Qyteti 2400-vjeçar, tre vjet në UNESKO

Jul 9, 2011 | 9:49

BERAT – Qyteti i Beratit mbush tre vjet në UNESKO. Ruajtja e trashëgimisë kulturore, shtëpitë karakteristike të qytetit 2400-vjeçar si dhe mjaft elemente të tjera historike e kualifikuan qytetin muze në UNESKO. “Ne tashmë jemi pjesë e një komuniteti ndërkombëtar. Gjatë këtyre viteve kemi hartuar një plan menaxhimi me qëllim rritjen e numrit të turistëve që do të vizitojnë qytetin tonë”, u shpreh kryetari i Bashkisë, Fadil Nasufi, në ceremoninë e djeshme me rastin e trevjetorit. Në qendrën historike vihet re një tendencë e rritjes së vlerave të banesave duke rritur edhe tregun e shitjes tyre. Nga ana tjetër, Bashkia ka reduktuar 50 për qind taksat e saj për bizneset në lagjet muzeale. Sipas kreut të Bashkisë, në vitin 2010 ishin 21 843 turistë, të cilët erdhën në Berat, ose 5000 turistë më shumë se në vitin 2009. Në këtë takim, drejtuesit e Bashkisë u shprehën se është hartuar edhe strategjia për zhvillimin ekonomik e social të qytetit për periudhën 2010 – 2020, në të cilën përfshihen mbrojtja e monumenteve të turizmit.                       d.xh

© Panorama.al

Te lidhura