
Kryetari i PS, takim në zyrën e tij me trojkën e ambasadorëve.
Kreu socialist, Edi Rama, iu përgjigj menjëherë dje deklaratave të Kryeministrit Berisha, të bëra në Parlament rreth reformave. Përmes blogut të tij, Rama e akuzoi Berishën se përmes zvarritjes së reformës zgjedhore kërkon të përsërisë manipulimin e zgjedhjeve. “Që Sali Berisha kërkon ta zvarrisë reformën zgjedhore për të bërë të pamundur implementimin e masave të reja antimanipulim për shkak të mungesës së kohës nëse miratimi i këtyre masave shtyhet pafundësisht, këtë e kemi ditur përpara se të ndodhte. Prandaj edhe kemi kërkuar dhe marrë fjalën e komunitetit ndërkombëtar për monitorimin nga afër të kësaj reforme kyçe për funksionimin demokratik të vendit, e sigurisht edhe integrimin europian të tij”, shprehet Rama në reagimin e tij. Kryesocialisti kërkon ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar, i cili asistoi në arritjen e marrëveshjes PS-PD. “Ja pse është dita për t’u kërkuar miqve e partnerëve ndërkombëtarë të mos lejojnë që reforma zgjedhore, për fatin e së cilës ata janë angazhuar solemnisht përpara shqiptarëve pas dy dështimesh me radhë të dy palë zgjedhjeve, duke e përcaktuar së fundi këtë reformë si prioritetin e prioriteteve për integrimin europian të Shqipërisë, të dështojë në funksion të axhendës së njohur të Kryeministrit. Që fatkeqësisht mbetet vjedhja e zgjedhjeve të radhës. Nesër do të jetë vonë për ta ndaluar përsëritjen e historisë së shkeljes së vullnetit të popullit sovran”, u shpreh Rama.
Trojka
Kryetari socialist kërkoi dje një takim me trojkën e ambasadorëve të huaj në Tiranë. Ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, i BE-së, Etore Sekui dhe ai i OSBE-së, Eugen Volfarth, zhvilluan një takim me Ramën në selinë rozë, ku në qendër të bisedës ishte zvarritja e reformës zgjedhore, siç informon dhe zyra e shtypit e PS-së. Në takim ishin të pranishëm dhe anëtari i Kryesisë, Ditmir Bushati dhe sekretari për Çështjet Zgjedhore, Damian Gjiknuri. Kreu socialist ritheksoi se PS dhe gjithë opozita është e gatshme për nisjen e punës për këtë reformë, porse kjo gatishmëri mungon në radhët e maxhorancës. Partia Socialiste shprehu shqetësimin edhe për ngërçin në reformat e tjera të nevojshme për plotësimin e prioriteteve të BE-së për marrjen e statusit të vendit kandidat, siç është ajo parlamentare. Pas takimit, ambasadori i BE-së, Etore Sekui, kërkoi përshpejtimin e reformave. “Patëm një takim shumë të mirë, ku diskutuam mbi ecurinë e reformave. Siç e dini, në nëntor pati një marrëveshje për progres në reformën elektorale, Rregullores parlamentare dhe miratimin e ligjeve me tre të pestat e Parlamentit. Tani është koha e duhur për të shpejtuar në këto procedura”, tha Sekui.
PD-PS, të ndarë për dy çështje në Kodin Zgjedhor
Komisionit të Reformës Zgjedhore i përfundon afati më 28 shkurt

Komisioni i Reformës Zgjedhore përfundon mandatin e tij në 28 shkurt, ndërsa pritet të shtyhet për të paktën edhe 1 muaj. Në këto dy muaj e gjysëm, komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore dhe pse ka bërë përparime, ka ngecur në dy çështje të rëndësishme. Njëra prej tyre është ajo e regjistrimit të kandidatëve. Partia Socialiste kërkon që të gjithë drejtorët që do të jenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme duhet të japin dorëheqjen nga detyra, si një masë për të mos përdorur burimet e administratës. Në një nga mbledhjet e fundit të Komisionit iu la detyrë ekspertëve të PD-së dhe PS-së që të shqyrtojnë legjislacionin e vendeve të tjera të BE-së si dhe të konsultohen me ligjin e Shërbimit Civil nëse aty parashikohet dhënia e dorëheqjes në rast kandidimi. Argumenti i demokratëve është që nëse do të vendoset dhënia e dorëheqjes për drejtorin e Përgjithshëm të një institucioni, e njëjta praktikë të ndodhë edhe për pushtetin vendor. Pika e dytë, ku maxhoranca dhe opozita nuk bien dakord është përbërja e listës së kandidatëve në një qark të caktuar. Sipas PS-së, një qark që nxjerr katër deputetë, duhet të ketë katër kandidatë, ndërkohë që nga ana e saj, maxhoranca kërkon një listë të hapur me një numër më të madh kandidatësh.
Rekomandimet
Për kryesocialistin, kërkesa kryesore e opozitës është përmbushja e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. “Ajo që kërkojmë sot është respektimi pikë për pikë i vendimit të Parlamentit për reformën zgjedhore dhe futja në Kod, pikë për pikë, e çdo rekomandimi të OSBE/ODHIR-it, ashtu sikundër hapja e një debati transparent në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe për përmirësimin e sistemit zgjedhor. Maxhoranca, pa dyshim, është e detyruar të votojë bashkë me ne pa humbur kohë reformën, mbi të gjitha pikat detyruese të listës së gjatë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it”, u shpreh Rama.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











