
PS organizon tryezë të hapur për reformën në Drejtësi me grupin e punës, të kryesuar nga deputetja Ligori
“BE s’mund të pranojë një vend ku Ekzekutivi sulmon Prokurorinë”
Kryetari i Partisë Socialiste tha dje se Drejtësia duhet të nisë me zbardhjen e plotë të ngjarjeve të 21 janarit. I ndodhur në tryezën e grupit të punës të drejtuar nga deputetja Shega Ligori, për kapitullin “Shteti i së drejtës” të programit të PS-së, Rama e cilësoi sfidë aspak të lehtë zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit. “Teksa ne flasim, shoqëria jonë përballet me një sfidë, që është sfida e së vërtetës së 21 janarit dhe e ndëshkimit të atyre që vranë dhe atyre që urdhëruan vrasjen. Është një përballje që në këndvështrimin tim nuk lidhet thjesht me fatin e një procesi hetimor e më pastaj gjyqësor, por lidhet me fatin e shtetit të së drejtës në Shqipëri për vite të tëra, ndoshta edhe për një dekadë të tërë. Është një sfidë që në mënyrë përcaktuese do të tregojë nëse gjithë atij zinxhiri padrejtësish dhe gjithë atij zinxhiri provash mbi të cilat shoqëria ka krijuar bindjen se kultura e pandëshkueshmërisë është e pathyeshme, cila do të jetë e nesërmja në rast se kjo sfidë nuk do të fitohet nga Drejtësia dhe nuk do të përcaktohet nga e vërteta e zbardhur mbi fakte e prova, atëherë pa dyshim 21 janari do të shërbejë si një kapak i rëndë për t’u lëvizur nga vendi mbi të gjithë sistemin e drejtësisë. Dhe si një gur i rëndë në vendosjen e një sistemi padrejtësie në themel të funksionimit të gjërave në Shqipëri”, u shpreh Rama. Kryesocialisti e cilësoi situatën aktuale në sistemin e drejtësisë të papranueshme dhe për Bashkimin Europian ku Shqipëria kërkon të shkojë. “Si është e mundur që Bashkimi Europian të pranojë në gjirin e vet një vend ku pushteti ekzekutiv sulmon në një mënyrë të tillë Prokurorinë e ku prokurorja e Përgjithshme kthehet në shënjestër për të penguar medoemos zërin e së vërtetës për një ngjarje tragjike? Si është e mundur që bëhet çmos për t’u devijuar rruga drejt së vërtetës? Është e pamundur të pretendojmë se BE mund ta pranojë Shqipërinë në gjirin e vet teksa barazia para ligjit dhe vetë funksionimi i vetë Drejtësisë në Shqipëri përbën një nga problemet më të rënda për vendin dhe shoqërisë. Nga ana tjetër, vetë BE nuk mund të pranojë në gjirin e saj një vend që nuk e zgjidh dot të vërtetën për sistemin e drejtësisë, pro edhe qytetarët nuk mund të ndërtojnë një të ardhme teksa janë të kërcënuar përditë nga drejtësia që lidhen me kërcënimet e pushtetit, apo pushtetin e parasë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti shtoi se partia që ai drejton do të arrijë të qeverisë vetëm nëse do t’i japë përgjigjen atij rreshti të gjatë pyetjesh se si mund të funksionojë drejtësia dhe ligji në tërësi bazuar në parimin: “Para ligjit të gjithë janë të barabartë”.
Sollaku: Drejtësia kërkon vullnet politik
Ish-prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, duke folur dje në tryezën e grupit të punës për shtetin e së drejtës, e vuri theksin në rëndësinë që ka vullneti politik në bërjen e drejtësisë. “Sistemi i drejtësisë nuk është në rrugën e duhur për mungesë të vullnetit politik. Prokurorët dhe gjyqtarët duhen lënë të lirë dhe të kenë qetësi për të punuar, e jo të ndikohen nga sulmet dhe ndërhyrjet e politikës. Lidhur me gjykatat, PS duhet të përcaktojë qartë pozicionin e Gjykatës së Lartë. Fatkeqësisht, sot, Gjykata e Lartë i jep zgjidhje çdo çështjeje që është trajtuar më parë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe Shkallës së Dytë. Gjykata e Lartë duhet të jetë si një hallkë gjyqësore që unifikon praktikën gjyqësore, dhe jo të jetë shkalla përmbyllëse e vendimeve të gjykatave të tjera”, u shpreh Theodhori Sollaku.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al












