Rama: Biznesit të madh do t’i heqim taksën e kohës

Sep 13, 2012 | 13:02
Rama me koncensionarët e makinave

Kreu opozitës, Edi Rama, në vijim të turit të tij për programin e PS “Për një Rilindje Kombëtare”, ishte dje në një koncesionar makinash në Tiranës. Rama, gjatë bashkëbisedimit me presidentin e ANAS-SHPK, Ferdinand Ibrahimi, u njoh me shqetësimet me të cilat përballet biznesi i shitjes së makinave dhe përse tani është më e vështirë që një qytetar të blejë një makinë të re. “Në tremujorin e parë të vitit 2012 ka një mungesë të theksuar dhënie të kredive dhe ‘leasing’ për blerjen e makinave. Tani blejnë makina të reja vetëm ata që kanë para në dorë. Tregu i makinave të reja në Shqipëri zë 10 për qind, kurse tregu i makinave të përdorura zë 90 për qind, në një kohë kur në Europë është e kundërta. Kjo ka sjellë edhe ndotjen e mjedisit. Ky biznes kap një vlerë 70 milionë euro në vit, që ishte në rritje, por tani ka kaluar në krahun tjetër. Ky biznes, që ishte shumë fitimprurës, po rrënohet”, tha Ibrahimi. Kreu i PS tha se programi i kësaj partie do t’i japë frymëmarrje biznesit të madh. “Në tërësi, për biznesin e madh, si gjenerator kryesor për ekonominë kombëtare, është heqja e taksës së korrupsionit, heqja e taksës së kohës, që janë dy taksa që nuk llogariten nëpër ato statistikat zyrtare që janë dy taksat më të rënda sot për biznesin dhe pastaj me radhë heqja e taksës së referencave, shtimi i sigurisë për biznesin në raport me krimin dhe në raport me të gjithë mjedisin e molepsur që vetëm e tkurr biznesin dhe vendosja e sipërmarrësit shqiptarë në piedestal”, tha Rama.

© Panorama.al

Te lidhura