kemi qëndruar deri në fund asaj që e kemi thënë qysh në fillim se nuk do të kushtëzojmë procesin e rishikimit të kodit me sistemin.”
“Tani është koha për të arsyetuar së bashku me aleatët tanë dhe të gjithë aleatët e tjerë potencialë, një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive dhe për të dalë në fushën e betejës me një koalicion të plotë, antiregjim dhe mbi të gjitha me një koalicion i cili të përçojë në të gjithë Shqipërinë vizionin dhe idetë e programit tonë “Për një Rilindje Shqiptare”. Programi ynë “Për një Rilindje Shqiptare” është graviteti i koalicioni që ne duam dhe do të ndërtojmë. Çdo forcë politike që është e gatshme të bashkohet me ne mbi këtë program është e mirëpritur. Dhe beteja jonë do të zhvillohet mbi programin “Për një Rilindje Shqiptare” dhe për programin “Për një Rilindje Shqiptare”.”- tha Rama.
Rama theksoi se është i hapur për të dëgjuar aleatët dhe për të gjetur me të gjithë rrugët e një bashkëpunimi, që i vendos të gjithë në pozita sa më të favorshme për të bërë betejën e tyre.
Rama në mbledhjen e grupit parlamentar theksoi fort se opozita do ta japë votën për ndryshimin e Kushtetutës për kufizimin e imunitetit, por më parë të realizohet një proces publik, transparent, gjithëpërfshirës.
Lideri i opozitës i kërkoi të parit të palës tjetër që përpara se sa të kërkojë votë të PS për imunitetet, kryeministri të bëjë transparencë për cënimin e imunitetit të kundërshtarëve politikë përmes përgjimeve të paligjshme të njësisë speciale të përgjimit të ngritur në Ministrinë e Mbrojtjes. Përgjimin e paligjshëm të deputetëve dhe të diplomatëve, Kryetari Rama e vlerësoi si një veprimtari mirëfilli kriminale.
© Panorama.al











