QSUT: Drejt fundit, tenderët për ilaçet

Jun 16, 2011 | 9:00

Drejtoria e QSUT-së merr masa për zgjidhjen e krizës së ilaçeve që ka përfshirë spitalin. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur dje, drejtori i Qendrës Spitalore, Saimir Ivziku, tha se ka nisur tenderimi i 200 loteve të ndryshme ilaçesh. Për një të tretën e tyre ka përfunduar procesi i nënshkrimit të kontratave dhe një pjesë tjetër është në proceset përfundimtare. “Ajo që duhet të kuptojmë është se aktualisht punojmë me një ligj të caktuar të prokurimeve, i cili, në fakt, mund të krijojë probleme në kuadrin e efekteve kohore, por, nga ana tjetër, të gjithë e dimë domosdoshmërinë e respektimit të ligjit në drejtim të transparencës në këto raste”, tha Ivziku. Tashmë janë lidhur kontratat për citostatikët dhe onko-hematologjinë. “Gjatë këtyre ditëve, pas nënshkrimit të kontratave, presim ankimet nga firmat dhe në rast se nuk ka, gjë që shpresojmë, fillon menjëherë furnizimi me medikamente”, tha Ivziku. Po kështu, gjatë këtyre ditëve përfundon tenderi që ka të bëjë me sëmundjet kronike dhe vlerësuesit e gjakut, dhe për dy ditë fillon hapja e procedurës për materialet e mjekimit.

© Panorama.al

Te lidhura