Infermierët e spitalit “Nënë Tereza” shkelin etikën profesionale. Plot 37 prej tyre rrezikojnë vendin e punës. Pas kontrollit të ushtruar nga Task-Forca e ngritur për të monitoruar punën e personelit të mesëm, janë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda. Sipas kryetarit të Udhrit të Infermierit, Sabri Skënderi, ka shkelje të rënda që lidhen me etikën e deri tek ato që nuk e ushtrojnë si duhet profesionin e tyre. Pritet që në shtator një komision të vendosë për masat penalizuese për rreth 37 infermierë. “Kemi gjetur shkelje të etikës profesionale të infermierëve, kryesisht që kanë të bëjnë me komunikimin, të bërtiturat nëpër pavijone, mungesën e qetësisë nëpër shërbime, me paraqitjen e jashtme të infermierëve që nuk mbajnë uniformë, me lëvizjen e tyre jashtë vendit të punës”, ka deklaruar Sabri Skënderi, kryetar i Urdhrit të Infermierit. Ai theksoi se pacientët kanë shërbim të munguar nga personeli i mesëm, sidomos në orët e vona të mbrëmjes, ku është evidentuar neglizhencë. “Ka një diferencim të kujdesit të infermierit, kryesisht në orë të ndryshme të ditës. Nëse gjatë paradites ka një kujdes intensiv, në turnet e dyta dhe të treta ky numër ulet, minimizohet dhe nuk është i mjaftueshëm për t’iu përgjigjur kërkesave të pacientëve”, deklaroi Skënderi.











