
Kreu i PS, në mbledhjen e Grupit të deputetëve: Pushteti, i gozhduar përballë provave të FBI
“Për ne, Ina Rama s’është as Silvia Konti e as shoqja e bulevardit”
Kreu socialist, Edi Rama, ritheksoi dje mbështetjen e Partisë Socialiste për Prokuroren e Përgjithshme, e cila sipas tij ndodhet në presion të madh politik. Duke folur para deputetëve socialistë në mbledhjen e Grupit Parlamentar, Rama përgëzoi gatishmërinë e tre deputetëve socialistë për të cilët Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit për të ndihmuar hetimet.
“Ne do të votojmë në mbështetje të kërkesës së Prokurorisë për tre deputetët tanë Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla. I falenderoj të tre deputetët për qëndrimin e tyre të qartë publik. Ne e mbështesim pa asnjë lëkundje e kusht hetimin dhe vetë prokuroren e Përgjithshme, e cila gjendet nën presionin barbar të një pushteti të gozhduar përballë provave të zbardhura me ndihmën e FBI. Shqiptarët panë dhe dëgjuan qartë javën e shkuar, brenda vetëm dy ditësh në dy intervista, faktet, profesionalizmin e dinjitetin e prokurores së Përgjithshme, në shpjegimin e 21 janarit nga njëra anë dhe gënjeshtrat, kërcënimet e çorodinë e Kryeministrit në adresë të organit kushtetues të akuzës, nga ana tjetër”, u shpreh Rama. Sipas tij, “Ina Rama, për ne nuk është Silvia Konti kur na intereson dhe “lavirja e bulevardit” kur s’na intereson, po Prokurorja e Përgjithshme e Republikës. Mbështetja për punën e saj është, në çdo rast, në interes të vendit dhe të shoqërisë”. Kreu i Partisë Socialiste akuzoi Kryeministrin Berisha se po bën presion ndaj hetimit që po bën Prokuroria për zbardhjen e 21 janarit, bazuar në ekspertizën e FBI-së. “Kryeministri e ka shfaqur haptazi qëllimin e tij për të vënë nën kontroll të plotë Prokurorinë, Drejtësinë dhe vetë Shërbimin Sekret përmes imponimit të një Presidenti të nxjerrë nga barku i oborrit të vet. Madje, ai ka kërcënuar se paskëtaj do të hetojë edhe Presidentin aktual, edhe Prokuroren e Përgjithshme, edhe vetë familjet e viktimave të 21 janarit, pa llogaritur opozitën që nuk diskutohet se do të përballet me një gjueti shtrigash të ngjashme me atë të kohës kur Presidenti i Republikës quhej Sali Berisha”, u shpreh Rama.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











