Rama: Duhet të ndryshojmë politikën

Feb 27, 2012 | 11:19

Rama dje në Fier

Kreu socialist shpërndan 400 karta anëtarësie për eurosocialistët në qytetin e Fierit. Anëtarësimet edhe on line.

“Politika në një organizatë, konkurrencë e seleksionim i pamëshirshëm”

Kryesicialisti Edi Rama vazhdoi edhe dje turin e tij për të nxitur anëtarësimet e reja në Partinë Socialiste. Nga qyteti i Fierit, Rama shpërndau 400 karta të reja anëtarësimi për të rinjtë eurosocialistë dhe i ftoi ata të bëhen pjesë e garës dhe konkurrencës brenda partisë. “Politika e jetuar brenda një organizate është garë, është konkurrencë e fortë, është edhe seleksionim i pamëshirshëm. Kush thyhet, nuk çan dot përpara në rrugën për ta bërë politikën art të jetës së vet si qytetar. Mënyrë të jetuari me problemet që politika duhet t’i zgjidhë dhe që pa politikën nuk zgjidhen dot. Ju mund ta ndryshoni politikën dhe ta bëni të aftë të ndryshojë pamjen e vet e, bashkë me të, edhe pamjen e të gjithë gjërave”, u shpreh Rama. Asambleja Kombëtare socialiste vendosi si objektiv të kësaj partie shtimin e radhëve të saj me rreth 30%. Për këtë kryesocialisti propozoi dhe hapjen e një website për të lehtësuar procedurën e anëtarësimit, por dhe informuar më mirë të rinjtë. “RE:FRESSh dhe anëtarësime të reja në PS Fier, zonë me gravitet të fortë socialist e progresist. Procesi i hapjes së PS-së po vazhdon energjikisht. Këtë javë hapet edhe një portal në web për të lehtësuar anëtarësimet për ata që duan një pikë konsultimi e po ashtu për anëtarësimet online”, u shpreh Rama në profilin e tij në Twitter, pas takimit të zhvilluar me të rinjtë në Fier. Në takimin e djeshëm me të rinjtë fierakë, Rama u shpreh se politika në Shqipëri u ka dhënë njerëzve të zakonshëm shembullin e keq dhe modelin e gabuar. Sipas tij, ka ardhur koha për ndryshimin e kësaj situate, sepse pa ndryshuar politikën, askush nuk mund ta ndryshojë i vetëm realitetin e vështirë. “Nuk jeni ju që duhet të ndryshoni, është politika siç e shohim dhe e dëgjojmë përditë që duhet të ndryshojë. Dhe vetëm besimi se politika mund dhe duhet të jetë ndryshe, do ta ndryshojë politikën. Ju keni hedhur sot një hap dhe unë ju përgëzoj me mirënjohje për kurajën, sepse jo për të thënë një fjalë të rastit, por për të thënë një fjalë ashtu siç është, Partia Socialiste ka nevojë për sa më shumë njerëz që e shikojnë politikën me sytë e shpresave të tyre. Dhe që kërkojnë përmes politikës ndryshimin e realitetit të tyre, duke ndryshuar në radhë të parë vetë politikën”, u shpreh Rama. Duke e parë këtë ndryshim tek rinia, Rama e ka parë kartën e anëtarësimit si një mundësi dhe sfidë për të rinjtë socialiste.
“Ju ftoj që kartën e anëtarësisë të PS që do të merrni sot, të mos e shihni thjesht si një karton, por si një mundësi dhe sfidë. Për ta njohur politikën nga afër në frontin e vet më të vështirë, që është fronti angazhimit në vijën e parë”, u shpreh Rama nga Fieri.

400 karta të reja anëtarësie shpërndau dje kryesocialisti Rama në qytetin e Fierit për të rinjtë eurosocialistë. Rama i ftoi ata të bëhen pjesë e politikës, por dhe e konkurrencës brenda Partisë Socialiste.

Fier/Majlinda Rama

© Panorama.al

Te lidhura