Një qeveri jo në dietë dhe, mbi të gjitha, me shpenzime luksi. Kjo është ajo që rezulton nga treguesit fiskalë të 5-mujorit të parë të këtij viti, të publikuar nga Ministria e Financave.Sipas tyre rezulton se krahasuar me vjet, deficiti të jetë rritur 120 milionë dollarë më shumë, duke kapur vlerën e 200 milionë dollarëve dhe, për çudi, paratë duket se nuk kanë shkuar për investime, sikurse pritej, në këtë vit elektoral. Treguesit fiskalë nxjerrin në pah se shpenzimet operative dhe ato korrente kanë diferencat më të mëdha me rritje krahasuar me një vit më parë. Kështu, shpenzimet kapitale apo investimet janë vetëm 25 milionë dollarë më shumë se vjet, kurse shpenzimet korrente janë plot 100 milionë dollarë më shumë se vjet. Por edhe shpenzimet e luksit, të kategorizuara te shpenzimet operative apo të mirëmbajtjes, janë rritur krahasuar me vjet me rreth 20 milionë dollarë. Qeveria e ka parë më të arsyeshme që të shpenzojë më shumë para për paga dhe zyra, sesa për investimet, në një kohë kur pritej të ndodhte krejt e kundërta dhe e nxitur nga zgjedhjet e 8 majit. Por, si kanë qenë në total treguesit e tjerë të 5-mujorit, duke filluar nga të ardhurat dhe shpenzimet në total? Për periudhën janar-maj janë realizuar 130 miliardë lekë të ardhura një rritje me vetëm 1.3 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Në një pamje të parë të treguesve duket se si Doganat, ashtu dhe Tatimet kanë pasur një rritje të nivelit të të ardhurave krahasuar me një vit më parë, por për Tatimet realizimi i TVSH-së në këtë 5-mujor rezulton me një diferencë negative krahasuar me vjet dhe po kështu edhe akciza. Rritje pozitive ka pasur tatimfitimi dhe TAP (Tatimi mbi të Ardhurat Personale). Një tjetër pikë shqetësuese tek të ardhurat në arkën e shtetit duket se përbën edhe pjesa e të ardhurave nga pushteti vendor, të cilat vazhdojnë të mbeten të ulëta. Sipas planit, deri në fund të vitit ky i fundit duhet të realizojë 17 miliardë lekë, ndërkohë që ka realizuar vetëm 6 miliardë në këtë 5-mujor. Në kahun e shpenzimeve, shifra në total ka arritur 150 miliardë lekë, me rreth 14 miliardë lekë të shpenzuara më shumë se vjet. Deficiti është dukshëm më i lartë dhe qeveria ka zgjedhur që ta financojë atë me huamarrje nga bankat e nivelit të dytë në vend. Deri tani rezulton që qeveria të ketë marrë plot 178 milionë dollarë borxh nga bankat në vend, me një rritje prej 120 milionë dollarësh krahasuar me 2010-n, kurse borxhi i jashtëm është 25 milionë dollarë, vetëm 6 milionë dollarë më i lartë se vjet. Pesë muajt e parë të këtij viti kanë qenë krejt të ndryshëm krahasuar me vitin e kaluar sa i përket strukturës së huamarrjes, duke u përqendruar në huamarrjen e brendshme.
100 milione usd
janë rritur shpenzimet korrente të qeverisë krahasuar me një vit më parë në këtë 5-mujor të vitit 2011, sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave
120 milione usd
është rritur, krahasuar me një vit më parë, deficiti buxhetor në vend. Nëse në vitin 2010, për 5-mujorin ky deficit ishte 77 milionë USD, tani është 200 milionë USD

Zërat me miliona dollarë minus
Të ardhurat nga institucionet buxhetore për këtë vit kanë qenë plot 12 milionë dollarë më pak sesa një vit më parë. Treguesit fiskalë të 5-mujorit tregojnë se për periudhën janar-maj 2010, të ardhurat nga këto institucione kanë qenë 51 milionë dollarë, ndërkohë që për këtë 5-mujor, të ardhurat janë 39 milionë dollarë. Një tjetër mosrealizim që bie në sy është edhe ai në zërin “të tjera”, i cili një vit më parë, për të njëjtën periudhë, ka shënuar vlerën 51 milionë dollarë, ndërsa për këtë vit janë realizuar vetëm 7 milionë dollarë, me një minus prej më shumë se 43 milionë dollarësh. Të ardhurat jotatimore janë gjithashtu 39 milionë dollarë më pak se vjet.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











