Grosistëve do t’u miratohet importi vetëm për ilaçet me referencë sa në rajon
Vendimi: Vlera në treg sa në Itali, Maqedoni ose Greqi
Të gjithëve na ka qëlluar që të blejmë në një farmaci jashtë Shqipërisë medikamente me çmime disa herë më të ulëta. Për të mos folur për cilësinë, që ka jo pak diferencë. Për një gamë të gjerë barnash, qytetarët shqiptarë kanë paguar kripur. Grosistët kanë pasur aksesin që të deklarojnë në dogana çmime preferenciale për aq kohë sa nuk kanë pasur pengesa ligjore. Abuzime të këtij lloji kanë qenë të shumta gjatë gjithë këtyre viteve. E thënë më thjesht, nëse një medikament kushtonte realisht 10 lekë, çmimi hyrës në tregun shqiptar deklarohej 30 lekë. Pjesa tjetër e skemës është e standardizuar. Depot nuk mund aplikojnë një marzh fitimi më shumë se 10% të çmimit fillestar të deklaruar dhe farmacitë jo më shumë 26%. Të gjitha këto fitime aplikoheshin mbi çmimin hyrës të deklaruar dy herë më të lartë. Një qytetar shqiptar, për rrjedhojë, i paguante me shtrenjtë barnat. Tashmë, komisioni i çmimit të barnave do të vendosë me rregulla të reja se cilat barna do të lejohen të hyjnë në Shqipëri. Ato nuk mund të jenë më të larta se vendet e rajonit.
Ndryshimet
Qeveria ka miratuar dje ndryshimet në vendimin përkatës për mënyrën si do të caktohen çmimet e referencës së ilaçeve. ”Çmimet ‘CIF’, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e ‘CIF’ të shteteve referente: Itali, Greqi dhe Maqedoni. Kur mungon informacioni për çmimet ‘CIF’ nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit. Çmimet e shitjes me pakicë në Shqipëri do të krahasohen me çmimet e shitjes me pakicë të barit në shtetet referente”, thuhet në vendim. Sipas tij, çmimi i referencës për Shqipërinë do të jetë çmimi më i ulët që aplikohet ndër tri shtetet referente. ”Në rast se bari nuk tregtohet në asnjërin nga shtetet referente, mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit ose përfaqësuesit e tyre të autorizuar, përfaqësitë farmaceutike të huaja në Shqipëri do të vetëdeklarojnë tri çmime krahasuese ‘CIF’ të barit nga vende të tjera ku tregtohet bari, sipas shtetit gjeografikisht më të afërt me Shqipërinë”, përcakton vendimi. Në të saktësohet se në këtë rast “çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë mesatarja e dy çmimeve më të ulëta që aplikohen nga tri shtetet referente. Informacioni për krahasimin e çmimeve të barnave do të merret nga botimet zyrtare, të publikuara nga institucionet shtetërore të vendit përkatës. “Kur nuk arrihet të sigurohet informacion nga këto burime, ministri i Shëndetësisë bashkë me ministrin e Financave miratojnë, me urdhër të përbashkët, burime të tjera informacioni”, thuhet në vendim. Në të përcaktohet se komisioni i çmimit të barnave miraton çmimet që nuk e kalojnë “çmimin e referencës për Shqipërinë”. Kur çmimi i barnave, që janë alternativë e vetme, del më i lartë se “çmimi i referencës për Shqipërinë” bëhet negocim për uljen e çmimit. ”Nga ky rregull bëjnë përjashtim çmimet e miratuara për vitin 2012, për të cilat, kur janë më të larta se ‘çmimi i referencës për Shqipërinë’, negociohet për uljen e çmimit”, thuhet në vendim. Sipas tij, barnat për të cilat nuk është deklaruar çmim ose nuk janë regjistruar deri më 30 nëntor të vitit aktual, humbasin të drejtën për t’u futur në listën e barnave të rimbursuara për vitin pasardhës. Bëhet përjashtim vetëm për barnat që janë alternativa të vetme në treg dhe barnat që janë në proces riregjistrimi.
Ndryshimet
. Çmimet “CIF”, të deklaruara në Shqipëri, do të krahasohen me çmimet e “CIF” të shteteve referente: Itali, Greqi dhe Maqedoni. Kur mungon informacioni për çmimet “CIF” nga shtetet referente, krahasimi do të bëhet me çmimet e shitjes me pakicë të barit. Çmimet e shitjes me pakicë në Shqipëri do të krahasohen me çmimet e shitjes me pakicë të barit në shtetet referente.. Në rast se bari nuk tregtohet në asnjërin nga shtetet referente, mbajtësit e autorizimit të tregtimit të barit ose përfaqësuesit e tyre të autorizuar, përfaqësitë farmaceutike të huaja në Shqipëri, do të vetëdeklarojnë tri çmime krahasuese “CIF” të barit nga vende të tjera ku tregtohet bari, sipas shtetit gjeografikisht më të afërt me Shqipërinë.
. Në këtë rast, “çmimi i referencës për Shqipërinë” do të jetë mesatarja e dy çmimeve më të ulëta që aplikohen nga tri shtetet referente.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











