Qeveria rrit fondin për fatkeqësitë

Aug 26, 2011 | 10:27

Qeveria rrit masën e shpërblimit për punonjësit e institucioneve në rast fatkeqësie.Në mbledhjen e 6 korrikut, Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim për të ndryshuar dy pika të vendimit të vitit 2010 “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”.
Vdekjet
Në aktin e një viti më parë parashikohej se në rastet kur vdiste punonjësi i një institucioni ose një i afërm i tij, dikasteri ku ai punonte i jepte familjes një shumë prej 10 deri në 30 mijë lekë të rinj. Ndërkohë, në amendimin që i është bërë vendimit të qeverisë, parashikohet një shumë prej 50 mijë lekësh kur vdes punonjësi i një institucioni dhe 30 mijë lekë kur ndahet nga jeta i afërmi i familjes me të cilin ai ka bashkëjetuar. “Për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit, pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50 000 lekë; për rastet e vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët), pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30 000 lekë, për çdo rast”, thuhet në pikën 7 të vendimit të ndryshuar të qeverisë. Në të njëjtën kohë, Këshilli i Ministrave ka saktësuar shumën që do të paguajë institucioni në rast se punonjësi i tij sëmuret. Kështu, sipas vendimit, për të gjitha rastet kur një punonjës i atij dikasteri është sëmurë dhe duhet të bëjë një ndërhyrje jashtë shtetit, ai do të përfitojë, me urdhër të drejtuesit të institucionit ku punon, një shumë prej 50 mijë lekësh. Në variantin fillestar të vendimit parashikohet: “Për rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, pagesa jepet nga titullari i institucionit, i diferencuar nga 30 000 – 50 000 lekë për çdo rast”.
Pensioni
E vetmja pikë e vendit që nuk ndryshon është paga që do të përfitojë punonjësi kur ai mbush moshën e pensionit, e cila është deri në një pagë mujore. Ndërkohë, qeveria ka vendosur një kufi për të gjitha institucionet ku organizohen veprimtari kulturore, përfshi këtu edhe ceremonitë e daljes në pension të punonjësve. “Veprimtaritë e ndryshme që kanë karakter social apo kulturor, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni, përballohen nga fondi i veçantë. Në këto veprimtari social-kulturore, kur ato organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe akomodimit paguhen nga vetë punonjësit”, thuhet në vendimin e vitit 2010. Ndërkohë, pas ndryshimeve të muajit korrik, është përcaktuar që shpenzimi i institucionit të përllogaritet me jo më shumë se 2500 lekë për çdo pjesëmarrës. “Në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari, të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën 2500 lekë për punonjës”, thuhet në vendimin e amenduar. Vitin e kaluar, Qeveria mori një sërë masash për të shkurtuar shpenzimet dhe njëra prej tyre ishte pikërisht ky vendim, sipas të cilit nga 2011 nuk do të ketë shpërblime për rezultate të mira në punë.

S’ka shpërblim për rezultate të mira

Sipas vendimit të nxjerrë nga qeveria në vitin 2010, duke filluar nga viti buxhetor aktual, asnjë institucion nuk mund të japë shpërblime për rezultate të mira në punë. “Përjashtimisht për vitin 2010, fondi i veçantë nuk përdoret për shpërblimin e punonjësve për rezultate të mira në punë dhe veprimtari social-kulturore”, thuhet në pikën 9 të vendimit të miratuar nga qeveria. Vendimi ishte një ndër masat që ndërmori Ministria e Financave për shkurtimet e shpenzimeve.

Një pagë shtesë për ata që dalin në pension

Megjithëse vendimi i vitit 2010 u amendua, pjesa kur përcaktohet shpërblimi për punonjësit që dalin në pension nuk u ndryshua. “Për rastet e daljes së punonjësve në pension pleqërie pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore”, thuhet në vendimin e qeverisë. Ndërkohë, në vendim është përcaktuar se në ceremonitë e organizuara për daljen e një punonjësi në pension, institucioni nuk mund të shpenzojë më shumë se 2500 lekë për çdo punonjës.

vendimi i qeverise

Si ishte

n    Për rastet e vdekjes së punonjësit ose të një anëtari të familjes së punonjësit (prindërit apo fëmijët) kur bashkëjetojnë, pagesa jepet nga titullari i institucionit, i diferencuar nga 10000 – 30 000 lekë për çdo rast.
n    Për rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit kur kërkohet një ndërhyrje shëndetësore jashtë vendit, pagesa jepet nga titullari i institucionit, i diferencuar nga 30 000 – 50 000 lekë për çdo rast.
n    Për rastet e daljes së punonjësve në pension pleqërie, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.
n    Veprimtaritë e ndryshme që kanë karakter social apo kulturor, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni, përballohen nga fondi i veçantë. Në këto veprimtari social-kulturore, kur ato organizohen jashtë qendrës së punës, shpenzimet e transportit dhe akomodimit paguhen nga vetë punonjësit.

Si bëhet

.    Për rastet e vdekjes së punonjësit të institucionit, pagesa i jepet familjes së punonjësit nga titullari i institucionit në masën e një page mujore, por jo më pak se 50 000 lekë;
.    Për rastet e vdekjes së një anëtari të familjes së punonjësit (bashkëshorti/ja, prindërit apo fëmijët), pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 30 000 lekë, për çdo rast;
.    Për rastet e sëmundjeve të rënda të punonjësit, kur kërkohet një ndërhyrje kirurgjikale apo një trajtim mjekësor i gjatë, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në 50 000 lekë, për çdo rast;
.    Për rastet e daljes së punonjësve në pension pleqërie, pagesa jepet nga titullari i institucionit deri në masën e një page mujore.
.    Në veprimtari me karakter social apo kulturor, që përballohen nga fondi i veçantë, përfshihen ato veprimtari, të cilat organizohen vetëm për punonjësit e institucionit, sikurse janë ato të organizuara për rastet e daljeve në pension, të festimeve të fundvitit dhe të tjera organizime të realizuara nga institucioni. Në çdo rast, masa e shpenzimit që mbulohet nga fondi i veçantë për këto veprimtari, nuk duhet të kalojë vlerën e 2500 lekë për punonjës.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura