Qeveria, presion bankave me bonot

Jul 11, 2012 | 15:09

Pas stepjes së bankave për të blerë borxhin e qeverisë, kjo e fundit fokusin e ka përqendruar tek individët. Kjo vjen pikërisht këtë verë, kur do të shiten edhe dy borxhe në euro, i pari më 24 korrik dhe i dyti më 21 gusht. Fushata informuese e ndërmarrë nga Financat ka pikërisht këtë synim, tërheqjen e sa më shumë individëve tek investimi në tituj qeveritarë, duke mënjanuar kështu bankat e nivelit të dytë. Duke qenë se borxhi do të jetë në euro, një target i rëndësishëm janë edhe emigrantët, të cilët kthehen në Shqipëri për pushime.
Si të merrni pjesë
Mënyra e investimit në tituj qeveritarë është e thjeshtë. Individi mund të investojë direkt përmes Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë apo nëpërmjet Postës Shqiptare. Kushti i vetëm që duhet të plotësohet për të marrë pjesë në ankandet e bonove të thesarit është investimi i një shume jo më të vogël se 300 mijë lekë, ndërsa për investimet në euro e njëjta kundërvleftë, por në euro. Alternativa e parë e pjesëmarrjes për individët është përmes Bankës së Shqipërisë. I interesuari mund të shkojë pranë sportelit të kësaj banke dhe të hapë një llogari. Me këtë numër llogarie paraqitet në bankën e nivelit të dytë dhe bën derdhjen e fondeve. Së bashku me këtë bën edhe një kërkesë për marrje pjesë në ankand për bono thesari. Interesi, i cili merret dy ditë pas zhvillimit të ankandit, mund të tërhiqet sërish pranë sportelit të Bankës së Shqipërisë, ku merr edhe një fletë vërtetimi që është i shpallur fitues. Investimi përmes bankave të nivelit të dytë ka të njëjtën procedurë sikurse për BSH dhe po kështu edhe përmes Postës Shqiptare. Për titujt afatgjatë, siç janë obligacionet, investimi kryhet vetëm përmes bankave të nivelit të dytë.
Bonot përballë depozitave
Individët zgjedhin që paratë e kursyera shpesh t’i mbyllin në depozita pranë bankave të nivelit të dytë, duke vjelë në fund të maturimit interesin. Fakt është që interesi i bonove të thesarit sot është më i lartë se sa interesi i depozitave bankare, por ka edhe një diferencë të madhe për kohën kur përfitohet ky interes. Për ta kuptuar më mirë mjafton t’i referohemi një shembulli me shifra realë të përfitimit që merr një individ nga investimi në bono dhe përftimit nga një depozitë. Ju keni një milion lekë, të cilët jeni në dilemë nëse do t’i çoni në bankë në formë depozite apo do t’i investoni në bono thesari. Nëse u referohemi shifrave të majit, interesi mesatar i depozitës me një afat 12-mujor ishte 5.70 për qind, ndërsa i bonove 12-mujore 7.36 për qind. Nëse ju do të zgjidhni që ata një milionë lekë t’i çoni në bankë, do të përfitoni në fund të maturimit 57 mijë lekë të rinj interes. Nëse 1 milionëshin do ta investoni për blerjen e bonove të thesarit, do të përfitoni 73.6 mijë lekë. Nga investimi në bono rezulton që do të fitoni 16.6 mijë lekë më shumë. Përfitimi tjetër është që 73.6 mijë lekët i përfitoni qysh në fillim, ndërsa 57 mijë lekët nga depozita në fund të maturimit.

Shembulli
Një individ ka kursyer 1 milion lekë. Këto mund t’i investojë në depozitë ose në bono thesari.

Në depozitë (referuar muajit maj)
Interesi i depozitës me një afat 12-mujor, 5.70 për qind

Në bono (referuar muajit maj)
Interesi i bonove me afat 12-mujor, 7.36 për qind

Përfitimi nga interesi
1 milion lekë në depozitë = 57 mijë lekë
1 milion lekë në bono = 73.6 mijë lekë
Diferenca bono-depozitë = 16.6 mijë lekë

Ndryshimi
Interesi për depozitën merret në fund të maturimit
Interesi për bonot merret në fillim të investimit

Interesat e bonove dhe depozitave sipas afateve

Ku ta gjeni informacionin për ankandet
Pothuajse përgjatë gjithë vitit Ministria e Financave emeton tituj qeveritarë për të plotësuar deficitin e saj në buxhet. Titujt qeveritarë të emetuar mund të jenë afatshkurtër si bono 2, 6, 12- mujorë, ose afatgjatë 2, 3, 5, 7-vjeçarë, siç janë obligacionet. Investimi në bono thesari është më i sigurti, pasi ato garantohen nga qeveria dhe nuk kanë asnjë lloj risku. Për ata që duan të jenë aktivë në investimin në bono thesari në uebsajtin e Ministrisë së Financave publikohet një kalendar njëvjeçar që përcakton vetëm datat e ankandeve dhe titujt. Po kështu, në ueb është edhe një kalendar 3-mujor më i specifikuar, ku përcaktohet edhe shuma që Ministria do të emetojë në një datë të caktuar të zhvillimit të ankandit. Një tjetër mënyrë informimi për ankandet që zhvillohen është edhe ajo përmes medias, pasi është detyrim i Financave që për çdo ankand të bëhet një njoftim në një gazetë dhe në një televizion. Praktika më e fundit për informimin mbi bonot dhe investimin duket të jenë ajo përmes broshurave dhe posterave që Ministria ka shpërndarë me një sërë gazetash të përditshme apo edhe posterat e vendosur në vende me qarkullim të lartë të individëve, si dhe fletëpalosjet në pikat doganore.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura