Rama: Do heqim akcizën e naftës për fermerët

Sep 12, 2012 | 11:19
Rama gjatë takimit me fermerë në Kashar

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi dje se me ardhjen në pushtet do të heqë akcizën e naftës për fermerët që merren me bujqësi apo me blegtori, në rast se çmimi i naftës nuk pëson ulje. Shefi i opozitës zbuloi dje disa nga pikat e rëndësishme të programit të Partisë Socialistë gjatë një vizite të zhvilluar në një fermë në zonën e Kasharit. Në bisedë me pronarin e fermës, Rama premtoi se Partia Socialiste në qeverisje do japë një mbështetje që nuk e ka pasur kurrë në 20 vjet kushdo që merret me prodhimin bujqësor në fshat. Kryetari socialist deklaroi se në programin e PS do të garantohet mbështetja për heqjen e akcizës së naftës dhe heqjen apo uljen e TVSH-së për inputet bujqësore, për plehrat, për farëra, për fidanë, për ushqime bazë të importuara për blegtorinë. “Në qoftë se nuk ulet çmimi i naftës për bujqësinë, ne do ta heqim akcizën. Por, në qoftë se nuk hiqet edhe TVSH-ja për inputet, për farat, për plehrat dhe njëkohësisht nuk mbështetet fuqishëm nisma private, në gjithë sektorin e fshatit, duke mbështetur njerëz me talent dhe me kurajë si ju, nuk ka asnjë shans që fshati të dalë nga kjo prapambetje dhe nga kjo gjendje skandaloze varfërie ku e zhyt përditë braktisja e shtetit”, deklaroi kreu i opozitës.
Eksportet
Kryetari i PS është ndalur gjatë bisedës në raportin e zhdrejtë import-eksport, ku importet janë 9 herë më të larta. “Nuk kuptohet akoma pas 20 vjetësh se, në qoftë se fshati jeton keq, qyteti s’ka si të jetojë mirë. Në qoftë se fshati nuk prodhon, ekonomia nuk ka se si të marrë frymë lirisht. Ne sot për turp eksportojmë një, importojmë 9. Flasim vetëm për ushqim dhe ndërkohë kemi një vend që i ka të gjitha mundësitë që të prodhojë, të eksportojë dhe të ushqejë veten si në fshat dhe si në qytet, që të mos ketë në Shqipëri familje që nuk i afrohet dot qumështit, apo familje që nuk arrin dot fundin e muajit me qetësi për të garantuar ushqimin. Është e patolerueshme”, deklaroi kreu i PS-së. Për Edi Ramën, iniciativa të tilla do të promovohen dhe të mbështeten nga qeverisja e socialistëve. Rama tha se kushdo që do të investojë në fshat, do të ketë mbështetje të fuqishme nga qeveria. “Ne synojmë që këto modele që janë krijuar me sakrifica dhe me shumë vendosmëri nga njerëz si ju, mund të shtrihen vetëm në qoftë se mbështeten dhe promovohen. E çdokush që investon në zhvillimin rural për rritjen e prodhimit në fshat, do të ketë mbështetjen që nuk e ka pasur kurrë në këta 20 vjet”. Gjatë takimit, sekretari për Programin, Ilir Beqja, premtoi se Partia Socialiste do të angazhohet që në mandatin e parë, që gjithë pjesën që lidhet me vaksinimin e të imtave dhe të trashave në gjithë Shqipërinë, ta marrë përsipër shteti. Vaksinim falas për bagëti të trasha dhe të imëta. Shërbim veterinar dhe agroteknik falas për të gjithë ata që merren me bujqësi e blegtori. Kontroll i cilësisë së inputeve, farërave, plehrave nga shteti”, u shpreh Beqja.

Fermeri
Gjatë takimit me kreun e PS-së, pronari i fermës tregoi vështirësitë që has në mbarëvajtjen e fermës së tij dhe premtimet që ai i dëgjon nga pushtetarët në ekranet e mediave apo në faqet e gazetave, por realiteti është i ndryshëm: “Paguajmë të plotë për ushqimin e kafshëve edhe doganën, edhe TVSH-në. Dëgjojmë ndonjëherë në televizor ndonjë premtim, por kur shkojmë te dogana, pa derdhur lekët nuk të kalon asgjë.”

© Panorama.al

Te lidhura