Një pyetje e një gazetareje nga Rumania në lidhje me projektin e resortit turistik në Zvërnec acaroi kryeministrin Edi Rama, i cili iu drejtua asaj duke i thënë se gënjeshtrat e shumta i kanë bllokuar trurin.
Gazetarja e pyeti nëse projekti ishte pezulluar apo anuluar, pasi sipas saj, kryeministri tha në fillim të fjalës së tij se ishte anuluar.
Ky koment shkaktoi acarimin e tij, i cili i tha se kishte ardhur në Shqipëri me kokën plot me gënjeshtra dhe i kanë bllokuar trurin.
Pjesë nga debati:
Gazetarja: Na ndihmoni të sqarojmë disa gjëra. Kemi dy projekte të ishullit të Sazanit dhe në bregdet.
Rama: Nuk kemi dy projekte, por dy vend zhvillimi. Jo, jo, jo sepse fjalët sot janë të rëndësishme.
Gazetarja: Kemi dy vendndodhje. Në bregdet projekti është anuluar apo pezulluar. Ju thatë në fillim, kemi regjistrimin, që është anuluar.
Rama: Unë jam këtu, po flas.
Gazetarja: E thatë në fillim që është anuluar.
Rama: Nuk thashë asnjëherë që është anuluar, asgjë nuk është anuluar sepse nuk ka pasur kurrë një projekt për t’u anuluar. Nuk është në rregull sepse vini këtu me kokën të mbushur plot me gënjeshtra që ju kanë bllokuar trurin dhe asgjë nuk kalon përmes.
Gazetarja: Trurin e kam shumë në rregull. Ju thatë që është anuluar.
Rama: Trurin e keni në rregull, problemi është sa i hapur është për faktet. Nuk e pranoj. Nëse të gjithë thonë se e kam thënë se e kemi anuluar projektin, atëherë kemi një problem. Na duhet që të shohim regjistrimin. Nuk vazhdoj. Ndjesë. Më thoni diçka që nuk ka thënë kurrë sepse kemi ardhur e bindur që ka një projekt që është anuluar. Ajo tha që unë thashë se projekti është anuluar, talleni me mua apo çfarë. Seriozisht e keni? Këto janë gjërat pse e keni të gjithë këtë mjegull, se ka thënë këtë se nuk ka pasur asnjëherë projekt. Është diçka për të cilën po punohet. Çfarë ka diçka të vështirë për tu kuptuar këtu apo nuk është tërheqëse?
© Panorama.al











