
Kreu i PS mbështet Ruçin dhe Blushin për aleancat.
“Nano ka po aq shanse sa kishte në fillim, Ceka pjesë e folklorit kur vendi ka çështje serioze”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ftuar dje në emisionin “Debat” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, mbështeti Gramoz Ruçin dhe Ben Blushin për aleancën e mundshme me LSI-në. Sipas tij, PS bashkohet me LSI-në nëse ajo del nga qeveria. Për Ramën, Fatos Nano nuk ka humbur asnjë shans, mbetet në të njëjtat pozita kandiduese, ndërsa Neritan Ceka për të mbetet pjesë e folklorit sa herë vendi përballet me çështje serioze.
Në një vit keni botuar një libër, keni hapur një faqe në internet, me shumë klikime dhe fansa, gjithashtu keni rikthyer opozitën në Parlament, keni bërë një pakt me maxhorancën, keni hyrë në një proces për reforma, – janë 3 reforma të ndryshme që pothuajse afati po u mbaron – dhe keni bërë një takim pas shumë vitesh me Fatos Nanon, keni bërë një takim pas shumë vitesh me Ilir Metën. Në fund a u bëtë, a po bëheni, a jeni politikan?
Shpresoj jo, shpresoj jo. Unë besoj se gjithçka që ju përshkruat është shprehje e një vullneti të madh për të ndërruar një faqe në vazhdën e mbrapshtë të politikës së këtij vendi dhe për të hapur një faqe të re në funksion të një politike me njerëzit dhe për njerëzit, dhe sigurisht edhe në funksion të një vizioni tanimë të shpalosur për një Rilindje Shqiptare. Në mënyrë që shqiptarët më në fund të kenë një qeveri që të punojë me mish e shpirt, ditë–natë, për punësim real, pa lejuar rritjen e mëtejshme të papunësisë, për vendosjen e një taksimi të ndershëm duke eliminuar taksën e sheshtë, për rimëkëmbjen e fshatit pas një historie të gjatë dhe të dhimbshme braktisjeje fshati për shërbime publike që të jepen sipas nevojës së qytetarëve, dhe jo thjesht sipas xhepit të secilit. E pa dyshim, për ta mbështetur realisht sipërmarrjen, dhe jo për të vazhduar me shkatërrimin e biznesit në funksion të monopoleve dhe klientelave të pushtetit.
A mund të jetë një mision kësisoj duke dashur të na rilindë po nëpërmjet Ilir Metës dhe pjesëmarrjes së LSI-së në qeverinë tuaj të ardhshme, pse jo…?
Besoj se ky është një diskutim të cilin e bëjnë mediat, e bëjnë analistët. Është legjitime që ta bëjnë, por nuk është një çështje e shtruar në tryezën e vendimmarrjes të Partisë Socialiste pasi jemi në kushtet kur opozita është në njërën anë të Parlamentit dhe qeveria është në anën tjetër, dhe Ilir Meta është pjesë e qeverisë.
Por, pas dy takimeve tuaja, një në shtëpinë e Ilir Metës në Gjirin e Lalzit, dhe një publik. Pyetja shtrohet se çfarë ka ndodhur, a është pakt, a ka një marrëveshje dhe a ka ndodhur diçka, a ka ndryshuar diçka pas kësaj midis jush dhe midis PS e LSI?
