Ndonëse rezulton një nga bashkëprodhimet kinematografike shqiptare më të suksesshme, “Falja e Gjakut”, me regji të Joshua Marston dhe skenar të Marston dhe Andamion Muratajt, nuk e fitoi mbështetjen e Qendrës Kombëtare Kinematografike për distribucionin e tij në Shqipëri. Dje, në një mbledhje të radhës, Këshilli i Miratimit të Projekteve mori në shqyrtim projektet e paraqitura, i vlerësoi ato nga ana kualitative dhe financiare. Mësohet se, bazuar në materialet e paraqitura në dosjet e projekteve, si dhe nga materiali i Komisionit Financiar i QKK, Këshilli miratoi 6 nga 10 projektet e paraqitura. Këshilli i propozoi Kryetarit të Qendrës financimin e filmave artistikë me metrazh të shkurtër “Temë Diplome të studentëve Dega regji, filmi & Tv, 2011”, “Festivalin Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut në Shqipëri, 2011”, “Festivalin Ndërkombëtar të filmit të animuar “AniFest Rozafa 2011”, zhvillimin e “Ditëve të filmit modern rus në Shqipëri”, “Takimin e pre-selektorëve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Berlinit në Shqipëri” dhe programin “Producers on the move” të organizatës EFP gjatë festivalit të Kanës”. E, ndërsa QKK do të organizojë takimin me preselektorët e Berlinales, një filmi që ka fituar në Berlinale nuk i jepet mbështetja për organizimin e premierës në Shqipëri. Menjëherë pas daljes së vendimeve, ka reaguar skenaristi i filmit “Falja e gjakut” dhe përfaqësues i shtëpisë prodhuese “Lissus Media”, Andamion Murataj, kërkesa e të cilit ishte një nga 10 të paraqiturat pranë Këshillit të Miratimit të Projekteve. “Qendra Kombëtare e Kinematografisë refuzon të mbështesë filmin shqiptar “Falja e Gjakut”, fitues i “Ariut të Argjendtë” në “Festivalin e Berlinit”, në organizimin e Premierës Botërore në Shqipëri. Me këtë vendim, QKK në mënyrë absurde i refuzon filmit “Falja e Gjakut” mbështetjen e institucionit qendror të kinemasë shqiptare. Ndërkohë që, pas fitores në Berlin, filmit i kanë ardhur ftesa për pjesëmarrje nga një sërë festivalesh të kategorisë A, ku ne shpresojmë të nderohemi me çmime të tjera. Realizimi i filmit “Falja e Gjakut” në Shqipëri kaloi nëpër një kalvar peripecish me QKK, e cila kurrë nuk arriti dot të bëhet një institucion përfaqësues kombëtar dhe partner i denjë për kompanitë ndërkombëtare, duke humbur mundësinë e bashkëprodhimit të filmit më të suksesshëm të kinemasë shqiptare. Ky film u bë i mundur vetëm me buxhet të financuar 100% nga fonde të huaja, gjë që nuk i bën nder Shqipërisë, pasi kurrë më parë nuk janë prodhuar filma të këtij niveli në Europë, pa suportin e domosdoshëm lokal”, shprehet Murataj në një njoftim për mediat. Duke shpresuar në një rishikim të këtij vendimi, Murataj shton se “me gjithë mungesën e mbështetjes nga QKK, filmi “Falja e Gjakut” do të mbajë Premierën Botërore (World Theatrical Release), pikërisht në vendin e origjinës, në Shqipëri, duke e shndërruar shfaqen e filmit në kinematë shqiptare në një event ndërkombëtar, që do të pasohet nga shfaqjet e filmit në të gjithë kinematë e botës, nga Australia në Kanada”. Distributor i filmit në Amerikë është “Sundance Select”.











