TIRANË- “Dialog në gjithë vendin për rimëkëmbjen e ekonomisë e për zgjedhjen që duhet bërë pas 10 muajsh. Do i tregojmë me prova shqiptarëve pse nuk duhet të votojnë më këtë pushtet”. Kështu është shprehur kreu i PS-së, Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar.
Ai ka akuzuar qeverinë për keqqeverisje, që i solli vendit rrënimin ekonomik, arkë të zbrazur, rritje papunësie dhe pasurim të pushtetarëve.
“Ne do fokusohemi te ekonomia dhe nuk do të mjaftohemi duke treguar sa keq e ka katandisur qeveria, por do tregojmë si do ta rilindim ekonominë familjare dhe atë shqiptare”- tha Rama.
Ai është ndalur në amendamentet e opozitës për ndryshimet kushtetuese, duke pranuar se vota kundër e maxhorancës nuk është surprizë.
“Këto ndryshime janë në fakt amendamente që nuk na japin ne si forcë politike asnjë fuqi të posaçme. Nuk presim që pala tjetër të votojë pro, se nuk presim që ajo të dëshmojë se ne jemi njësoj, propozimet e tregojnë qartë kush jemi ne dhe cfarë shteti duam të ndërtojmë. Nëse pala tjetër do i votonte këto do ishte hap i madh përpara”- tha ai.
© Panorama.al











