Kryetari socialist reagoi dje për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, lidhur me rezultatin për Bashkinë e Tiranës.Përmes një deklarate nga selia rozë pasditen e djeshme, Rama tha se beteja ligjore nuk ka mbaruar, ndërsa e cilësoi vendimin e Kolegjit të papranueshëm. “Fjala e fundit në këtë betejë për drejtësinë nuk është thënë ende dhe vendimi i mbrëmshëm na shton fuqinë për të luftuar deri në fund, që e drejta të shkojë në vendin e vet. Ne do t’i ridrejtohemi Kolegjit Zgjedhor ku do të kërkojmë të drejtën tonë në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe detyrimit të patjetërsueshëm ndaj popullit sovran”, u shpreh Rama. Kreu socialist akuzoi Kolegjin Zgjedhor dhe Drejtësinë në përgjithësi, se nuk jep drejtësi, por vetëm shkel Kushtetutën e vendit, ndërsa kërkoi ekspertizën ndërkombëtare. “Ky vendim për ne është absolutisht i papranueshëm dhe sot nënvizojmë me forcë domosdoshmërinë e një ekspertize ndërkombëtare, që të mund të garantojë në kohë përputhjen e vendimmarrjes ligjore për çështjen e zgjedhjeve të 8 majit me standardet e botës demokratike, ku Shqipëria nuk mund të integrohet përmes zgjedhjesh të grabitura “ditën për diell” e pastaj të vulosura nga trupa gjykuese tërësisht e nënshtruar ndaj pushtetit. Ekspertiza ndërkombëtare e ofruar nga vetë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë është e vetmja mundësi në këto kushte për të hedhur dritë në një rrugë ligjore, që përndryshe mbetet plotësisht e errët dhe s’mund të çojë askund tjetër, përveçse në thellimin dramatik të krizës së zgjedhjeve, të drejtësisë e të vetë ekonomisë në Shqipëri”, u shpreh Rama.
Kryesocialisti kishte hequr nga fjalori i tij politik dje fjalën revoltë popullore, si reagim ndaj vendimit të Kolegjit Zgjedhor.
“Le të vazhdojmë betejën, duke besuar fort tek e vërteta, duke luftuar hap pas hapi për të drejtën dhe duke u përgatitur ditë pas dite për rezistencën e pashembullt që na takon të bëjmë, në rast se e drejta do të merret përkohësisht peng me vulë gjykate. Humbësit nuk mund të bëhen fitimtarë dhe fitimtarët nuk mund të humbasin”, u shpreh Rama. Por, duke artikuluar kritika ndaj Drejtësisë shqiptare, Rama solli në vëmendje paraardhësin e tij në PS, Fatos Nano, duke pranuar për herë të parë se ai është i burgosur i një sistemi gjyqësor të padrejtë. “Ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve ka dalë në pranga kryetari i opozitës, kanë dalë e dalin vijimisht të humbur viktima krimesh apo arbitraritetesh të rënda, kanë dalë e dalin përditë të shpronësuar trashëgimtarë të ligjshëm pronash. Ashtu sikundër ky është vendi ku nga sallat e gjyqeve kanë dalë të lirë, madje krejt të pafajshëm, gjithfarë keqbërësish, nga ata me pushtet politik tek ata me duart e lyera me gjak të pafajshmish a të ndyra me zullume të pashembullta në dëm të vendit apo të qytetarëve pa përkrahje”, u shpreh Rama.
Selia e PS, më e qetë se çdo ditë tjetër
Dje, selia e Partisë Socialiste ka qenë shumë e qetë dhe, madje kjo ka bërë të habitur ata pak njerëz që ishin aty dje gjatë orëve të paradites dhe në mesditë. Rreth 30-40 pensionistë kanë qëndruar deri rreth orës 12:00 në hollin e selisë rozë dhe më pas janë shpërndarë. Madje, edhe gjatë deklaratës për shtyp të Edi Ramës, nuk pati militantë të cilët nuk i janë larguar selisë rozë gjatë gjithë këtyre ditëve e, veçanërisht në ditët e para pas numërimit të kutisë së fundit në Njësinë Bashkiake Nr.5 në Tiranë. Kryesocialisti ka mbërritur dje në selinë rozë rreth orës 10:30 dhe ka qëndruar vazhdimisht në zyrën e tij, ndërsa në seli gjendeshin kryetari i Grupit Socialist Gramoz Ruçi dhe sekretari për Çështjet Ligjore, Fatmir Xhafaj. Disa kryetarë të degëve socialiste në rrethe ishin dje në lokalin pranë PS-së, duke thënë se kishin ardhur menjëherë për të marrë vesh organizimet e reja të protestave që PS do të ndërmarrë. Disa deputetë, kryesisht të qarkut të Tiranës, kanë qenë gjatë paradites në godinën e Partisë Socialiste e kryesisht në lokalin pranë saj. Dhe, pse kanë tentuar të takojnë kryetarin Rama në zyrën e tij, ai nuk ka qenë i disponueshëm dhe kanë zbritur menjëherë nga shkallët që çonin në zyrën e kreut të Partisë Socialiste. Sipas tyre, kryetari ka qenë i zënë, duke u marrë me reagimin zyrtar që PS duhet të bënte pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor për rezultatin e Tiranës. Një natë më parë, menjëherë pas vendimit të Kolegjit, nuk ishin të paktë mbështetësit e Partisë Socialiste për të marrë mësuar më tepër rreth këtij vendimi dhe hapësirave ligjore për të reaguar në fazën tjetër të ankimimeve. Ndërsa dje, situata dhe atmosfera në selinë rozë ishte më e qetë nga ç’pritej.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











