Rama: Do ta votojmë imunitetin

Sep 5, 2012 | 12:05

Dje gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS

Kreu socialist i kërkon maxhorancës të pranojë paketën e propozimeve të PS-së.

“S’presim që pala tjetër të dëshmojë se jemi njësoj”

“Pas 10 muajsh, rrënim i mëtejshëm ose një rrugë e re me një program të ri dhe një lidership të ri për Shqipërisë”. Kështu iu drejtua kreu socialist Edi Rama shqiptarëve gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të deputetëve për sesionin e ri parlamentar. Rama u kërkoi shqiptarëve të bëjnë mirë dallimin mes opozitës dhe maxhorancës. “Është koha që opozita, me në krye Partinë Socialiste, të shumëfishojë fuqinë e komunikimit me të gjithë qytetarët për t’i dhënë fund rrënimit të mëtejshëm bashkë me ta dhe për t’i hapur rrugë asaj ‘Rilindje Shqiptare’ që përcakton alternativa jonë në program. Sepse vetë zgjedhja e pas 10 muajve është e qartë: Ose rrënim i mëtejshëm, ose një rrugë e re me një program të ri dhe një lidership të ri për Shqipërisë”, u shpreh Rama. Duke folur për qëndrimin e PS për çështjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve, Rama tha se është gati të votojë heqjen e tij, pasi të jetë mbyllur diskutimi për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Partia Socialiste. “Jemi gati ta votojmë kufizimin e imunitetit sapo të mbyllet diskutimi dhe për ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara prej nesh. Dhe nuk na bën asnjë përshtypje askush që sulmon opozitën për t’i ardhur në ndihmë qeverisë së lidhur këmbë e duar nga opozita. Madje, duke e parë të lidhur këmbë e duar nga opozita vetë Kryeministrin, do t’i ftoja shqiptarët që ta largojnë sa më parë, sepse një kryeministër që fajëson opozitën për çdo gjë që nuk bën vetë thjesht nuk është kryeministër, por është një person i cili qëndron në karrigen e Kryeministrit për punët e tij dhe të atyre që e rrethojnë”, u shpreh Rama. Sipas tij, qëndrimi i maxhorancës ndaj propozimeve të PS nuk përbën asnjë surprizë. “Fatkeqësisht dje në Kuvend paketa jonë u etiketua nga qeveria si paçavure! Asnjë surprizë! Ne i kemi paraqitur Kuvendit të Shqipërisë një paketë amendamentesh kushtetuese që kanë të bëjnë me një reformë thelbësore të sistemit të Drejtësisë dhe jo me arnat që vijnë arnë pas arne në emër të integrimit”, tha Rama. Kryesocialisti argumentoi propozimet e PS për ndryshimet kushtetuese dhe reformën në Drejtësi. Për Ramën, prokurori i Përgjithshëm duhet të votohet me 3/5-at e votave të deputetëve në Kuvend, po ashtu dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. Propozimet e socialistëve sipas Ramës përcaktojnë afate konkrete për miratimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e gjykatave të larta, ndërsa kërkon që Rregullorja e Parlamentit të miratohet me shumicë të cilësuar. Për Ramën, qëndrimi negativ ndaj propozimeve të PS tregon se maxhoranca dhe opozita nuk janë njëlloj. “Ne nuk kemi pritur dhe nuk presim që pala tjetër të ngrejë dorën dhe të votojë pro këtyre ndryshimeve. E dini pse? Sepse nuk presim që pala tjetër të dëshmojë se ne jemi njësoj. Ne nuk jemi njësoj!”, u shpreh Rama para deputetëve të PS.

Dialogu
Kryesocialisti tha dje se Partia Socialiste do të nisë një dialog të gjerë me zgjedhësit që të qartësojë alternativën e saj për zgjedhjet e 2013-s. “Ne do jemi këta dhjetë muaj që mbeten, deri ditën e zgjedhjeve, nëpër qytetet e fshatrat e Shqipërisë për të dialoguar për të ardhmen me çdo shqiptar që do rimëkëmbjen e ekonomisë, që do ripërtëritjen e shoqërisë, që do rivendosjen e demokracisë dhe që do ribashkimin e këtij vendi me Europën.
Do të dialogojmë me shqiptarët për zgjedhjen që duhet të bëjnë pas 10 muajsh”, u shpreh Rama.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura