
Me propozim të ministrit të Financave, në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për disiplinimin e përdorimit të shpenzimeve buxhetore për vitin 2012.
Vendimi parashikon reduktimin e shërbimit të telefonisë celulare në masën 20%, ngrirjen deri në fund të vitit të çdo funksioni në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk do të përdoret për veprimtari social – kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012, do të reduktohen shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme si dhe trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit do të bllokohen.
Më poshtë vendimi i plotë, i cili hy në fuqi menjëherë.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.10 487, datë 5.12.2011, “Për buxhetin e vitit 2012”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas datës 7 shtator 2012, botimi i çdo lloj njoftimi, përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime operative të njësive të qeverisjes qendrore, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të bëhet me miratimin e ministrit të Financave, pas vlerësimit të burimit të financimit.
Përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore, që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.
2. Masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare të reduktohet 20%, për çdo përfitues sipas përcaktimeve të vendimit nr.864, datë 23.7.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë publikë”.
3. Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit. Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave.
4. Kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore pezullohen.
5. Fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk përdoret për veprimtari social – kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012.
6. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, nëpërmjet minimizimit të udhëtimeve, përjashtuar ato të një rëndësie të veçantë dhe, vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror. Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave.
7. Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, bllokohen.
8. Fondet buxhetore të papërdoruara deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset, përfshirë këtu edhe trajnimet e ITAP-it brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, të reduktohen në masën mbi 50% .
9. Ngarkohen të gjitha institucionet e njësive të qeverisjes qendrore dhe qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
© Panorama.al











