
Tajlanda po kërcënohet nga një krizë e thellë humanitare pas përmbytjeve më të këqija në 50 vitet e fundit, të cilat lanë pjesë të kryeqytetit të përmbytura me mbi 2 metra ujë, shkaktuan mbi 380 viktima dhe lanë pa shtëpi 113 mijë njerëz. Përmbytjet më të këqija që ishin parashikuar për dje u evituan, por shumë zona janë nën ujë, pasi të shtunën, muri i qytetit, i cili mund të pengonte ujin në deri 2.5 metra lartësi, ishte i pamjaftueshëm për të penguar hyrjen e ujit, pasi niveli i tij ishte më i lartë. Vetëm qendra e Bangkokut i ka shpëtuar përmbytjes, por ka shumë zona në kryeqytet ku uji u arrin banorëve deri në kraharor. Qeveria tajlandeze ka ndërtuar më shumë se 1700 qendra strehimi nëpër të gjithë vendin, ku po strehohen të pastrehët që nga nisja e përmbytjeve në këtë vend, në korrik, për shkak të shirave të dendur. Tani ekziston rreziku i sëmundjeve nga ujërat e ndotur dhe insektet. Dëmi i përgjithshëm i përmbytjeve, deri tani, është llogaritur nga qeveria tajlandeze në 6 miliardë dollarë. Kryeministrja Jingluk Shinauatra u ka kërkuar bizneseve të mos depozitojnë ushqimet, pasi paniku se kjo lloj krize do të zgjasë ka bërë që të “zhduken” nga ato dyqane që kanë mbetur hapur edhe ushqimet esenciale.











