Kriza e barnave përfshirë të gjitha shërbimet shëndetësore në qendrën më të madhe spitalore në vend, “Nënë Tereza”. Që nga fillimi i vitit, pacientët detyrohen të blejnë vetë çdo medikament. Farmacitë e spitalit janë bosh. Më e rëndë situata paraqitet për Onkologjikun, ku mungesa e citostatikëve është e theksuar, por me këtë mungesë të stërzgjatur barnash përballen edhe shërbimet e tjera, si sëmundjeve të brendshme, kirurgjisë, urologjisë, pediatrisë etj. Krerët e QSUT-së kanë deklaruar se po punohet për t’i dhënë zgjidhje këtij ngërçi brenda muajit qershor.Sipas tyre, kjo problematikë vjen edhe për shkak të numrit të lartë të pacientëve që i drejtohen kësaj qendre për kurim. Çdo ditë pohohet se trajtohen rreth 13 mijë pacientë, duke përfshirë edhe ata të rretheve. Në listat e pritjes për furnizimin e farmacive të spitalit gjenden rreth 200 medikamente bazë, të përcaktuara sipas kërkesave më të domosdoshme të vetë pavijoneve. Kjo do të thotë se edhe sjella e këtyre barnave nuk do mundet t’i japi zgjidhje kirzës. Lista e hartuar përmbush vetëm një pjesë të vogël të barnave të përcaktuara nga pavijonet, ndërkohë që kërkesat raportohen të jenë shumë herë më të larta. Kështu shpresa e vetme e pacientëve për sigurimin e tyre do të jenë vetëm farmacitë private jashtë spitalit, kundrejt faturave të kripura të çmimeve.











