Rama: Fati i padisë përcakton fatin e punëve të vendit

Jun 9, 2011 | 10:38

Kryesocialisti përsëriti dje apelin e tij ndaj Kolegjit Zgjedhor lidhur me vendimin që pritet t’i japë kërkesës së PS-së. Rama tha dje gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, se nga fati i këtij vendimi do të varet dhe e ardhmja e punëve të vendit.Rama u shpreh dakord për shmangien e dhunës, por e akuzoi kryeministrin Berisha se është ai që po ushtron dhunë përmes kapjes së institucioneve të pavarura dhe mosdhënies së drejtësisë.
Pse e lidhni fatin e fitores apo të humbjes suaj me fatin e vendit? A është një presion ky ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor?
Unë po nënvizoj me shumë qartësi që këtu s’bëhet fjalë për faktin se si do të jetë rezultati i një gare. Këtu bëhet fjalë për një rast flagrant, për një shkelje të hapur, spektakolare të ligjit, Kushtetutës dhe të drejtës së qytetarëve për të votuar lirisht dhe për ta parë votën e tyre të numëruar ndershmërisht. Këtu bëhet fjalë për një sfidë të hapur që Saliu dhe pushteti i vjedhur i tij u bëjnë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, i bëjnë Drejtësisë, i bëjnë komunitetit ndërkombëtar si një komunitet standardesh e parimesh që s’kanë asgjë të përbashkët me standardet e parimet që po e përcaktojnë fizionominë e këtij procesi dhe, pa dyshim, tek e fundit, me vullnetin e mbrapshtë për të vulosur jo rezultatin e një gare, por një projekt që nuk përputhet asgjëkund me projektin e Shqipërisë europiane.
Kur flisni për përpjekje të palodhura ligjore, kjo do të thotë se ankimimi juaj do të shkojë përtej Kolegjit, edhe në Gjykatën Kushtetuese, apo dhe në Strasburg?
Hapi i radhës është ballafaqimi në Kolegjin Zgjedhor me të gjitha të drejtat dhe mundësitë evidente, që në këtë rast na e jep Kushtetuta, na e jep Kodi Zgjedhor, na e jep jurisprudenca e gjykatave të mëdha ndërkombëtare e të vendeve të mëdha demokratike, që është shumë e qartë në këtë pikë.
Duke pasur parasysh situatën aktuale, e jemi në momentin kur e vetmja zgjidhje mbetet opinioni i Komisionit të Venecias?
Unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur dhe në mënyrë të përsëritur e kanë shprehur edhe miq e partnerë ndërkombëtarë të Shqipërisë edhe dje, opinioni i Departamentit të Shtetit ishte se kjo mund të ishte një zgjidhje e mirë. Problemi këtu nuk është as opozita, as komuniteti ndërkombëtar. Nuk është as vetë Kolegji në këtë rast. Është Saliu. Saliu e refuzon marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias, sepse, siç e di dhe Saliu, nuk ka gjykatës dhe ekspert normal të së drejtës që të mund të pranojë se ajo që ka ndodhur në KQZ pas kushtrimit të Saliut për të filluar një proces kur mbaroi numërimi, është diçka jo e ligjshme, por as e gëlltitshme logjikisht. Ne mbetemi shumë të interesuar, e përsëris, jo thjesht për rezultatin e këtij procesi në kuptimin e një gare, sepse gara ka mbaruar kur ka mbaruar numërimi i votave në sytë e të gjithë shqiptarëve, por për fatet e vendit dhe, mbi të gjitha, për fatin e Drejtësisë në këtë vend që të ketë një asistencë ndërkombëtare, Komisioni Venecias apo çfarëdo qoftë. Të bindur se në këtë mënyrë mund të vendoset një pikë referimi e pranuar nga të gjithë. Ne e kemi pranuar. Propozimi, fillimisht madje, është bërë nga një përfaqësues i Partisë Popullore Europiane, z.Kukan, dhe pa asnjë dyshim është një propozim shumë racional dhe shumë bindës për t’iu dhënë të gjithëve, edhe opinionit publik shqiptar, edhe opinionit publik ndërkombëtar të interesuar për këtë çështje, sigurisht, një opinion të bazuar jo te frika, jo te koniunkturat e brendshme të vendit, jo te presionet dhe te kërcënimet që i bëhen Gjykatës, por te objektiviteti që ka qartazi kjo çështje. Është një nga çështjet ku s’ka asnjë hije dyshimi se nga qëndron e drejta. Nuk mund dot të ndryshosh rregullat e lojës kur loja ka mbaruar. Dhe ta rifillosh lojën nga e para, ashtu siç e rifilluan zotërinjtë e pushtetit, duke shkatërruar praktikisht edhe procesin që e ndërtuan vetë, sepse në fund kanë prodhuar tabela rezultatesh që e bëjnë jo vetëm shumë të hapur manipulimin, por edhe shumë qesharak gjithë këtë vend, fatkeqësisht.
Deri në çfarë shkalle mund të arrijë reagimi i opozitës nëse Kolegji, ditën e hënë, ashtu siç është një nga mundësitë, do të rrëzojë kërkesë-padisë së PS-së? Do të kemi sërish protesta në rrugë?
