
Sasia më e madhe e nisur nga Shqipëria në Greqi në vitet e fundit.
Sekuestrohet 1 ton drogë në Greqi, sasia më e madhe e kapur 10 vitet e fundit në ndonjë skaf që nisej nga Shqipëria. Skafi, 11 metra e gjatë dhe me dy motorë nga 350 kubikë, i ngarkuar me sasinë e drogës, ka vënë në lëvizje 5 rajone të policive kufitare të Greqisë derisa është gjetur e braktisur. Mësohet se në orët e para të mëngjesit të djeshëm, policia kufitare e Korfuzit ka evidentuar në radarët e saj një mjet të shpejtë, të nisur nga brigjet shqiptare, i cili u ishte drejtuar ujërave greke. Menjëherë është vënë në ndjekje të saj skafi i policisë kufitare të Korfuzit. Duke qenë se mjeti po lëvizte me shpejtësi të madhe dhe duke mos ditur itinerarin e saktë të saj, kanë ndezur motorët edhe skafet e policisë së Igumenicës dhe Prevezës. Pasi mjeti lundrues është futur në brendësi të ujërave të Korfuzit, në drejtim të jugut të ishullit, në ndjekje të saj është vënë edhe policia e Lefkadhës. Duke parë se gjendej i rrethuar, drejtuesi i mjetit ka shtuar shpejtësinë dhe është drejtuar për në jugperëndim të Korfuzit me drejtim Patrën. Pas disa orësh ndjekje, skafi është gjetur e braktisur në plazhin e quajtur “Riza Antirio”, në qytetin e Patrës. Drejtuesi i saj, pasi ka braktisur atë, është larguar për në drejtim të paditur në një zonë pylli pranë një rruge nacionale. Sipas Policisë greke, mjeti e braktisur ka një gjatësi 11 metra dhe është e pajisur me dy motorë të fuqishëm, nga 350 kuaj fuqi secili. Në lëvizje është vënë edhe Policia e Patrës. Mësohet se brenda në bordin e skafit u gjetën dhjetëra çanta të zeza sportive, që përmbanin lëndë narkotike, e që pas peshimit rezultuan me rreth 1 ton “cannabis sativa”. Gjithashtu në të u gjet edhe një armë zjarri automatike, e tipit “Kallashnikov”. Policia e Patrës ka krehur gjithë zonën pranë plazhit ku u braktis gomonia dhe po vazhdon kërkimet për gjetjen e drejtuesit të saj. Në një rrugë nacionale pranë plazhit, është gjetur i braktisur edhe një automjet, tip “Furgon”, që dyshohet se do të transportonte ngarkesën. Në brendësi të tij është gjetur një sasi e madhe lënde djegëse, benzol, e cila dyshohet se do t’i hidhej mjetit lundrues me qëllim që të kthehej në Shqipëri. Në mesditë, Policia bëri të ditur se u kap personi që drejtonte furgonin në të cilin do të ngarkohej droga. Bëhet fjalë për një grek, emri i të cilit nuk është bërë i ditur. Ai u kap në një zonë pyjore në Patra, ndërsa vijojnë kërkimet për drejtuesin e skafit, i cili dyshohet se është shtetas shqiptar.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











