Për herë të parë, shefat e shërbimit të Qendrës Spitalore më të madhe në vend “Nënë Tereza”, do të zgjidhen me konkurs.Do të jenë 58 profesorë që do të caktohen nga një komision i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë. Procedura e re do të vihet në praktikë në zbatim të ligjit për arsimin e lartë. Me anë të një konference për shtyp, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, njoftoi fillimin e procedurave të aplikimit. Shefave të rinj të shërbimit nuk do t’u lejohet të jenë të dypunësuar,pra edhe në privat. “Janë shefa shërbimesh në QSUT dhe janë full- time atje. Ata që janë mjekë, nuk mund të punojnë njëkohësisht në dy vende. Kjo është e përcaktuar në statusin e punësimit”, u shpreh dje Dhori Kule. Këtë deklaratë, ai e bëri gjatë konferencës për shtyp me anë të së cilës njoftoi nisjen e procedurave të konkursit për shefat e shërbimit. “Nëse më parë shefat e shërbimit, që kishin funksione të veçanta, veç shefit të departamentit, përzgjidheshin me një procedurë tjetër, tashmë ligji ka parashikuar një bord ku integrohen strukturat e shëndetësisë. Kryetar i bordit është ministri i Shëndetësisë e strukturat akademike, rektori dhe dy përfaqësues të institucioneve të Fakultetit të Mjekësisë. Të gjitha projektet që do të prezantojnë aplikantët, t’i bëjmë transparente për publikun”, tha Kule. Kjo mënyrë përzgjedhjeje e shefave të shërbimeve pritet të shmangë abuzimet e përfolura në shëndetësi dhe t’u japë mundësi të gjithë mjekëve të konkurrojnë për këtë pozicion. Aplikantët, të cilët mund të jenë mjekë që punojnë edhe jashtë Shqipërisë, duhet të paraqesin dosjet në bazë të kritereve te përcaktuara, nga data 22 qershor deri më 6 korrik. “Shefat e shërbimit, të cilët ezaurojnë vendet e shefave të departamentit, nga momenti që emërohen, kanë dhe këtë mision të dytë. Fakulteti i Mjekësisë, ndryshe nga të gjitha fakultetet e tjera e institucionet e tjera të arsimit të lartë, nuk njeh autoritetin e shefit të departamentit, por atë të shefit të shërbimit”, deklaroi Kule.
Konkursi
Për herë të parë lejohen që të marrin pjesë në garë edhe mjekë të njohur jashtë QSUT, Fakultetit të Mjekësisë apo dhe ata që ushtrojnë detyrën jashtë shtetit. “Për Arsimin e Lartë në RSH”, i ndryshuar, për këtë post drejtues mund të konkurrojnë individë të institucionit të arsimit të lartë ose individë jashtë tij. Këta të fundit, në rastin kur rezultojnë fitues, bëhen anëtarë të personelit akademik të institucionit”, thuhet në shkresën që mban firmën e rektorit të UT. Komisioni i Vlerësimit merr vendime kolegjiale me 3/5 e votave. Ai përbëhet nga 5 anëtarë. Dy kandidaturat e përzgjedhura i përcillen Bordit të QSUT-së. Kur ka vetëm një kandidaturë, pas shqyrtimit, ajo automatikisht i paraqitet Bordit. Në rast kontestimi, Komisioni i Vlerësimit e përcjell për apelim pranë Bordit. Kandidati konkurrent për përgjegjës shërbimi duhet të jetë një figurë e spikatur në fushën e shërbimit ku edhe konkurron. Ai duhet të ketë të paktën gradën shkencore “Doktor”, të ketë përvojë pune në fushën përkatëse, si dhe të ketë kryer kërkime e botime shkencore brenda e jashtë vendit. Dosjet e kandidatëve do të depozitohen pranë Sekretarit të Komisionit. Dosja mund të dërgohet edhe me formë elektronike apo me CD nga adresa e kandidatit. Dosja duhet kontrafirmuar nga Sekretari. Kandidatët konkurrentë duhet të kërkojnë një vërtetim vetëm nga sekretari, prof. Ndok Marku, për marrjen në dorëzim brenda afatit të aplikimit në formë të shkruar ose elektronikisht.
58 shefa shërbimi, nga 18 më parë, do të zgjidhen me konkurs. Kjo procedurë do të ndiqet për herë të parë në zbatim të ligjit për arsimin e lartë.
Komisioni
Prof. Bashkim Resuli
Prof. Nikollaq Kacani
Prof. Durim Bebeci
Prof. Mentor Petrela PU-PH Paris
Prof. Ndok Marku
Dosja e aplikimit
Në dosjen e aplikimit, kandidati duhet të dorëzojë:
1. Letër motivimi e kandidatit, drejtuar Bordit të QSUT-së.
2. CV me aktivitetin e tij profesional, formues e shkencor.
3. Projekt për zhvillimin e shërbimit në dimension QSUT, kombëtar, mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar.
Projekti duhet të jetë bazuar në tri themelet e shërbimit:
a. Trajnim, menaxhim
b. Formim, edukim i vazhdueshëm
c. Kërkim, aktivitet shkencor
4. Fotokopje të noteruar të diplomës, të gradës apo titullit shkencor që ka.
Afati i aplikimit është nga data 22 qershor- 6 korrik 2011.
Dypunësimi i mjekëve
Pjesa më e madhe e mjekëve të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë të dypunësuar. Pas zhurmës dhe urdhrave që u nxorën vite më parë për të ndaluar dypunësimin, gjithçka u harrua. Pacientët janë ankuar disa herë se mjekët e spitalit shtetëror i drejtojnë për në klinikat e tyre private, ku u duhet të paguajnë kripur. Po kështu, nuk kanë munguar akuzat për prishje të qëllimshme të aparaturave, sidomos në shërbime me rëndësi jetike për të transferuar pacientët drejt klinikave apo spitaleve private.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











