
DURRES – Rrugët e Durrësit gjatë muajit gusht janë përfshirë nga një fluks shumë i madh mjetesh motorike, të cilat kanë shkaktuar kaos në trafik. Rrugët më të ngarkuara kanë qenë rruga hyrëse për në qytet, rruga e Plazhit, unaza nga rotondo e Shkozetit deri në Plazh, aksi Plepa-Golem-Spille, Maminas-Gjiri i Lalëzit. Më shumë se 30 efektiva të policisë rrugore janë shpërndarë në terren në pikat kyçe për të mbajtur nën kontroll trafikun, por realisht çdo ditë paradite e pasdite për më se dy-tri orë çdo gjë paralizohet, duke e lënë situatën në mëshirë të fatit. Kaosi ndihet gjatë gjithë ditës e në çdo segment, madje edhe në rrugën kryesore para godinës së policisë. Trafik e bllokim të rrugëve ka çdo ditë kryesisht rreth orës 9-11, 16-18 në kryqëzimin tek Pallati i Sportit, kryqëzimi Rrota e Qerres, rruga hyrëse për tek Vollga, rruga e Plazhit, Plepa, Shkozet etj. Edhe në autostradë ka pasur trafik dhe herë pas here paralizim të qarkullimit. Nga policia rrugore problemi qëndron te mosfunksionimi i semaforëve dhe së fundi nga fluksi i madh i mjeteve të emigrantëve që kthehen për pushimet e verës. Por, një tjetër element negativ krijohet nga vetë postblloqet e policisë rrugore, të cilat ndalojnë mjetet në mes të rrugës, duke i mbajtur gjatë për kontrollin e dokumentacionit. Kjo krijon radhë të gjata dhe durimi për drejtuesit e mjeteve, të cilët e nxjerrin zemërimin me sirenat e borive të mjeteve. E njëjtë është gjendja edhe në Plazh, rruga e së cilës nga Ura e Dajlanit deri në Plepa është shndërruar në një pistë guide për autoveturat e motorët. Edhe këtë vit kjo rrugë ka të njëjtat probleme. Në këtë rrugë rreth 3.5 km të gjatë, gjithë ditës deri në orët e pasmesnatës nuk pushojnë mjetet që qarkullojnë me shpejtësi shumë të madhe apo motorët që fërshëllejnë në asfalt. l.m