Jetojmë në një vend ku…
Jetojmë në Tironë…
… Teoritë e konspiracionit gjejnë një terren shumë pjellor për të gjitha fantazitë dhe frerët e imagjinatës lëshohen tërësisht drejt skenarësh nga më të habitshmit. Por, e vërteta është që takimet, sikundër e kam sqaruar edhe më parë, kanë qenë në funksion të një shqetësimi të madh serioz që opozita ka lidhur me udhëkryqin që kemi përpara, zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe udhëkryqin historik që vjen më pas në 100-vjetorin e Pavarësisë së vendit, ku Shqipëria hyn për herë të tretë në një provim të vjeshtës të Komisionit Europian për të marrë statusin e kandidatit. E me këtë shqetësim ne kemi vënë interesin kombëtar dhe atë publik mbi interesin partiak dhe mbi politikën e ditës, duke tentuar dhe bërë gjithçka që mundemi për të hapur një dialog real, serioz, konstruktiv, me të gjitha palët që janë në Parlament, të cilat janë shprehje e vullneteve popullore dhe nuk janë zgjedhur nga ne. Kundërshtarët asnjëherë nuk i zgjedhim, por jemi të dënuar që të komunikojmë dhe të gjejmë rrugët për të zgjidhur çështje që kapërcejnë natyrën krejtësisht të shëndetshme të pluralizmit, ku jeta zhvillohet midis kundërshtarësh…
Flitet edhe në qarqe mediatike për një pakt me katër pika që është rëndë dakord: për një president jo nga PD; për heqjen e imunitetit si kusht i BE, për heqjen e imunitetit të deputetëve qoftë edhe me ndryshimin e Kushtetutës; për votimin e fshehtë; për korrigjimin e sistemit elektoral. E konfirmoni?
Jo, jo. Nuk e konfirmoj se s’ka asgjë të vërtetë në këtë. Këto janë tema të rrahura publikisht, janë të rëndësishme, por s’ka asnjë pakt, ka vetëm një dialog të hapur, i cili do të vazhdojë.
Në lidhje me Presidentin që ju i mëshuat shumë, në lidhje me raportin dhe hapjen e dialogut midis jush dhe zotit Meta, konkretisht për çfarë keni biseduar dhe për çfarë ka dakordësi deri tani?
Për aq sa thashë, për mundësitë – nëse ekzistojnë ose jo – që palët të mund të gjejnë rrugën e dakordësisë.
Është hapur dialogu midis jush dhe zotit Meta, a po vijon?
Nuk jemi takuar, por sigurisht që unë uroj dhe besoj se do të takohemi përsëri për të vazhduar dialogun që kemi nisur.
Po kontakti, pavarësisht mostakimit fizik?
Nuk ka nevojë për detaje, e rëndësishmja është që dialogu është i hapur. Praktikisht në tryezë janë shtruar pikëpamjet, por nuk ka asnjë konkluzion.
Zoti Meta ka thënë që nëse ju e ftoni, ai do të vijë në shtëpinë tuaj…
Kjo është një çështje që i përket sferës së marrëdhënieve midis dy njerëzish, dhe nuk është një çështje që i përket medias.
Ju do ta ftoni?
Nuk thashë as njërën, as tjetrën.
Nëse ju nuk bini dakord për një kandidaturë konsensuale, ju do të bojkotoni tri raundet e para, nuk do të merrni pjesë?
Më lejoni të them që është shumë e rëndësishme të kuptohet nga të gjithë që beteja të tilla janë si ndeshje ku ka një strategji dhe ka një taktikë. Unë nuk besoj të ketë ndonjë rast, s’ka si të ketë, kur një skuadër e deklaron taktikën e vet në konferencë shtypi apo në komunikimet me gazetarët. Strategjia jonë është kjo që të bëjmë të mundur zgjedhjen e Presidentit si ju thashë më parë. Taktikat janë pjesë e dinamikave që ka vetë procesi.
Deputeti Dritan Prifti pak ditë më parë ka deklaruar se po përgatitet një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit. Ashtë e vërtetë?
S’kam asnjë dijeni për këtë.
Madje ai specifikon që po kërkohet të mblidhen firma dhe që kjo të bëhet përpara zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
S’kam asnjë dijeni për këtë dhe Partia Socialiste, Grupi Parlamentar i saj, nuk ka asnjë dijeni për këtë.
Dhe nuk do ta kërkoni një mocion të tillë në këtë periudhë?
