
Qeveria shqiptare ka vendosur të kursejë investimet dhe jo shpenzimet e tjera për administratën.Në tabelën fiskale për korrikun e këtij viti duket qartë se në krahasim me vjet investimet janë në shifra pothuajse të njëjta, ndërsa shpenzimet e tjera korrente janë rritur ndjeshëm. Shifrat tregojnë se në 7-mujorin e vitit të kaluar janë shpenzuar 37,229 miliardë lekë, ndërsa në 7-mujorin e këtij viti 37,872 miliardë lekë. Siç shihet, diferenca është vetëm 643 milionë lekë më e madhe ose vetëm 6.5 milionë USD. Por e kundërta ka ndodhur me shpenzimet e tjera korrente. Në 7 muaj në vitin e kaluar qeveria ka shpenzuar 165,724 miliardë lekë, ndërsa në 7 muaj të këtij viti 174,950 miliardë lekë. Diferenca nuk është pak, por 92 milionë USD më shumë. Pra, rreth 15 herë më shumë shpenzime për administratën se sa për investime. Dhe shumica e parave kanë ardhur nga rritja e borxhit. Shifra e totalit të të ardhurave deri në korrikun e këtij viti është 1,823 miliardë USD. Një vit më parë ishin mbledhur 1.782 miliardë lekë. Pra, në total këtë vit janë mbledhur vetëm 41 milionë USD më shumë se vjet, ndërkohë që janë shpenzuar 117 milionë USD më shumë se vjet. Kjo ka sjellë që deficiti të rritet me 76 milionë USD. Shifër e frikshme kjo, po të kihet parasysh se ka ndryshuar nga viti në vit dhe më e keqja nuk ka shërbyer për investime, por për shërbime të administratës. E thënë ndryshe, këto para nuk kanë shkuar për rritjen e investimeve, por për financimin e aktiviteteve private, për shtesa në komfortin e të punësuarve në shtet. Një arsye e fortë është periudha e zgjedhjeve vendore, kur shpenzimet për administratën shpesh kthehen në një ndihmë të madhe për partitë në pushtet.
Të ardhurat
Tabela e krahasimit të të ardhurave nënvizon për të disatin muaj dështimin në mbledhjen e TVSH. Edhe pse theksohet që rritja ekonomike e vendit është mbi rreth 3.5 për qind, të ardhurat nga vlera e shtuar e kësaj rritjeje janë më pak se vjet. Tabela tregon se nga TVSH janë mbledhur 3.6 milionë USD më pak sesa në 7-mujorin e vitit 2010. Ndërkohë që akcizat kanë të njëjtin ritëm me vjet, me një ulje të papërfillshme. Për të balancuar disi deficitin në të ardhura, qeveria ka marrë 13 milionë USD më shumë se vjet nga Banka e Shqipërisë. Kjo në formën e transferimit të fitimit. Në bilancin zyrtar të Ministrisë së Financave të bën përshtypje fakti që në zërin “Politika te reja pagash” dhe “Politika te reja pensionesh”, shpenzimet janë zero. Pra, në bilancin e korrikut edhe pse shtesa e pagave dhe pensioneve fillon më 1 korrik, këto shpenzime nuk janë hedhur. Rritja e pensioneve është zbatuar nga 1 korriku, por duket se paratë nuk janë marrë nga zëri i ndarë që në fillim të vitit për rritjen e pensioneve, por nga ndonjë institucion tjetër. Ndërsa rritja e pagave nuk është zbatuar dhe pritet të hidhet në bilanc muajin tjetër. Kjo sigurisht që do të shtojë sërish deficitin buxhetor.












