Krima dhe papunësia, Rama: Shifra alarmante

Feb 7, 2012 | 12:27

TIRANË- Kreu i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot me shifra rritje të papunësisë, nivelin më të ulët të punësimit që nga viti 2001, rritje monstruoze të kriminalitetit, duke bërë përgjegjës qeverinë dhe akuzuar kreun e saj për gënjeshtra të përbindshme për rritje ekonomike.

“Shifrat flasin për nivelin më i ulët i punësimit që nga viti 2001. Kjo është e vërteta në mos qoftë edhe më keq se kaq. I them Berishës në emër të opozitës dhe të vërtetës së shifrave, turp, tre herë turp, për qeverinë që ka dështuar si mos më keq në punësim, turp për kryeministrin që gënjen si derri kënaqur i Migjenit popullin shqiptar duke fshehur me rrena të përbindshme dështimin, turp që në vend se të pranojë dështimin i shprehur në shifra i turret opozitës që thotë të vërtetën”- tha ai.

Në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka deklaruar se vendi ka 1 milionë të papunë, sepse ka qeveri të paaftë, të paditur dhe të korruptuar.

“Sot jetojmë në një vend që tronditet nga grabitjet dhe tritoli. Vret vetë shteti me armë zjarri dhe kryeministri i quan vrasësit heronj. Humbasin jetën njerëz të pafajshëm, mijëra vjedhje “të vogla” nuk regjistrohen fare nga policia që bën sikur merret me vrasje.” – deklaroi Rama.

Rama eshte ndaluar edhe ne situaten e rendit ne vend, duke akuzuar krerët e policisë së Shtetit duke i quajtur si “persona të veshur me imunitet kryeministror, që kontrollojnë me radio policie rrugët e kontrabandës”.

“Rrënjët e këtij kriminaliteti, që po tmerron njerëzit e zakonshëm janë të thella, janë tek politika e egër që ka të vetmin qellim pushtetin vetjak. Janë tek plagët e vjetra sociale, varfëria, papunësia e korrupsioni i kudondodhur, janë tek kultura e pandëshkueshmërisë, tek drejtësia kalbur dhe nështrimin ndaj parasë që përcakton fatin e proceseve gjyqësore. Janë tek mungesa e shtetit, të kthyer në funksion të pushtetit që vjedh votat për të sunduar Shqipërinë.”- deklaroi Rama.

© Panorama.al

Te lidhura