Në këtë periudhë ne jemi të angazhuar që të bëjmë çfarë është e mundur që të zgjedhim një president, i cili të jetë, ashtu si thashë, për të mos e përsëritur pafundësisht.
Jo, s’ka nevojë. Pra, nuk ka një strategji të tillë dhe një qasje të tillë në lidhje me procesin përpara zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Ka një qasje, por dhe një stepje të këtyre ditëve të fundit të Fatos Nanos në lidhje me procesin e zgjedhjes së Presidentit, meqenëse ai ishte një kandidaturë që u vetofrua. I ka humbur shanset Fatos Nano në gjykimin tuaj si politikan, jo si kryetari i PS?
Do t’i përgjigjem shumë shkurt: nuk ka më pak shanse se çfarë ka pasur kur u shfaq.
Një emër që ka dalë këto ditë, përveç zotit Nano, është edhe zoti Ceka. Mund të jetë zoti Ceka?
Është pjesë e folklorit që s’i ndahet asnjëherë Shqipërisë edhe kur diskutohet për çështjet e saj më serioze.
Nga ana tjetër u përfol që sistemi zgjedhor ka qenë edhe pjesë diskutimit me LSI-në dhe me zotin Meta, apo s’ka lidhje?
Kemi folur për reformën zgjedhore në tërësi, por s’jemi ndalur në çështje specifike. Por, unë besoj që edhe LSI-ja është e së njëjtës pikëpamje, se në fakt është një qëndrim i kahershëm i saj dhe me sa më kujtohet është edhe pjesë e marrëveshjes me Partinë Demokratike.
Më në fund pas 7 vitesh po e mbani premtimin për ta ribashkuar apo për ta bashkuar të majtën? Po shkoni drejt atij bashkimi që keni premtuar në 2005-n kur erdhët në krye të PS?
Mendoj që në rast se do të hyjmë në këtë diskutim, do të duhet të kishim një premisë. Nuk e kemi sot premisën për ta bërë këtë diskutim sepse LSI-ja është pjesë e qeverisë.
Ju jeni me idenë e zotit Ruçi që “ne mund të bëjmë aleancë me LSI-në nëse ajo largohet nga qeveria”?
Unë jam gjithmonë njëzëri në qëndrime me Gramozin.
Po me zoti Blushi jeni dakord, që duhet të bëheni bashkë me LSI-në kundër Berishës për ta rrëzuar Berishën?
Me kushtin që LSI-ja të mos jetë e rreshtuar në llogoren e qeverisë.
Vetëm ky është kushti…?
Po, sepse flasim për një forcë që është në pushtet, flasim për një forcë që është kundërshtare sot. Nuk po flasim për një forcë që është në gjendje të lirë dhe varet nga ne nëse duam apo s’duam të hyjmë në diskutim me të, varet nga rrethanat objektive.
A ka një axhendë PS që nëpërmjet Presidentit ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe ta rrëzojë këtë qeveri?
Jo. Partia Socialiste ka në axhendë domosdoshmërinë e zgjedhjes së një presidenti që të jetë unifikim i unitetit të kombit.
Çdo lider opozite synon dhe lufton për të ardhur në pushtet, dhe ju asnjëherë s’e keni fshehur këtë dhe s’keni arsye për ta bërë. A është në synimin tuaj ta mundni Sali Berishën dhe PD-në me votë dhe vetëm me zgjedhje, apo çdo opsion, çdo rrugë politike kushdo qoftë ajo për ju është me të njëjtën vlerë?
Nëse krijohen kushtet për ta larguar qeverinë përpara se të shkohet në zgjedhje në Parlament, sigurisht që për ne kjo nuk do të ishte absolutisht një blasfemi. Por, pa asnjë dyshim, ne, PS, do të vijmë në qeveri me zgjedhje dhe unë do të bëhem Kryeministër vetëm me votën e popullit.
ALFRED PEZA
© Panorama.al