Kjo është një padi që, më lejoni t’jua them shumë sinqerisht, është e PS-së, por përditë e më pak është e Partisë Socialiste. Kjo është një padi, fati i së cilës, jua përsëris, do të përcaktojë fatin e punëve të vendit. Nuk mundet dot komuniteti ndërkombëtar, nuk mundet dot Bashkimi Europian ta gëlltisë çorbën që gatoi Saliu me Ristanin. Është e pamundur. Nuk mundet dot Bashkimi Europian të pranojë se në një vend që troket në derën e tij për t’u bërë kandidat, zgjedhjet të kthehen në një maskaradë të kësaj natyre. Që nuk është as maskaradë, por është kanibalizëm zgjedhor. Për më tepër, ju e kuptoni që të gjithë shumë mirë që nga mënyra se si do të zgjidhet kjo çështje, nuk varet thjesht rezultati, por varet shumëçka tjetër. A e keni të vështirë ta parafytyroni për një moment se si do të gjendet çdo qytetar i këtij vendi në dyert e sistemit të Drejtësisë pas kësaj, sikur Drejtësia të bëjë një padrejtësi kaq të madhe mbi opozitën apo vendin?! Në rastin kur Drejtësia do të ishte në gjendje t’i bënte një padrejtësi kaq të madhe, kaq të hapur, kaq flagrante opozitës së vendit, merreni me mend se sa më të lehtë do ta kishte pastaj për të bërë padrejtësi të çfarëdolloj natyre mbi qytetarët e zakonshëm të këtij vend! Çështjet që trajton Drejtësia ndodh shpesh që të kenë efekte të drejtpërdrejta, jo thjesht për çështjen në vetvete, por për mënyrën se si trajtohen dhe zgjidhen çështje të tëra me radhë, duke ndërtuar një precedent. Precedentët luajnë një rol themelor në mënyrën si vepron Drejtësia dhe precedentët e kësaj natyre janë mina në themelet e sistemit të Drejtësisë së një vendi, në rast se do të kishim të bënim me një precedent negativ.
Në letrën tuaj të hapur dje thoni se nëse do të rrëzohet e drejta juaj, do të kemi një rritje të konfliktit politik. Çfarë do të thotë kjo?
Një vendim i padrejtë në çështjen në fjalë do të thellonte pa asnjë dyshim konfliktin politik, sepse është e qartë që, pas gjithë kësaj padrejtësie që i bëhet opozitës, qëndron politika, qëndron vetë Saliu. Ashtu sikundër do të thellonte plagën e sistemit të Drejtësisë, plagën e mungesës së besimit. Më lejoni të shtoj se në rast se BE, në mënyrë të përsëritur, në raportet e tij, flet për kulturë të pandëshkueshmërisë në Shqipëri si një problem i madh që duhet trajtuar dhe adresuar në mënyrë adekuate, ky rast do të ishte për BE-në kulmi i shprehjes së kulturës së pandëshkueshmërisë dhe madje instalimi me nxitjen e hapur të vetë qeverisë dhe nën presionin e drejtpërdrejtë të vetë Kryeministrit, i kulturës së pandëshkueshmërisë.
Ku ndryshon për ju rasti i numërimit të votave të hedhura gabimisht në Berat me atë të Tiranës, duke pasur parasysh se komisionerët tuaj atje i kanë cilësuar të vlefshme ato vota?
Faktikisht, në zbatimin e një ligji dhe të një procedure duhet të ketë uniformitet. Për më tepër, them që në këtë rast, jo vetëm që nuk është e saktë të thuhet se ajo që ka ndodhur ka sjellë, në fund të fundit, dëgjimin në thonjëza të zërit të çdo qytetari, po përkundrazi, edhe sikur ta merrnim për të tillë, nuk kemi as më shumë e as më pak, por rreth 10% të kutive që u hapën dhe ku u futën duart për të dëgjuar “zërat e qytetarëve”. Po zërat e qytetarëve që kanë hedhur votën e tyre në kutitë që nuk janë hapur për këtë qëllim, ku u tretën?! Po në Njësinë Nr. 1 dhe në Njësinë Nr. 10, kur kishte mbaruar procesi në të katra kutitë përpara sesa të jepte kushtrimin Saliu dhe të merrte hanxharin Ristani, ku u tretën?! E pastaj, gjithë praktika e konsoliduar e zgjedhjeve në Shqipëri ka normuar trajtimin e këtyre lloj fletëve, duke i përcaktuar si të pavlefshme, është fare e qartë.
Ashtu sikundër është shumë e qartë edhe nga adresimi që miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë i kanë bërë problemit, se në çdo rast ky problem duhet të adresojë me konsensus. E konsensusin mund ta krijojë edhe vetë trupa përfaqësuese e palëve në KQZ, por nuk mund ta bëjë njëra palë, pala e vartësve të Saliut, sepse Saliu dha kushtrimin dhe sepse doli i humbur në numërimin e votave në Tiranë. Kështu që të gjitha përpjekjet për të justifikuar të pajustifikueshmen thjesht nxjerrin në pah edhe njëherë tjetër se nuk ka argumente që e bëjnë të qëndrojë në këmbë këtë proces. Ky proces është një gropë e hapur, e cila duhet të mbyllet përmes dhënies së drejtësisë ose të cilën padrejtësia do ta bënte pastaj një precedent kanosës për fatin e zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Sepse do t’u hapi rrugë gjithfarë arbitraritetesh të bazuara në dhunën e interesave të pushtetit. E, duke e mbyllur, jam absolutisht dakord që çka duhet shmangur me çdo kusht për të mirën e vendit, për interesin kombëtar të vendit, për interesin e çdo qytetari, është dhuna, dhe dhunën po e ushtron përditë Saliu me institucionet e tij të kapura, duke vendosur në themel të bashkëjetesës mes palëve padrejtësinë. Nuk ka dhunë aty ku ka drejtësi.

© Panorama.al

Te lidhura